Çka ka shteti që u prish në kokë?

Ishin të shumta komentet në opinion për aksionet e fundit të Drejtorisë për të hyra publike-DHP të shoqëruara më forca speciale policore, por sikur mungojnë analiza se pse konkretisht tani dhe mu në këto vise bëhet gjithë ky provokim. Provokim pasi prezenca e forcave speciale të armatosura rëndë, në kohë paqeje dhe në zona që janë nën kontrollin e shtetit, nuk ka si të kuptohet ndryshe. Edhe pse kësi paraqitje kishte edhe më herët dhe në vazhdimësi, ku më e dukshmja dhe e panevojshmja ishte ndërhyrja e këtyre forcave gjatë një aktiviteti qytetar që protestonte kundër zhdukjes së një parku të vogël në qendër të Shkupit.

Kjo shfaqje militareske është aq praktikë e shpeshtë tani sa që përmbush cilësimin e shtetit si shtet policor, por kryesorja se vazhdon mosarsyetimi i tyre. Pra askush në atë ministri nuk bart përgjegjësi konkrete se si aq herë pa nevojë kryhen këto operacione të kushtueshme për punë dhe çështje të cilat mund të kryhen edhe me prezencë më të paktë dhe të thjeshtë policore. Në një ambient normal demokratik qytetari i thjeshtë nuk arrin ti sheh, pos në ndonjë paradë forcat speciale policore dhe ato nuk angazhohen në raste kur nuk ka kurrfarë arsyeshmërie të tyre si në rastin e protestave për gjelbërim dhe kontrollit të çajtores së fshatit nëse në të pihet duhan apo nëse e njëjta posedon arkë fiskale?!

Ashtu këto aksionet e DHP me forca speciale të policisë nuk kanë ndonjë sqarim ligjor ose logjik, në kohë paqeje dhe në zona ku ka kontroll shteti, sidomos tani kur janë bërë rutinë dhe janë të parashikueshme edhe si inspekcion e edhe si provokim; me çka kanë humbur efektin e saj surprizë për inspekcion dhe provokues si shfaqje militare. Në mungesë të shpjegimit ligjor ose logjik na mbetet vetëm ndonjë sqarim psikologjik se “shteti” kështu heq mërzinë nga dështimi i lidhjes emocionale me Subrata Roy-in. Ose trondinë nga granatimi i fundit që i bë godinës së qeverisë. Pra sipas këtij sqarimi “shteti” nuk mundet ose s’e gjen dot sulmin mbi qeverinë, por shkon dhe shfaq vetëm qytetarëve të vet forcën e saj.

Dhe pista e fundit e sqarimit është se kjo shfaqje militareske provokuese ka lidhje me “bombën” e paralajmëruar të liderit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev. Një version sqarimi është se klani udhëheqës i kushërinjve në pushtet aq frikohen nga ky publikim i dokumenteve të paralajmëruara dhe nga mossuksesi konstant i qeverisjes për aq vite sa që duan të provokojnë, mu aty ku mendojnë se mund ende të ketë njerëz që provokohen dhe ashtu Gruevski e kërkon atë bombën e Zaevit nëpër çajtore shqiptare. Me këtë duke dëshiruar që edhe vet të ikin disi nga qeveria apo të mbulojnë një problem të madh me një tjetër ende më të madh.

Duke qenë se Zaev paralajmëroi që brendia e asaj që ai posedon ka të bëjë edhe me marrëdhëniet ndëretnike në vend atëherë është shumë afër mendjes që edhe kjo të jetë arsyeja e gjithë kësaj sjelljeje si në vargun e këngës së titullit: Çka ka hasmi që u prish në kokë, Zoti në qiell, unë jam në tokë?!

Ky sqarim do mund të ishte më afër mendjes nëse do dilte se thjesht pas atyre që do shpalosen nga Zaevi, shteti dhe qeveria që janë në duart e Gruevskit dhe kushërinjve të tij më nuk do mund të futej askund ku ka shqiptarë, andaj prej tash bën alibi për atë mungesë prezence të mëtejshme. Në këtë drejtim do mund të ishte edhe shpjegimi i kampanjës agresive reklamuese partiake të DMPNE-së që bëhet drejtpërdrejtë edhe në gjuhën shqipe dhe është e dizajnuar enkas për qytetarët shqiptarë të Maqedonisë. Dhe po në këtë drejtim poshtërimi i vazhdueshëm që i bëhet ortakut qeverisës shqiptar i cili injorohet me aq arrogancë aq sa përjeton që kuadrot e saja të denoncohen publikisht si njerëz që nuk ia kanë haberin ligjit.

Si përfundim, që mos dale se thamë shumë e treguam hiç, të përmbledhim këtë sqarim tjetër nga gjithë ato që u bënë tani në kohën e pritjes së “bombës”:  “Shteti është prishë në kokë nga sulmi që s’un e sqaron, Subrata që i dështon dhe vetëm ndër shqiptarë forca speciale dërgon; për të dëshmuar prezencë e cila mund ti mungojë mandej kohë të gjatë pas shpalosjes të ndonjë fakti nga “bomba” e Zaevit. Këtë e bën duke u reklamuar direkt në gjuhën shqipe dhe duke e hequr si ndërmjetësues BDI-në që e njëjta mos të përfitojë aspak nga efektet politike që mund të ia sjell diçka nga ajo bombë ose nga tentimi i BDI-së për tu paraqitur si ndonjë e brengosur për të qenë në anën e qytetarëve shqiptarë përgjatë këtij zullumi qeveritar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button