Pavarësia e Maqedonisë, ndodhi pa u sqaruar mirë pozicioni etnik shqiptar

Në Republikën e Maqedonisë mungojnë angazhimet për ndriçimin shkencor të së drejtës së shqiptarëve për status shtetformues në rrafshin konstitucional, duke e mbështetur atë në sfondin historik dhe duke pasur parasysh gjithësaherë strukturën reale demografike interetnike në këtë republikë. Ç’është e vërteta, Republika e Krushevës (1903) paraqet burim të drejtpërdrejtë për shteformësim të shqiptarëve, meqenëse në të ata u paraqitën si subjekt shtetëror dhe element shtetformues.

Përpjekja që u bë për një përparim të pozitës së shqiptarëve në këtë republikë me zgjidhjet kushtetuese të vitit 1974 nuk u jetësua në praktikë dhe nuk qe as për së afërmi në përputhje as me parimet e proklamuara kushtetuese dhe as me standardet e së drejtës ndërkombëtare. Edhe deklarimi i pavarësisë së Maqedonisë ndodhi pa u sqaruar mirë pozicioni i etnikumit shqiptar dhe pjesëmarrja e tij në rregullimin kushtetues të këtij vendi, pa u përkufizuar premisat dhe raportet brendapërbrenda formacionit të ri shoqëror.

Për pasojë, regjimi sllavomaqedonas nuk ndërtoi një qëndrim të drejtë ndaj shqiptarëve etnikë dhe nuk njohi të drejtat elementare të tyre, duke mos ngritur një mekanizëm konsensual që do të mund të ndalonte mundësinë e majorizimit të shqiptarëve dhe të të drejtave të tyre që, formalisht, u njiheshin më parë, me gjithë pamundësinë e realizimit të tyre në praktikë. Në këtë mënyrë,
Kushtetuta e Maqedonisë e vitit 1991 u bë gjeneratori themelor i krizës në raportet shqiptaro-sllavomaqedonase, për shkak të pozitës denigruese kushtetuese e juridike të shqiptarëve në të, në mënyrë të veçantë për shkak të trajtimit të tyre si pakicë kombëtare. Duke u nisur nga nevoja e avancimit të pozitës kushtetuese e juridike e shqiptarëve në Maqedoni dhe njohja e të drejtës së tyre për të qenë subjekt i barabartë me sllavomaqedonasit në këtë republikë, bashkësia ndërkombëtare u angazhua për një “marrëveshje historike” ndërmjet sllavomaqedonasëve dhe shqiptarëve që, megjithatë, qoftë me parimet dhe zgjidhjet, dhe në mënyrë të veçantë, me zbatimin e tyre në praktikë, nuk arsyetoi kualifikimin që iu dha. Marrëveshja e Ohrit nuk i promovoi shqiptarët si popull autokton, me tipare të theksuara demografike të numrit të tyre dhe të koncentrimit të lartë dhe të gjerë në trojet e veta etnike si dhe të përbashkëta jetësore në këtë republikë dhe, mbi këtë bazë, konservoi për ta statusin denigrues të “pakicës kombëtare”, madje “pa i përmendur fare”, përveç se në kuadër “të bashkësive” që përbëjnë “shtetin multietnik”, edhe pse shqiptarët, në fakt, përbëjnë grupin më të shquar etnik tek i cili është rritur vetëdija se ai është subjekt politik që, si krejtësisht i barabartë me popullin maqedonas, ka të drejtë të jetë bartës i sovranitetit dhe shtetformues, kështu që Marrëveshja e Ohrit nuk e eliminoi shkaktarin themelor të krizës në Maqedoni – trajtimin e shqiptarëve si minoritet.
Marrëveshja, në parim, “e përligji” pranimin e kufizuar të gjuhës shqipe si “gjuhë e dytë zyrtare”, edhe pse “pa e përmendur fare”, përveç se në kuadër të “cilës do gjuhë tjetër të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullsisë”, me gjithë faktin se gjuha shqipe dhe shkrimi i saj, përbëjnë gjuhën dhe shkrimin e rreth dyzet për qind të popullatës së përgjithshme që jeton në këtë republikë dhe se, mbi këtë bazë, gjuha dhe shkrimi shqip “përmbushin të gjitha standardet” që të jenë krejtësisht të barabarta me gjuhën dhe shkrimin maqedonas. Marrëveshja parashikoi “ndërmarrjen e aktiviteteve konkrete për zgjerimin e përfaqësimit të pjesëtarëve të bashkësive të cilat nuk paraqesin shumicë në Maqedoni, si në administratën shtetërore, ushtri dhe ndërmarrje publike, ashtu dhe në përmirësimin e qasjes së tyre në financimin zhvillimor dhe aktivitetet punuese”, pa i përmendur, edhe me këtë rast shqiptarët, në mënyrë të veçantë, të cilët, ç’ është e vërteta, nuk janë fare të përfaqësuar ose janë të përfaqësuar në përqindje fare të pakonsiderueshme, edhe pse, në fakt, me numrin e përgjithshëm të tyre, përbëjnë një fuqi të rëndësishme popullatave në këtë republikë, nga e cila mund të rekrutohen, barazisht me maqedonasit, nëpunës dhe kuadro udhëheqës në administratën shtetërore, ushtri dhe ndërmarrje publike, edhe pse janë faktor i rëndësishëm dhe plotësisht i barabartë politik, ekonomik, shoqëror, demografik, madje dhe rekrutues-ushtarak, me maqedonasit, të cilët paraqitën si “popull shumicë” në këtë republikë.

