АNALIZË: Politika godet nxënësit – borxhet e komunave e tejkaluan vlerën prej 16 milionë eurosh!

Problemi me borxhet e shkollave matet me miliona euro. Sipas të dhënave zyrtare të BNJVL-së, në vend të gjitha shkollat kanë borxh të përgjithshëm prej 16,2 milionë eurosh për shkak të llogarive të papaguara për të dhënat komunale dhe rrymë, si dhe për transport të nxënësve. Përderisa nga njëra anë paralajmërohen programe evropiane dhe të sofistikuara në bazë të të cilave duhet të arsimohen nxënësit, nga ana tjetër realitetin e sistemit e kanë ndjerë mijëra nxënës – në mes të dimrit në klasa të ftohta, pa ngrohje dhe rrymë. Për këtë vit nga buxheti i shtetit në llogaritë e komunave do të përfundojnë mbi 260 milionë euro – ku dhe si harxhohen këto para? A i ngriu nxënësit politika ose menaxhimi i keq i buxheteve lokale?

Paradoksi!Libra mësimorë sipas Kembrixhit, klasa të ftohta … 

Jo vetëm llogari të papaguara për rrymë dhe ngrohje, një pjesë e drejtorëve në disa shkolla të vendit deklaruan se ka borxhe edhe për ujin e shfrytëzuar e të papaguar. Këtu janë edhe borxhet për transport të nxënësve. Sipas të dhënave zyrtare të BNJVL-së, borxhi i përgjithshëm i të gjitha shkollave për taksat e papaguara komunale dhe transportin e nxënësve është 16,2 milionë euro.

Komisioni për arsim në mbledhjen e mbajtur konstatoi se jo vetëm që nuk mund të paguhen llogaritë e mbetura, por nuk mund të paguhen as ato aktualet.

“Vazhdimisht akumulohen borxhe të reja në këtë fushë, e nuk paguhen të vjetrat, të cilave u shtohen edhe kamatat, dhe për këtë shkak një numër i madh i shkollave janë me llogari të bllokuara dhe nuk mund të sigurojnë ngrohje dhe transport për nxënësit. Më të theksuara janë problemet në komunën e Strugës dhe të Kërçovës, ku u bojkotua edhe mësimi për një kohë të shkurtër, për shkak të pamundësisë për të siguruar ngorhje për klasat.” – vlerësuan nga Komisioni për arsim.

Është e saktë se me decentralizimin, pushteti lokal është ai që i merr kompetencat dhe kujdesin për shkollat, mirëpo së bashku me borxhet. Nuk mund nga njëra anë të flasim për kualitet të arsimit e nga ana tjetër të mos sigurohen kushte elementare për punë, sqaron njëri nga ish-ministrat për arsim, profesori universitar Nenad Novkovski.

“Në aspekt të harxhimeve kryesore për arsim, për mirëmbajtje, për të dhëna komunale, nevojiten mjete, para që do të jenë të mjaftueshme që të mbulohen këto harxhime, pa marrë parasysh se çfarë modeli dhe mënyrë e financimit parashihet, në nivel lokal ose qendror. Te ne me bllok-dotacione, Ministria për arsim u transferon para komunave ndërsa ato pastaj menaxhojnë me shkollat. Mirëpo praktika tregon se shumat që transferohen nuk janë të mjaftueshme që t’i mbulojnë harxhimet reale”, thotë profesori Novkovski dhe shton:

“Ne tani kemi një ekonomi që në shikim të parë duke e madhe, me numër të madh të projekteve jofunksionale të financuara me mjete buxhetore. Problemet me të cilat ballafaqohen shkollat janë reale. Do të thoja se në fotografinë e madhe, ne bëjmë luks me projekte të panevojshme, e nga ana tjetër mbulojmë gropa.”

Këtë vit, nga buxheti i shtetit në llogaritë e komunave, gjegjësisht te njësitë e vetëqeverisjes lokale, do të transferohen gjithsej 260 milionë euro. Nga këto para, pjesa më e madhe 227 milionë euro janë bllok-dotacione nëpërmjet të të cilave servisohen harxhimet në arsim, pastaj 28 milionë euro janë dotacione si rezultat i TVSH-së, ndërsa pothuajse 5 milionë euro janë dotacione me qëllim të caktuar.

