Të gjitha fobitë maqedonase

Në Maqedoni asnjë faktor nuk prodhon paqe si feja islame. Të gjithë, në njëfarë mënyrë, janë destruktivë, përveç islamit dhe pjesëtarëve të devotshmëm të tij, të cilët, gjithsesi që angazhohen për jetë të dinjitetshme, për të drejta dhe trajtim njerëzor

Në fakt, te maqedonasit e sotëm janë dy fobi që vërehen qartë: albanofobija dhe islamofobija! Ky kompleks nacional maqedonas shërimin e ka te ky konstatim: bindja se shqiptarët nuk janë të orientuar kah armiqësia dhe se nuk do të hakmerren kurrë për atë padrejtësi të ushtruar dekada me radhë dhe, nga bindja se, shqiptarët gjithmonë kanë falur për hir të një bashkëjetese në të mirë të të gjithëve. Tërë bota e civilizuar tashmë e kanë këtë bindje për shqiptarët, me përjashtim të maqedonasëve në rastin konkret.

Kjo fobi kolektive, fatkeqësisht, gjithnjë e më shumë po shtetëzohet, apo, po institucionalizohet dhe si e tillë po manifestohet në mënyrë tepër transparente, pa llogaritur se, ky acid i urrejtjes raciste po hidhet mbi më shumë se gjysmën e popullatës së Maqedonisë! Nuk ka mal pa ujk! Tani, logjika fobike maqedonase thotë se, duhet zhduket tërë kopeja me qëllim që ujku të mos sillet këndej!

Këto ditë, në Fakultetin për siguri, pranë Universitetit të Manastirit, në një rast akademik, alamet akademikësh “ligjëruan” mbi rrezikun e islamit të shqiptarëve të Maqedonisë që po iu kanoset maqedonasëve dhe “shtetit të tyre”! Nën pretekstin e “islamit politik” dhe rrymave ideologjike “islame” u prezantua një studim-analizë e thuktë që i ishte bërë, veç të tjerash edhe Bashkësisë Fetare Islame në RM. Natyrisht, nënteksti i këtij studimi thotë “gjarpëri duhet goditur në kokë”! Koka e të këqiave në Maqedoni, sipas perceptimit të organeve shtetërore për siguri, na qenka BFI-ja! Dhe, gjatë debatit naiv, duke u inkuadruar “akademikë” që kanë përgjegjësi sigurimin e vendit, u nënvizua se, tashmë në këto organe shtetërore për siguri është krijuar njësi e veçantë që merret me përcjelljen e “islamit politik” në vend, me aktivitetet e BFI-së, me lidhshmërinë e BFI-së që ka me partitë politike shqiptare si dhe me partitë politike shqiptare që përmes fesë islame tentojnë të sigurojnë elektorat, gjegjësisht, pushtet! Do me thënë se, me çdo kusht duhet të krijohet perceptimi i përgjithshëm se, e keqja e Maqedonisë është feja islame, BFI-ja dhe muslimanët e vendit që dominohen prej shqiptarëve, apo prej “irredentistëve dhe seperatistëve shqiptarë”, siç i paska quajtur profesori i Fakultetit për siguri, i cili, madje, ua kishte marë për të madhe miqve ndërkombëtar të shqiptarëve që mundësuan arritjen e “Marrëveshjes së Ohrit”!

Në botë ka shumë shtete, ja kështu, me “kaçik zogu” siç është edhe Maqedonia, të cilët, duke ofruar përkrahje ekskluzivisht morale (sepse aq është kapaciteti i tyre) në fakt rreshtohen në krahun e shteteve të fuqishme që i luftojnë organizatat terroriste që manipulojnë nën emrin e fesë islame, siç janë Al Kaeda, ISIS-si etj. Maqedonia nuk do vetëm të rreshtohet, por edhe praktikisht të lajë hesapin me “isis-in” në Maqedoni, gjegjësisht me shqiptarët shumicë e muslimanëve të vendit.

