Fotot me helikopter nga italianët: Vetëm në Lazarat janë mbjellë 4.5 miliardë euro drogë

Një zyrtar i lartë i Guardia di Finanza-s italiane deklaroi dje në Tiranë se zona e Lazaratit vazhdon të ketë një potencial “të frikshëm” në kultivimin e lëndës narkotike.  Komandanti i repartit të aviacionit të Guardia di Finanza- s italiane, Stefano Bastoni, theksoi dje se gjatë monitorimit nga ajri edhe këtë vit në Lazarat janë identifikuar 319 hektarë tokë të mbjella më Cannabis sativa.

 “Është identifikuar në mënyrë tejet të detajuar ajo që nga qielli duket si një sipërfaqe e vetme prodhimi, zona e Lazaratit, e cila e vetme ka 319 hektarë terren të kultivuar me Cannabis sativa, e barabartë me po kaq fusha futbolli, që prodhojnë afërsisht 900 tonë produkt të përfunduar, të cilët të hedhur në tregun europian me një çmim prej 5 eurosh grami, do të vlente 4.5 miliardë euro”, tha zyrtari italian. 

Ai bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë shqiptare, Hysni Burgaj, bënë publike rezultatet e fazës së parë të monitorimit dhe goditjes së zonave që kultivojnë kanabis në vend. Duke folur në lidhje me monitorimin e kryer nga avionët italianë për llogari të Policisë shqiptare, kreu i Forcave Ajrore të Guardia di Finanza-s tha se janë të paktën 304 plantacione të lokalizuara në zonat e Gjirokastrës, Vlorës, Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës. 

Shifrat janë rezultat i një misioni dymujor fluturimi të avionëve italianë në gjithë Shqipërinë, me qëllim monitorimin e zonave problematike në kultivimin e drogës. “Përmes të dhënave të marra në dy muaj në 25 misione fluturimi, janë monitoruar 3618 kilometra katrorë sipërfaqe, e barabartë me afër 12.5 për qind të sipërfaqes së Shqipërisë.

Përpunimi i të dhënave ka bërë të mundur identifikimin me një saktësi maksimale të 304 plantacioneve, të cilat prodhojnë afërsisht 4.5 tonë produkt final”, tha zyrtari i Guardia di Finanza- s. 

Mësohet se imazhet e marra nga ajri janë kryqëzuar e ballafaquar edhe me të dhënat e një sateliti të huaj që ka monitoruar Shqipërinë muajt e fundit./Panorama

 

Lajme të ngjashme

Back to top button