Kampionja ballkanike, ‘Bleri’ pritet nga Teuta Arifi

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në mënyrë solemne sot në hapësirat e Komunës ka pritur kampionen e dyfishtë të xhudos, Blerina Seferi.

Kryetarja Arifi përgëzoi Blerinën për sukseset e saja në fushën e sportit dhe në emër të qytetarëve të Tetovës iu falënderua për përfaqësimin dinjitoz i cili është fryt i edukatës, vullnetit dhe punës së palodhshme të saj. 

Ndërkohë, talentes shqiptare i premtoi përkrahje në aktivitet e saja të ardhshme duke i dëshiruar suksese edhe më të mëdha. Nga ana tjetër, e gëzuar me këtë pritje institucionale ishte edhe vet Blerina Seferi.

“Për mua ishte nder të takoj kryetaren Teuta Arifi e cila më përgëzoi për rezultatet e mija. Mu premtua përkrahje, kurse unë i premtoj se do t’ia kthej me rezultate duke prezantuar me sukses Tetovën dhe shqiptarin kudo që shkoj”, tha Blerina. Në fund Teuta Arifi i ndau Seferit një pllakat me stemën e Komunës së Tetovës. 

Ndryshe, Blerina Seferi është anëtare e Ipponit, kurse jeton dhe vepron në Hamburg të Gjermanisë. Gjatë karrierës së saj ka marrë pjesë në shumë gara ndërkombëtare dhe në të gjitha është kthyer me suksese. Rezultati i saj i fundit ishte para dy javëve kur edhe fitoi medaljen e artë ballkanike në Turqi. 

Lajme të ngjashme

Back to top button