Kushtetuta dhe gjykata kushtetuese si shkaktarë të krizës në Kosovë dhe dalja nga kriza

Rasti i krizës në Kosovë është rast që duhet të mësohet në tekstet e së drejtës kushtetuese në fakultetin juridik … është një rast që duhet të mësohet se si nuk duhet të shkuhet një kushtetutë!

Si ligjet ashtu edhe kushtetuta duhet të jenë të shkruara në mënyrë sa më të qartë dhe të parashikojnë edhe situatat më komplekse që mund të krijohen, duke ofruar zgjidhje për to. Kur ka paqartësi ato duhet t’i sqarojë Gjykata Kushtetuese. Rasti i SHBA-ve është shembulli i një kushtetute 240 vjeçare, paqartësive dhe boshllëqeve të së cilës u ka dhënë zgjidhje Gjykata Kushtetuese e këtij vendi. Kosova nuk është një rast i tillë.

Pika 2 e nenit 67 të Kushtetutës së Kosovës përcakton se zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit duhet të plotësojë dy kushte: 1. Të propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe 2. Të zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.” Është rregull i njohur se kushtet që vendosen për zgjedhjen e një kandidati nuk duhet të jenë të atilla që të vijnë në kundërshtim me njëri tjetrin dhe të pamundësojnë plotësimin e tyre të njëkohshëm. Fatkeqësisht, një situatë e tillë është krijuar aktualisht në Kosovë, ku partia apo koalicioni parazgjedhor që fitoi më shumë vota në zgjedhje dhe më shumë deputetë në parlament, nuk arrin të ketë shumicën e deputetëve në parlament. Mosparashikimi i një zgjidhje për një situatë të tillë shumë normale ku grupi më i madh parlamentar që i jepet e drejta të propozojë kandidatin për Kryetar Kuvendi, nuk mund të arrijë të sigurojë shumicën e deputetëve për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit është mangësia bazë e Kushtetutës së Kosovës që ka çuar në situatën aktuale. Një situatë e tillë absurde vështirë se gjendet në Kushtetutat e vendeve tjera dhe shmanget duke u dhënë mundësinë e propozimit të kandidatit edhe palëve tjera, gjë që Kushtetuta e Kosovës nuk e parashikon.

Për ta kthyer situatën në favorin e tyre katër partitë kundërshtare të PDK-së janë bashkuar me qëllimin për të formuar një grup të vetëm parlamentar, më të madh se ai i PDK-së. Në një situatë të tillë, kontesti është përqëndruar mbi atë se kush është ‘grupi më i madh parlamentar’. Situata ka përfunduar në qorrsokak me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta konsideruar si grupin më të madh parlamentar grupin e deputetëve të partisë apo të koalicionit parazgjedhor të regjistruar që ka më shumë deputetë në parlament, pra PDK-në. Mendim të kundërt me këtë vendim pati mbajtur gjykatësi amerikan Robert Carolan, duke i dhënë të drejtë grupimit paszgjedhor VLAN. Shpesh thuhet se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë vendime me karakter juridiko-politik. Në shumicën e rasteve vendimet në Gjykatën Kushtetuese merren të ndara në dy grupe, ‘pro’ apo ’kundër’ një qëndrimi dhe duke ditur se anëtarët e saj janë jurist më përvojë asnjëherë nuk mund të thuhet se grupi që ka votuar ‘pro’ apo ai ‘kundër’ kishte absolutisht të drejtë. Ideja është që të merret një vendim, sepse një vendim i marrë, cilido qoftë ai, që zgjidh një problem është më mirë se mosmarrja e një vendimi dhe vazhdimi i krizës. Këtij qëllimi i shërben edhe fakti se gjykata ka numër tek gjyqatarësh në mënyrë që gjithmonë të arrihet një shumicë për një vendim ‘pro’ apo ‘kundër’ një çështje. Në rastin e Gjykatë Kushtetuese të SHBA-ve interpretimet e bëra synojnë drejt zgjidhjes së problemeve. Në rastin e Kosovës, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka në krye një njeri të njohur më shumë për manovrimet e tij politike dhe lidhjet me pushtetin, se sa për ndonjë aftësi profesionale, vendi u zhyt në një krizë politike.

