DUNA

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve…

E kemi pasur një arë te “Duna”. Atje rritej misri më shumë se një boj njeriu, kurse disa plepa të lartë e të bukur shiheshin së largu. Ne si fëmijë kishim dëshirë të shkonim atje, se këndej, nëpër shelgjishte dilej më lehtë në Moravë për t’u larë. Më vonë lumi e mori një pjesë të shelgjishtes dhe atëherë në arën tonë mbollën lakra. Kurse shtrati i lumit ishte larg… Mirëpo vallët vazhdimisht e gërryenin bregun. Ne vumë drurë e trina… E bëmë një pendë në një gjatësi të madhe me dhe e me gurë duke hetuar rrezikun. Uji megjithatë e merrte edhe këtë me lehtësi. “Ore, do të na e marrë edhe arën një ditë”, thoshte im gjysh. “Eh, po na e marrka! A s’po e sheh sa larg është”? E kur shkova tash, para do koshash e pas tridhjetë vjetësh përsëri te “duna” ara jonë s’ishte më aty. Uji e kishte nxjerrë në anën e Pozharevcit. S’janë as ata plepat e lartë. Vetëm misri rritet më shumë se një boj njeriu, por tash në anën tjetër, në bregun tjetër.

Kjo dunë e jugut do ta ketë fatin e njëjtë pas njëzet, tridhjetë vjetësh. Valët po e gërryejnë palodhshëm dhe për punën e tyre janë në pozitë më të volitshme, që nuk veprojnë qosheve, por për mjedisi. Toka ngadalë dalëngadalë po tretet dhe kalon në bregun tjetër. Në fshatin Petrovec të Shkupit, madje një arnautth (një shqiptar i vogël) e deklamoi Tanasko Rajiçin për Sveti Savën. E kudo ku ka shkolla, gumëzhinte në të njëjtën kohë “Këndoni ju o serbë për të dhe trefishojeni…”

Ka njëfarë ndikimi të mallëngjyeshëm dhe sugjestiv nga kjo këngë. Nuk ka njeri që di shkrim e lexim e të mos i dridhet në shpirt një ndjenjë e thellë e fshehur me melankoli dhe me lumturi. “Ah sikur ta kishim sveti Savën”! klithi një herë z. Trumbiçi. Po megjithatë më pak shkolla ka atje ku duhen më së shumti, në Bregallnicë. Ajo që shënohet  atje me vetëdije në publik janë kryesisht ushtarët që e kanë kryer obligimin. A mendoni se ata me sveti Savën kanë shkuar në Kazermë?

Shkolla po ngrihet kohëve të fundit, mirëpo kjo mund të bëhet më shpejt, më me ngut, dhe më me shumicë. Në qarkun e Zveçanit për një kohë të shkurtër u bënë dymbëdhjetë shkolla fillore. Kjo punë është për lëvdatë dhe për mostër. Po nuk ndodh gjithmonë kështu.  Në shumë vende janë të kënaqur kur secila komunë e fiton ndërtesën komunale. Ndërkaq aq shumë fshatra të mëdha ka, e s’kanë shkolla. Aq fëmijë mbeten analfabetë në kohën kur po flitet për hiperproduksion mësuesish. Asnjëherë nuk mjaftojnë shkollat fillore.

Gjimnazet po. Së paku ato ku japin mësim rusët dhe ku pa dyshim e haptas krijohet proletarijati mendor. Ka qenë çështje e madhe se a ka vendin fakulteti i Shkupit në Shkup dhe a kanë horizonte të mjaftueshme arsimtarët e gjimnazeve që dalin nga aty. A mundet të ndërtojë Shkupi ndonjë kulturë dhe çfare, ta formojë personalitetin plotësisht të aftë për aksion kombëtar e shkencor? Në bazë të statistikës thanë se gjysma e studentëve janë vendas, kurse gjysma tjetër janë fëmijë nëpunësish; se ka kaluar ajo koha e parë kur regjistroheshin njerëzit sa për ta anuluar obligimin kadrovik; se paska nxënës të vyeshëm pikërisht nga jugu dhe se hartimet e sivjetme në temë për sveti Savën kanë qenë më të mira se ato të viteve të mëparme. Kështu një gjilanas dhe dy kratovas kanë bërë hulumtime antropogjeografike; i pari në Moravën e Epërme, kurse dy të tjerët në rajoni e Kratovës e Zletovës dhe në zhupën e Slavishtes. Edhe z. Cvijiçi, thanë, paska qenë i kënaqur me rezultatet e fituara sipas metodës së tij.

Pra gumëzhijnë valët në dunë ndonëse kjo gumëzhimë do të kishte qenë më e zëshme, kurse goditjet e valëve më të forta.

            Të gjithë ndikimin tjetër e bën jeta me ecurinë e tij të fuqishme e të pa sistemuar. Edhe  sallavat e solemnitetet edhe takimet e vrazhda ditore edhe lidhjet farefisnore edhe nadleshtvat (kompetencat) edhe shtypi edhe komunikacioni, gjithçka pra në saje të rrethanave është në shërbim të idesë së njëjtë.