Sado që Marrëveshja e Ohrit rezultoi “me një çast frymëmarrjeje” të shqiptarëve, ajo, në të vërtetë, vetëm sa hapi një proces të kërkimit të të drejtave të tyre legale dhe të ligjshme kombëtare. E ardhmja e Maqedonisë mund të ndërtohet vetëm me ripërkufizimin e saj si shtet i popujve që nënkupton njohjen e subjektivitetit shtetformues dhe kushtetues e juridik të barabartë të popullit shqiptar në Maqedoni, si pikënisje për nxjerrjen e një kushtetute të re të saj. Në Maqedoni duhet të vendoset një koncept i ri shtetëror “që pamundëson dominimin sistemor të një etnikumi mbi tjetrin” dhe që i cilëson shqiptarët si popull autokton, ai pjesë integrale e popullit shqiptar në Ballkan, në hapësirën kontinuele gjeografike ku ai jeton në shumicë etnike, pra që nuk i cilëson si “pakicë kombëtare”, por si popull me të drejtën e vazhdueshme dhe të pashteruar të vetëvendosjes kombëtare. Avancimi i statusit kushtetues e juridik të shqiptarëve në Maqedoni mbështetet mbi një numër faktesh të pakontestueshme historike, politike dhe kushtetuese e juridike.

– E para, shqiptarët në Maqedoni kanë qenë gjithmonë, pra historikisht, element konstitutiv i shtetësisë së Maqedonisë, nga Republika e Krushevës (1903), ASNOM (1944) dhe Kushtetuta e Maqedonisë (1974).
– E dyta, statusi i shqiptarëve duhet vështruar, duhet shtruar dhe duhet zgjidhur, mbi bazën e këtyre determinanteve historike, politike dhe kushtetuese e juridike: se ata jetojnë në trojet e veta etnike dhe janë popull autokton në ato troje; se ata i veçon kompaktësia e tyre etnike, territoriale, historike, kulturore dhe gjuhësore;se ata në trojet e veta etnike janë popull shumicë; se ata nuk janë dhe se nuk mund të trajtohet si “pakicë kombëtare” : as përnga numri i popullsië së përgjithshme; as për nga shkalla e vetëdijës kombëtare dhe as për nga zhvillimi shpirtëror dhe kulturor i tyre.
– E treta, shqiptarët në Maqedoni përbëjnë një grup të shquar etnik dhe vetëdija e tyre mbi përkatësinë asaj bashkësie të vjetër etnike nuk mund të injorohet njëanshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button