Regjimi përgatit ikje?!

Duket se Gruevski s’ka rrugëdalje tjetër pos të kthehet aty ku nisi karrierën e vet politike meteorike, e cila solli gjer në këso avarie katastrofale, që do të mbetet si një çmenduri në analet historike. Ai startoi si një teknokrat, që përparësi do t’i jepte zhvillimit ekonomik, por si duket e morri vala e popullaritetit dhe hyri në një film fantazmash. Sikur deshi të hyjë në histori, por i pa vetëdijshëm se lehtë përfundohet në biologji. Kur ai hetoi fuqinë e nacionalizmit si një raketë që menjëherë çon në qiell, nuk mundi t’i rezistojë sfidës, por vendosi që t’i hyp mbrapsht kalit të tërbuar. Tani pasojat i ndjejmë të gjithë, madje edhe përkrahësit e tij. Nacionalizmi, populizmi, korrupsioni, krimi i organizuar dhe mendimet e korruptuara – u bënë bashkë që lumturinë e tyre ta ndërtojnë mbi fatkeqësinë tonë. Antika kishte rolin e magjisë kolektive që njerëzit e vegjël të mund që ta shohin veten në madhësinë e hijes së mëngjesit.

Këto ditë takova një mikun tim të vjetër, një diplomat i shquar i një vendi të fuqishëm, i cili një kohë pati ndikim të madh në rrjedhat politike në Maqedoni, madje edhe në zgjedhjen e Gruevskit për lider. Atëherë ai kishte bindje se ky “djalë i ri i pangarkuar” do t’i jep një frymë të re ambientit të tejngarkuar politik. Tani dukej i dëshpëruar, madje bukur kishte në kujtesë thënien time të atëhershme se ai nuk do të ishte zgjedhje e duhur. E ja tani pas dhjetë vitesh kemi hyrë në shoqërinë e dhjetë vendeve më të varfër në botë. Kemi hyrë ndër pesë vendet më autokratike në planet. Partizimi ka zëvendësuar ligjet. Injoranca ka zëvendësuar profesionalizmin. Urrejtja tolerancën. E gjyqësia padrejtësinë. Degjenerimi kolektiv material e mental, na ka shndërruar në apatik dhe në të pandjenjë për atë që na shembet para syve tonë. Tani jemi shndërruar në turp të botës në çdo segment. CNN këto ditë publikoj se Maqedonia është vend i vetëm në botë me 30 për qind të papunësuar. Por, po ta kemi parasysh se këto dhjetë vite rreth gjysmë milion të rinj kanë braktisur vendin, përqindja do të ishte mbi 50 për qind. Diçka e paraparë në historinë e shteteve dyqind viteve të fundit!!!

“Vozhdi” karrierën e vet meteorike e ndërtoi mbi emrin, të cilit nuk duhej ndryshuar asnjë germë, duke potencuar se askush nuk mund popullit të tij t’ia “thyen kurrizin”, t’ia “shkelë dinjitetin” e t’ia “humbë identitetin”! Kurse në fakt vet humbëm njëzet vite. Dhjetë të humbura e dhjetë të tjera të pa-fituara. Rajoni që ishte shumë pas nesh që moti na është larguar. Maqedonia nga një lider rajonal integrimi u shndërrua në pacient të pashpresë. Kurse propaganda mediatike akoma vazhdon dhe ajo nuk do të mund të amnistohet nga përgjegjësia për këtë katastrofë njerëzore.

Tani hasim në shkrime për “tradhtinë” e mundshme të regjimit për emrin. Mendoj se ai duhet të lehet që ta kryejë detyrën që ka marrë (supozoj në emër të shpëtimit). Diktatorët për nga natyra janë frikacakë dhe çdo trishtim i mëtejmë i tyre do ta prolongonte ose pamundësonte zgjidhjen. Shkuarja e tyre pa zgjidhur emrin do të ishte vazhdimësi e komës sonë, pasi nga ai piedestal që ai e kanë ngritur emrin, s’ka forcë tjetër politike që do ta zgjidhte pa trauma të mëdha kolektive. Ne nuk duhet ta identifikojmë grafën “Nationality” me kombin (te evidenca e Kombeve të Bashkuara), pasi ajo ka kuptimin e shtetësisë, pra të të gjithë shtetasve që jetojnë në të. Sipas asaj logjike çka do të shënohej aty për Indinë që ka qindra popuj, apo Kinën, e shumë shtete të tjera?! Përkundrazi, regjimin duhet ta inkurajojmë, sepse edhe sikur të ketë aty ndonjë pazar të lartë për shpëtim dhe shkuarje nga pushteti pa pasoja personale e pasurore, ai lehtë mund të minohet. Edhe te gjuha ekziston formulim dytranskripcional që në esencë nuk prek identitetin. Ne vet këtu në shtetin tonë kemi formulim kushtetues ku gjuha e një bashkësie etnike zëvendësohet me numra përqindjeje! Por jeta vazhdon. Pas zgjidhjes së problemit çdo gjë do të kthehet në normale. Frika se do të humbim diçka është vetëm psikologjike, kurse humbja e vërtetë është kjo që kemi.

Pra, duket se ka ardhur koha kur pushteti do të duhet t’i korrë të mbjellat e bëra bashkë më djallin. Do të duhet të shembet politika e cila s’di se çfarë është – përgjegjësi, moral, koshiencë, drejtësi apo Zot. Duhet të rrëzohen ata që fitonin zgjedhjet kur ne të gjithë humbnim. Tani djalli troket në derë dhe kërkon hakun e vet. Borxhli nuk i është vetëm regjimi dhe qeveria, por të gjithë ne. Satanizimi fillon me Satanën dhe përfundon me të. Mashtrimet në politikë janë të ëmbla për një kohë, por të hidhura për gjithë jetën. Tani kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij partiak e koalicionues si duket veprojnë në panik. Të vetëdijshëm se gjenden buzë një gremine, lypin dalje nga shtigje që nuk ekzistojnë. Kërkojnë shpëtim nga vetvetja. Kërkojnë nga të tjerët t’i shpëtojnë nga kurthet që vet i kanë vënë. Ka ardhur koha kur më e vërteta evropiane nuk mund të zëvendësohet me rrenën antike. Kur njerëzit e gjallë nuk mund të zëvendësohen me përmendoret e vdekura. U tejkalua rezoni, normalja e logjika, kurse na mbeti vetëm absurdi. Këta djem të rinj që me çfarëdo mjeti sulmojnë gra e fëmijë nëpër rrugë e autobusë, janë epilog logjik i një politike që tani vite me radhë ushtrohet nga ky regjim i çuditshëm. Që s’kuptonte se një pikë urrejtje helmon një det tolerancë. Si duket emri ishte vetëm një rrenë e madhe që ka shërbyer për të maskuar krimin e organizuar i cili nuk mund të matet me asnjë hije. 

Lajme të ngjashme

Back to top button