Xhuvani-policit: Të laj në ar po më le të iki

Dy policë janë përballur me Kostandinin kur ai po largohej nga vendgjarja, ndërsa ai i ka kërcënuar se po e ndaluan i kanë jetën borxh. “Panorama” citon edhe fjalët e tij, kundrejt efektivit të Policisë së Tiranës.

Dy oficerë të policisë janë përballur me Kostandin Xhuvanin, në kohën që ky i fundit po përpiqej të largohej nga vendi i krimit. Raportohet se ai është pikasur me pistoletë në dorë, por karikatorin e kishte hedhur poshtë.

Ai i ka thënë që ishte djali i Gjergj Xhuvanit, ndërsa efektivi i ka kthyer përgjigje duke i thënë se ishte djali i deputetes Luiza Xhuvani.

“Po, edhe djali i asaj jam. Por nuk duhet të më ndalosh. Unë kam vrarë dy veta. Po më ndalove më ke jetën borxh. Më thuaj sa ar do që të më lësh të iki?”, i është drejtuar Xhuvani efektivit të Policisë së Tiranës.

09:41 – Dëshmitari: Para masakrës viktimat dhe Xhuvani pinë bashkë

“GSH” ka zbardhur një prej dëshmive që është dhënë në lidhje me vrasjen e katër personave në Tiranë. Një prej dëshmitarëve okularë ka thënë para prokurorisë se viktimat dhe Kostandin Xhuvani njiheshin me njëri-tjetrin. Jo vetëm kaq, por ata kanë qerasur njëri-tjetrin dhe kanë bërë shaka para se të ndodhte masakra.

Çfarë ndodhi mëngjesin e së martës në lokalin ku i pranishëm keni qenë edhe ju?

Unë kam qenë afër tavolinave ku qëndronin edhe personat që u vranë. Në tavolinë kanë qenë tre autorët dhe në dy tavolina të tjera qëndronin katër viktimat.

Ndërsa italiani bashkë me një person tjetër qëndronin në një tavolinë tjetër. Të gjithë këta persona unë i kisha parë edhe më parë në lokal, sepse kemi qenë klientë të rregullt në atë lokal ku luhet muzikë tallava.

Si nisi sherri mes dy palëve?

Deri nga ora 02:00 dukej çdo gjë në rregull, sepse unë pashë që herë pas here djali i deputetes Luiza Xhuvani afrohej te tavolina e Edison Jahos dhe viktimave të tjera, madje edhe qerasën njëri-tjetrin me pije.

Pra, para se të ziheshin mes tyre, ata bënë shaka dhe pinë me njëri-tjetrin. Por, gjithçka nisi në momentin që njëri prej viktimave i kërkoi diçka Kostandin Xhuvanit. Këtu nisi gjithçka.

09:25 – Kostandin Xhuvani mohon akuzat: S’mbaj mënd gjë

Teksa ka kaluar një ditë pas masakrës që ndodhi në kryeqytet ku humbën jetën katër persona, një prej të ndaluarve është lënë i lirë, e ndërsa Kostandin Xhuvani ka thënë se nuk mban mënd asgjë.

Raportohet se njëri prej tre të ndaluarve është lënë i lirë. Burime nga policia bëjnë të ditur se është lënë i lirë Albano Ballcaj, pasi nuk janë gjetur elementë që ai të jetë përfshirë në konflikt.

Albano është djali i tezes së Arbër Demirajt, djali i ish-prokurorit Skënder Demiraj, njërit prej viktimave të mbetur të vrarë dje në lokalin bar “Ante Grand” tek rruga e Elbasanit.

Të arrestuar mbeten Kostandin Xhuvani, 25 vjeç, djali i Luiza Xhuvanit si dhe Erald Sida, 24 vjeç.

Sakaq, vijon marrja në pyetje e të dyshuarit kryesor Kostandin Xhuvani dhe mikut të tij Erald Sida. Të dy i qëndojnë versionit se nuk mbajnë mend asgjë dhe nuk pranojnë autorësinë e krimit. /Albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button