Ky vendim i dha mundësinë PDK-së, deri tani në pushtet, që të thirret në kushtin e parë bllokues të pikës 2 të nenit 67 të Kushtetutës, për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, se propozues i kandidatit për këtë post duhet të jetë grupi më i madh parlamentar, gjë që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese aktualisht është grupi i tyre, ndërkohë që kushti i dytë i paplotësuar për shumicën e votave të deputetëve, është kusht sine qua non, i paraparë gjithkund në vendet tjera. Pas tetë vite qeverisje të dështuar dhe të mbushura me afera korruptive, PDK-ja po mundohet me çdo kusht të mbetet në pushtet, duke i ndjerë pasojat e daljes në opozitë dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese është mekanizmi që i mundëson asaj të bllokojë institucionet dhe të pamunëdosjë humbjen e pushtetit. Në një situatë të tillë kur të dy palët, PDK-ja dhe Blloku VLAN plotësojnë secila vetëm nga një kusht, nga dy kushtet e parapara për Kryetarin e Kuvendit dhe asnjëra nga palët nuk lëviz nga pozicioni i marrë, e vetmja zgjidhje e krizës shihet tek zgjedhjet e reja.

Megjithatë, me dashje apo pa dashje, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ofron një mundësi për zgjidhjen e problemit, në pikën 117 të saj ku thuhet se ‘Një argument shtesë është se grupi parlamentar, në kuptimin më të ngushtë të fjalës (in stricto sensu), dhe sipas Rregullores së punës të Kuvendit e Shtojcave të saj, mund të regjistrohet vetëm pas konstituimit të Kuvendit, pra, pas zgjedhjes së Kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.’  Me këtë formulim Gjykata Kushtetuese njeh të drejtën e formimit të grupeve të reja parlamentare, por vetëm pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Kryetarit të tij. Teorikisht, deputetët e Bllokut VLAN mund ta votojnë kandidatin e PDK-së për Kryetar Kuvendi e pastaj, pasi të regjistrohen si grup i përbashkët parlamentar, ta shkarkojnë Kryetarin e Kuvendit të PDK-së dhe të propozojnë kandidatin e tyre si grupi më i madh parlametar. Problem në këtë rast mund të përbëjë pika 5 e nenit 67 të Kushtetutës që parashikon se për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit duhet të votojnë 2/3 e deputetëve. Për të arritur këtë numër, prej 80 deputetësh, duhen edhe votat e minoriteteve, përfshirë edhe të paktën një pjese të deputetëve serb. Një gjë e tillë ka pak të ngjarë të ndodh, nisur nga fakti se grupi i deputetëve serb dirigjohet nga Beogradi dhe logjikisht do të punojë për mbajtjen e krizës, do të tentojë të përfitojë nga situata ose do të bëjë kërkesa të papranueshme.

Një mundësi tjetër është që t’i lihet Kryetari i Kuvendit PDK-së (të paktën deri kur të krijohen kushtet për shkarkimin e tij), duke shmangur mbajtjen e zgjedhjeve, dhe të kalohet në zgjedhjen e qeverisë, gjë që ka rëndësi primare. Në këtë situatë, duke pasur parasysh pamundësinë e LDK-së për të marrë postin e Kryetarit të Kuvendit (kompetencat e të cilit janë të kufizuara) do duhej bërë një marrëveshje të re mes bllokut VLAN që do të kënaqte partitë e saj me përbërjen e qeverisë (p.sh. Kryeministër me rotacion LDK-AAK ose zgjidhje tjetër përmes ndarjes së ministrive kyçe), në rast të mbetjes së Kryetarit të Kuvendit në duart e PDK-së. Megjithëse neni 95 i Kushtetutës përcakton se Presidentja duhet t’i jap mandatin për formimin e qeverisë, kandidatit të partisë politike ose koalicionit që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë, Gjykata Kushtetuese me një interepretim absurd të këtij formulimi ja ka njohur të drejtën për ta propozuar mandatarin, PDK-së. Megjithatë, bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në rast të dështimit të mandatarit të PDK-së, është në diskrecionin e Presidentit të mandatojë një kandidat që ka gjasa reale për të marrë shumicën e votave në Kuvend për të formuar qeverinë dhe në këtë rast mandatimi i kandidatit të Bllokut VLAN do të ishte i pashmangshëm. Në të kundërt, dalja e vetme nga ky qorrsokak do të jenë zgjedhjet e reja.