Pothuajse, qind për qind e shqiptarëve të Maqedonisë deklarohen dhe angazhohen për ruajtjen e islamit autokton nga çfarëdo ndikimi ideologjik e fraksionist. Shqiptarët janë popull i veçantë, i dallueshëm prej muslimanëve të botës, me civilizim, traditë e kulturë autoktone e të veçantë prej të tjerëve, ndaj, si të tillë, për më të madhin kjamet nuk do të pranonin që të tëhuajësoheshin apo të kalonin në taborrin e komuniteteve problematik. Shqiptarët janë popull i paasimilueshëm. Fundja, kjo dëshmohet edhe përmes proceseve historike të 2000 e ca viteve të fundit. Ndonëse nën robëri e të shtypur në mënyrë permanente, shqiptarët nuk hoqën dorë për asnjë çmim nga identiteti i tyre kombëtar. Euforitë ideologjike gjithandej nëpër botë kanë ngrënë koka të huaja në vend të huaj. Gabim fatal, por që ky gabim gjithmonë kuptohet, edhe pse me vonesë. Gabim ishte edhe shkuarja dhe vdekja e shqiptarëve në luftën civile të Spanjës.

Në Maqedoni asnjë faktor nuk prodhon paqe si feja islame. Të gjithë, në njëfarë mënyrë, janë destruktivë, përveç islamit dhe pjesëtarëve të devotshmëm të tij, të cilët, gjithsesi që angazhohen për jetë të dinjitetshme, për të drejta dhe trajtim njerëzor. Feja islame dhe muslimanët e Maqedonisë (prej të cilëve mbi 80 për qind janë shqiptarë) ndonëse shpesh kanë ndjerë në trup e shpirt plagë shoveniste e raciste,  kokëulur i kanë duruar vetëm për hir të paqes e bashkëjetesës. Deri më sot popullit ortodoks (që në shumicë janë maqedonasë) nuk u kanë shkaktuar qoftë edhe një gërvishje!

Konjukturat politike dhe akademike maqedonase, nën narkozën e strategjive të mbrapshta serbe, gjithmonë janë angazhuar që të krijojnë një armik kujdestar, sepse kjo, sipas mentalitetit të tyre mesjetar, do t’i bënte si popuj të përvuajtur, si “popull i Hyjit” që duhet të ndihmohet për t’u shkarkuar nga këto vuajtje që u shkaktohen nga “populli problematik”! Falë Zotit, shqiptarët në grahmën e fundit gjithmonë kanë arritur të dëshmojnë se synojnë çlirim nga këto mentalitete mesjetare dhe ngjitje krah atyre popujve dhe vendeve perëndimore ku liria, paqa, të drejta, dinjiteti dhe respekti janë kategori të shenjta. Këto kategori janë plotësisht në përputhje me parimet islame, por edhe me kodin etnik të shqiptarëve.