Njëkohësisht, nga buxheti i shtetit për këtë vit do të harxhohen 11,5 milionë euro për “investime në arsim”. Kështu, Qeveria planifikon 3,8 milionë euro për ndërtimin dhe rekonstruimin e shkollave fillore dhe të mesme, pastaj pothuajse 7 milionë euro për ndërtimin dhe rekosntruimin e sallave sportive dhe mbi 700 mijë euro për rekonstruimin dhe ndërtimin e konvikteve studentore.

Problemet e rënda financiare me të cilat ballafaqohen shkollat dolën në sipërfaqe në mes të dimrit – së pari kur dy shkolla nga Kërçova mbetën pa naftë për ngrohje, e pastaj e njëjta ndodhi edhe me shkollat e Strugës. Borxhi i papaguar për rrymë prej 81.000 eurosh ishte shkak se pse EVN-ja të enjten e ndërpreu rrymën, me ç’rast mbi pesë mijë nxënës ndiqnin mësim dhe klasa të ftohta dhe të të pandriçuara në Strugë. Pa ngrohje mbetën edhe 1.200 nxënës në Kërçovë. Edhe një shkollë në Ohër për shkak të llogarive të papaguara të rrymës elektrike mbeti rrymë.

Kryetari i komunës së Strugës, komunë kjo e cila është më e prekur nga ky problem, ndërprerjen e rrymës elektrike e quajti shantazh.

Nga EVN-Maqedoni dolën me një koment të shkurtër.

”Kompania i trajton në mënyrë të njëjtë të gjithë konsumatorët pa marrë parasysh a janë firma private ose institucione dhe faji për çkyçjen e rrymës elektrike nuk duhet të kërkohet te EVN-ja por te llogaritë e papaguara.” – njoftoi EVN-ja.

Përderisa nga njëra anë prej buxhetit edhe më tej harxhohen shuma milionëshe për projekte joproduktive, nga ana tjetër jemi dëshmitarë se arsimi, gjegjësisht shkollat nuk kanë para as për nevojat elementare, komentojnë analistët.

“Do ta jap një shembull. Kështu, në buxhetin për këtë vit, vetëm nëpërmjet Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta, për rekonstruimin e ndërtesave për organet qeveritare dhe për ndërtesat administrative do të harxhohen pothuajse 26 milionë euro. Nga ana tjetër për investime në arsim janë planifikuar 11,5 milionë euro”, sqarojnë ekspertët.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe profesori Novkovski.

“Patjetër duhet bërë llogaritje për atë se sa janë reale harxhimet në arsim, gjegjësisht nëpër shkolla. Hesapi i shtëpisë asnjëherë nuk përputhet me hesapin e çarshisë. Kjo që është duke ndodhur tani me llogaritë e papaguara për rrymë elektrike, është problem real nga i cili më së shumti vuajnë fëmijët. Jemi dëshmitarë se nga njëra anë promovohen projekte të mëdha e nuk ka para për gjërat kryesore, elementare. Zgjidhje së problemit duhet qasur në mënyrë serioze, t’u kushtohet vëmendje këtyre problemeve thelbësore, dhe para së gjithash, të dihet se cilat janë prioritetet për financim me para buxhetore. Duhet të hiqen të gjitha projektet joproduktive, ndërsa paratë duhet të orientohen për financimin e nevojave elementare”, thotë profesori Novkovski.

Sipas vlerësimeve të një pjese të kryetarëve të komunave, gjendja e keqe financiare në komuna, e me këtë edhe nëpër shkolla, në mënyrë plotësuese do të përkeqësohet për shkak se bllok-dotacionet nga qeveria në llogaritë e komunave mbeten të njëjta, ndërsa harxhimet e komunave do të rriten për shkak të rritjes së rrogave të arsimtarëve, që paraqet harxhim plotësues financiar për komunat. Madje 70% deri në 90% e bllok-dotacioneve përfundojnë për rroga të arsimtarëve. /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button