Njëherë e përgjithmonë, më në fund, duhet të gjithëve t’iu bëhet e qartë se siç nuk mund të bëhet ndërtesa e madhe pa themele, as Jugosllavia e madhe nuk mund të bëhet pa kurriz. Kurse kurrizi i saj është lugina e Moravës dhe Vardarit. Të gjitha unazat e tij duhet të jenë të sigurta në çastin e hyrjes në bashkësinë e përbashkët. Më në fund gjithçka do të përfundojë ashtu si paralajmëron rrjedha historike. Dhe kur na sulmoi këtu para do kohësh nga “Vardari” “Nezavisimosti bullgar që në

fletushkën tonë sjellkemi gjëra beletristike në dialektin “maqedonaso-bullgar”, se ai nuk mund të shkruheshka, po thonë, “sa srpski buki”, ne iu përgjigjëm kështu: se dialekti maqedonas është dialekt i gjuhës serbokroate prandaj mund të shkruhet vetëm me shkronja serbe. Dëshmia më e mirë për këtë është vetë “Nazavisimosti”, i cili nga shkrimi ynë “Kolendrat” nuk kish mundur madje as t’i kopjojë fjalitë, nga shkaku i thjeshtë se bullgarët nuk kanë q e ç. Prandaj ai ka shkruar “Ja ke mu kazhem”, në vend të “ja qe mu kazhem”, siç flasin maqedonasit. Pastaj ne edhe bullgarishten e konsiderojmë si dialekt tonin, kurse edhe ne atyre u lejojmë që gjuhën tonë ta konsiderojnë si ne të tyren. Dhe, më në fund nuk do të kalojnë as pesëdhjetë vjetë ndërsa “Nezavisimosti” do të shkruajë siç bën sot “Politika” në Beligrad” dhe “Obzori” në Zagreb. Ndoshta kësaj reviste i ka shkuar mendja për këtë profeci dhe prandaj e mbylli gojën.

Dhe si në atë dunën tonë në Moravë po ashtu edhe në këtë në jug ka njerëz ka njerëz të cilët vazhdimisht venë hunj dhe bëjnë penda prej dheu e prej gurësh që mos ta marrë uji. Këta janë makedonstvujushçët, serbë ose sllavë të bullgarizuar, si të doni, të cilët për hesap të qeverive bullgare u përpoqën dhe po përpiqen ende aty-këtu ta pengojnë procesin e domosdoshmërisë historike. Aksioni i tyre ilegal i cili i shqetësonte viset tona kufitare në lindje, është sot vetëm një hap i pamenduar, i cili u bënte dëm edhe atyre edhe popullsisë sonë ndaj së cilës treguan pretendime, por edhe vetë politikës zyrtare bullgare. Për këtë rrethanë u foli ditëve të fundit edhe miku i tyre i madh Milukovi. VMRO-ja ishte e detyruar të mbrohet në “Slovo” nga ankesa se me aksionin e saj e pengon qeverinë bullgare për zhvillimin e pavarur të politikës së jashtme.

Ky aksion pësoi mossukses, tashmë duket qartë. Një krim më të madh prej atij në Maqedoninë serbe, ajo bëri në Greqi. Sepse ata të cilët e udhëhiqnin atë, derisa te ne bënin terror, në anën greke i këshillonin njerëzit të shpërngulen dhe kështu i zhveshën viset bregdetare nga popullsia sllave, qofshin ata serbë apo bullgarë. Historia do të duhet ta njollosë këtë verbëri të njerëzve të ekzaltuar, të cilët nga urrejtja ndaj fshatit i kanë prerë duart e veta.

Ata përbrenda, “veprimtarët legalë” të cilët për fat nuk janë shumë, edhe vet e hedhin ndonjë gur duke kthyer kokën prapa të shohin a duket apo jo. Shushurijnë nëpër tavane, bërbërojnë nëpër mëhalla, hedhin parulla separatiste. Shtiren sikur synojnë bashkimin e forcave vendore për shkak të mbrojtjes së interesave të jugut. I kruajnë plagët para se të mbyllen, pastaj vrapojnë e arsyetohen para autoriteteve, të pamit e të cilëve nuk është në nivel të duhur. Pranë tyre gjithmonë gjendet ndonjë kandidat për deputet, i cili fryhet se po ata njerëz do ta nxjerrin atë në shpinë. Mirëpo nuk mund të kenë sukses ose suksesi momental nuk mund të ketë vlera më të mëdha, për shkak se së pari angazhohen për një ide të ngushtë të dënuar për të dështuar, kurse nga ana tjetër ata janë materialistë. Ai i cili e ka ideal groshin vështirë është të parashihet se do të mund ta djegë vetveten për shkak të interesave të të tjerëve. Përkundrazi do të shërbehet me rastin e parë që shtëpinë e tij të rabatit t’ia shesë shtetit për postë për të holla të majme.

Si do që të jetë ne jemi bashkëkohës të një procesi interesant. Duk qëndruar në dunë e dëgjojmë goditjen e lehtë të valëve dhe na bëhet se dhe shumë ngadalë rrëshqet. E jo më larg se fëmijët tonë do t’ia dëgjojnë zërin kësaj punës së arës mbi dunë – nuk do të mund t’ia gjejnë gjurmën askund.

LEXO PJESËN PARAPRAKE -“AKSIONI” LEGAL

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button