Bie përkrahja për grupet ekstremiste në veri

Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës vlerësuan sot në takimin e Komitetit lokal për siguri publike, se ka rënë përkrahja e qytetarëve për strukturat ekstremiste në veri.

Arrestimi i dy serbëve të dyshuar për krime në veri dhe bllokada e rrugëve në Rudare, kanë qenë dy nga ngjarjet kryesore, për të cilat u fol në takimin e Komitetit lokal për siguri publike. Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se incidentet e fundit në veri po shkaktohen kryesisht nga pjesëtarët e “Mbrojtjes civile”.

”Bllokadat kryesisht me kamionë dhe me automjete, por fatmirësisht numri i pjesëmarrësve në këto bllokada ka qenë shumë i vogël. Shihet qartë se kriminelët nuk kanë përkrahje as nga vetë popullata serbe. Për momentin këto rrugë janë të zhbllokuara dhe ka lëvizje të lirë”, theksoi ai, transmeton RTK.

Ndërsa, Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, u fokusua në pengesat që janë duke u bërë sa i përket rindërtimit në veri. Ai tha se si pasojë e hapjes së një grope në rrugën në Kroin e Vitakut nga strukturat ilegale është dëmtuar edhe kanalizimi.

”Përveç se kanë hap gropën e kanë dëmtuare dhe kanalizimin, kemi vazhduar me punë, kemi angazhuar kompaninë i ndërrua gypat për kanalizim dhe pastaj me e mbyll vrimën”, tha Kastrati.

Sa i përket situatës në jug të qytetit, u tha se nuk ka ndonjë problem serioz, përveç telasheve në trafik ku ka ngarkesë të madhe gjatë këtyre ditëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button