Kushtetutat i shkruajnë njerëzit dhe formulimet kontradiktore mund të vazhdojnë të bëhen pengesë në situata të njëjta që shumë lehtë mund të përsëriten edhe në të ardhmen. Nisur nga kjo, pas tejkalimit të krizës aktuale politike do të shtrohet si domosdoshmëri ndryshimi i Kushtetutës në pjesët kontestuese, për ta bërë sa më të thjeshtë dhe më të qartë këtë proces, në mënyrë që situata dhe kriza të tilla absurde dhe të panevojshme të mos përsëriten më. Se sa seriozë kanë qenë në punën e tyre hartuesit e Kushtetutës së Kosovës tregon edhe fakti se sa herë që Gjykata Kushtetuese ka kërkuar t’i dorëzohen punët përgatitore për hartimin e Kushtetutës Trauaux Preparatoires, në mënyrë që të njihet me qëllimin e hartuesve të Kushtetutës, përgjigjja gjithmonë ka qenë se Kuvendi nuk i ka Trauaux Preparatoires të Kushtetutës, edhe pse kanë kaluar vetëm gjashtë vite nga hartimi i Kushtetutës!

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Ndonjehet me krihot nje pershtypje e mire se si i trajton çeshtjet, po ndonjeher me dukesh subjektiv dhe i paditur. Subjektiv kur pasi konstaton sakte se problemi eshte te kushtetuta prap fajin thu e ka gjykata. Ti me kete kerkon interpretim sipas qejfeve te kushtetutes. Dhe te njoftoj te lexosh pak me mire sepse Amerika nuk ka gjykate kushtetuese dhe mbrojtja e kushtetutshmerise dhe ligjshmerise behet para gjykates supreme.

  2. Analiz e shkeqyshme e Doktorit. Kriza ka lind nga kushtetuta edhe u thellu me vendimin e Gjykates kushtetuse. Aryetimet ne vendimet e gjykates jane skandaloze. Po me pelqejne alternativat e zgjidhjes. Ti je kap per dicka palidhje qe nuk ndryshon kurgje. Kto lloj gabimesh per emrin e gjykates ne Amerike jane pjes e shkrimeve po kjo nuk ndryshon kurgje n’permbajtjen e shkrimit se lloji i gjykates ne Amerike nuk ka ndonje rendsi per temen e shtjellume. Kush ofendon tjetrin qe ka shkrujt me emer duke u mshef vet mbas pseudonimi vec cka e tregon nivelin e kultures se vet. Analiz e mrekullushme profesionale.

  3. Liridon edhe me nje vend e ka shkrujt ‘te zgjedhet’ e jo ‘te zgjidhet’, vetem se kjo nuk ndryshon kurgjo ne teme. As ajo a ka Amerika gjykate supreme a gjykat kushtetuse nuk e ndryshon analizen. Mos u kap per cikrrima po ma mire thuj se jam me PDK e nuk me pelqen kur njerzit shkrujn se gjykata kushtetuse e Kosoves esht n’sherbim t’partis te Thacit, ama ky eshte problemi jot. Analiz shum e mir edhe e argumentume edhe pse dikujt mundet me i pengu e verteta e joprofesionalizmit edhe mvarsise te gjykates.

Back to top button