Prokuroria: Ja si i vrau katër vetë Konstandin Xhuvani

Prokuroria e Tiranës pritet të kërkojë sot në gjykatë masën e sigurisë arrest me burg për Xhuvanin, i dyshuar si autor i vetëm i katër vrasjeve. Policia gjeti mbetje baruti në duart e tij si dhe gjurmët e gishtërinjve të të arrestuarit në armën e krimit.

Dy ditë pas vrasjes së katër personave në një lokal nate në Tiranë, prokuroria ka përgatitur aktet e para që kanë të bëjnë me hetimet për vrasjen e katërfishtë në lokalin e natës në rrugën e Elbasanit, ku është i akuzuar Kostandin Xhuvani.

Dosja me aktet aktuale është përgatitur nga hetuesit e Prokurorisë së Tiranës dhe sot pritet që prokurori i çështjes të kërkojë masën e sigurisë arrest me burg për Xhuvanin, përpara Dhomës Penale të Gjykatës së Tiranës.

Në një deklaratë të dhënë nga prokuroria gjatë ditës së djeshme në lidhje me hetimet e kryera deri më tani Prokuroria dha detaje në lidhje me faktet e siguruara.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, rezulton se katër viktimat Edison Jahaj, Ena Xhaj, Arbër Demiraj dhe shtetasi italian Xhampaolo Acola (Giampaolo Azzola) janë qëlluar nga një armë zjarri e vetme, pistoletë e cila dyshohet se është shkrehur prej 26-vjeçarit Kostandin Xhuvani, djali i deputetes socialiste Luiza Xhuvani, e dorëhequr tashmë nga funksioni.

Ky konkluzion i hetuesve është nxjerrë pasi vetëm në dorën e tij janë gjetur mbetje bloze si ajo që lë baruti i djegur nga armët.

Pistoleta me të cilën është kryer vrasja e katërfishtë është gjetur e hedhur përdhe pranë vendit ku Xhuvani u kap, nga efektivët e njësisë “Shqiponja”.

Prokuroria e Tiranës ka zbardhur detajet nga ngjarja e ndodhur rreth orës 04:20 të së martës me 4 nëntor në barin “Ante Grand” në rrugën e “Elbasanit”.

Sipas prokurorisë rezulton se Salla Operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë është njoftuar nga një telefonatë se në vendin e quajtur rruga e “Elbasanit” në lokal “Ante Grand” ka ndodhur një konflikt i armatosur.

Menjëherë autopatrulla e Komisariatit të Policisë nr.1 , e cila është gjendur më pranë ka shkuar në afërsi të lokalit ku në rrugën kryesore ka konstatuar një automjet “Mercedez- Benz” ML me targa TR 0250 N, në të cilin po hipnin disa persona. Autopatrulla bllokoi mjetin “Mercedez- Benz” ML. Në ketë moment një person i veshur me kostum tuta gri ka dalë nga automjeti dhe është larguar me vrap duke mbajtur një pistoletë në dorë.

“Ky person është ndjekur nga punonjësi i policisë, i cili pas rreth 50 metrash e ka neutralizuar personin e veshur me tuta gri. Pas shoqërimit në polici dhe verifikimit të identitetit ka rezultuar se ky person është shtetasi Kostandin Gjergj Xhuvani, 26 vjeç”, deklaroi organi i akuzës. /shekulli/

Lajme të ngjashme

Back to top button