Xhaferri: BDI nuk ka nevojë për zgjedhje, opozita ‘në gjum’

Vjeshta mbetet opsion për të marrë datë bisedimesh me Bashkimin Evropian por nëse vendi ynë i përmbush detyrat dhe çlirohet nga pengesa më e madhe në rrugën e euro-integrimeve, përkatësisht nga kontesti i emrit me Greqinë. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)  nuk është i çakorduar me VMRO-në në veprimet diplomatike ndërsa zgjedhjet do të ishin një harxhim i panevojshëm. Kështu shprehet zëvendëskryeministri për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferri në një intervistë për ekskluzive PortAlb.

Intervistoi: Elida Zylbeari

PORTALB: Maqedonia nuk arriti të merr datë në samitin e Bashkimit Evropian që u mbajt muajin e kaluar. I mban fajet BDI për këtë dështim pasi që kjo parti udhëheq me sektorin e euro-integrimeve?

M. Xhaferri: Sukseset dhe mossukseset i takojnë gjithë Qeverisë dhe jo vetëm funksionarit që është në sektorin përkatës. Nuk ka pasur pritje se në qershor do të merrnim datën. Konkretisht pritet në vjeshtë të kemi datë për fillimin e eventual të bisedimeve nëse do ti plotësojmë obligimet. Të gjithë e dimë shkakun pse ne po stagnojmë, e ai është mos-gjetja e kompromisit me fqiun tonë jugor për çështjen e emrit. 

PORTALB:Ofensiva diplomatike e juaja për ta lëvizur përpara çështjen e emrit, shikohet si një lobim personal i partisë tuaj e jo si qëndrim i përbashkët i qeverisë për kontestin e emrit. A mendoni që është koha e fundit të dilni së bashku me VMRO-në me një qëndrim të përbashkët për këtë çështje?

M. Xhaferri: Ka qëndrim të përbashkët rreth kornizës se duhet të ketë një kompromis rreth emrit. Qëndrimi i tillë do të ndërtohet nëse vjen deri te harmonizimi i ndonjë propozimi shumë praktik. Nuk ka të bëjë kjo me mos-koordinim të Qeverisë por ka të bëjë me lobizmat e mundshme që secilit subjekt i takon ti krijojë, me lidhjet që secili subjekt i formon me shtetet të cilat janë faktor dhe mund të ndikojë sa i përket tejkalimit të problemit me Greqinë.

PORTALB: Pse u desh që Ahmeti ta zbulojë propozimin e Nimetz e jo VMRO-ja? Cilat janë arsyet pse kjo parti heshti dhe ua la juve shpalosjen e propozimit?

M.Xhaferri: Kjo është punë qasjesh. Nimetz ka bërë një propozim për të cilin duhet mundësisht të bisedojnë palët, të gjejnë vërejtjet dhe të japin propozimet e tyre. Në kuadër të asaj ishte dhe shpalosja e propozimit dhe këtu nuk ka asgjë të keqe sepse gati të gjithë e kanë ditur por nuk e kanë theksuar në mënyrë të veçantë. E kishte shtypi në Greqi, edhe këtu ishte në media. Ne si BDI konsiderojmë se nuk ka asgjë të keqe nëse bisedohet për variantet e ndryshme sepse duhet të ketë një dialog të tillë deri në gjetjen e një kompromisi të përbashkët të pranueshëm për të dy palët.

PORTALB: Po mirë, këtë ia keni thënë VMRO-së? Bisedoni me ata, çfarë ju thotë partneri juaj?

M.Xhaferri: Nuk është puna të bëjë negociata BDI dhe VMRO-ja, por bëhet fjalë për atë që përfaqësuesit e shtetit të bëjnë dialog me ata të Greqisë nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, gjegjësisht z. Nimetz dhe të shihet se cila mund të jetë zgjidhja e pranueshme. Nuk është problem i brendshëm sa e dimë ne sepse është problem i qasjes, qasjes së Greqisë ndaj neve.

PORTALB: Greqia u përgjigj përmes letrës së kryeministrit grek Samaras. Si e komentoni ju refuzimin e tij të takohet me kryeministrin Nikolla Gruevski?

M.Xhaferri: Nuk mund ta komentoj një letër që askush nuk e ka pa origjinalin e saj. Ne nuk mund të bazohemi në komentet që i bëjnë gazetat sepse ajo ndoshta nuk mund të jetë esenca e letrës. Përderisa nuk del letra e plotë në publik, çdo koment do të ishte gabim ose keqpërdorim i dialogut.

PORTALB: Përflitet se mund të mbahen zgjedhje të parakohshme, eventualisht së bashku me ata parlamentare. Sa janë ata të nevojshme, është BDI për zgjedhje?

M. Xhaferri: Është herët që të flitet për zgjedhje. Partitë që bëjnë Qeverinë kanë shumicë të mjaftueshme në Parlament dhe nuk besoj që ata kanë nevojë të verifikojnë mandatet e tyre nga njëra anë. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë zë asnjë presion nga opozita që nënkuptohet se opozita është aq e papërgatitur, aq në defensivë sa që nuk e besojnë që mund të bëjnë ndonjë ndryshim. Është ndërtuar një perceptim se me zgjedhjet presidenciale mund të ketë zgjedhje të parakohshme por ne mendojmë se ata nuk do ti sjellin asnjë risi vendit. Gjatë zgjedhjeve lokale u pa se sa e madhe është përkrahja jonë në terren dhe këtë vetëm mund ta shtojmë në zgjedhjet eventuale. Nuk ka nevojë për harxhime shtesë të cilat do ta rëndojnë situatën në vend.  /PortAlb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button