Muslimanët e Maqedonisë, të cilët në shumicë janë shqiptarë, kanë vetëm, një problem: islamofobinë dhe shqiptarofobinë maqedonase. Shqiptarët e këtushëm nuk kanë nevojë për sektore të posaçme e për shërbime sekrete në të cilat do të analizoheshin hipotetikisht maqedonasit dhe kisha e tyre ortodokse, rreziku që u kanoset prej ortodoksizmit. Sepse ky fakt vërehet edhe nga lartësitë fantomike. Xhamitë e uzurpuara (në Shtip), objektet islame të përdhosura me kryqe (Prilep e Manastir), refuzimi kategorik i ndërtimit të xhamisë që e dogjën maqedonasit ortodoks (Prilep), diskriminimi flagrant në kthim të pronave të nacionalizuara e të uzurpuara të BFI-së, vënia e kryqeve gjigantë me porosinë se “ky vend është ortodoks dhe u përket vetëm maqedonasëve”, moslejimi i regjistrimit të medresantëve nëpër fakultetet shtetërore, mosfinancimi i institucioneve edukativo-arsimore islame në vend, prezenca e klerit ortodoks dhe shenjtërimi i çdo gurthemeli të institucioneve shtetërore e publike etj. etj., nuk flasin për islam politik, as për radikalizëm islam dhe as për islamizim të politikave shqiptare por, flasin ekskluzivisht për politikë shtetërore ortodokse, për radikalizëm ortodoks si dhe për përpjekje për ta ortodoksizuar realitetin faktik të Maqedonisë. Këto janë fakte që hasen edhe nëpër raportet ndërkombëtare mbi situatat dhe gjendjen në këtë shtet. Në parantezë – cilat organe dhe cilët akademikë maqedonasë do të kishin lejuar apo stimuluar ndonjë studim mbi ortodoksizmin politik dhe mbi rrezikun që i kanoset shoqërisë nga KOM-i i uzurpuar prej qarqeve politike aktuale?! Tash e tutje këtë do ta kërkojë BFI-ja gjithandej, në çdo takim me faktorët e vendit si dhe me ata ndërkombëtar.

BFI-ja në mënyrë shumë të qartë është prononcuar për sa i përket ideologjive, politikave dhe rrymave fetare që në Maqedoni veprojnë nën petkun islam e që gjithmonë i ke palë të organeve shtetërore në përpjekjet e parreshtura për ta ngulfatur veprimtarinë e BFI-së si dhe për t’i shpërfytyruar shqiptarët si “qenie problematik” që aderojnë nëpër të tilla “ojq”! BFI-ja në mënyrë shumë të qartë ka shprehur qëndrimin e vet për sa i përket “luftëtarëve të gjorë” nga Maqedonia që marrin pjesë nëpër frontet e ISIS-it dhe se fuqishëm garanton që në mesin e muslimanëve të Maqedonisë nuk mund të ketë ndonjë “degë” a “pipth” të ISIS-it. Ndërsa këtë bindje dhe këtë garancë nuk e shpreh, për shembull, KOM-I, sepse është këmbë e kokë e zhytyr në hartimin e politikave ditore të pushtetarëve maqedonasë.

Bashkësia Fetare Islame e RM-së, ka të gatshëm projektin për zhvillimin e një fushate të gjerë sensibilizimi të muslimanëve të vendit për ta refuzuar aktivitetin djallëzor të “isisave”! Ky projekt parasheh fushatë sensibilizuese publike të shoqërisë dhe të shtetit tonë në raport me familjarët e atyre “luftëtarëve të gjorë” që ose janë në fronte ose kanë rënë nëpër fronte. Ky projekt do të synojë ofrimin e përpjekjeve të intergruara për rehabilitimin dhe riintegrimin social dhe ekonomik të gjithë atyre që, dhëntë Zoti, do të rikthehen pranë gjirit të tyre familjar. Në këtë mënyrë, këto përpjekje do të ndihmojnë jo vetëm familjet e prekura por dhe komunitetet lokale ku jetojnë këta “luftëtarë” nga pasojat negative që mund të sjellë përfshirja në këto luftra të pakuptiumta. Me këtë rast, ftojmë publikisht edhe organet shtetërore por edhe faktorin ndërkombëtar në vend që të na bashkangjitet në këtë projekt. Ka hapësirë të mjaftueshmë pune në këtë fushë për të gjithë për të dhënë kontributin e vet, me qëllimin final jetë më të mirë për komunitetet lokale në Maqedoni. Ne, si BFI, iu bashkangjitëm pa kurrfarë hezitimi apelit për ta përkrahur dhe miratuar ligjin i cili i sanksionon të gjithë individët që do të marrin pjesë nëpër luftërat e huaja. Sepse ne jemi Institucion fetar dhe i pjesëtarëve të saj paqësor.

(Autori është Kryetar i BFI-së në RM)

Lajme të ngjashme

Back to top button