BE-ja, Maqedonia dhe Turqia me standard të unifikuar ‘Hallall’

Vendet evropiane duhet të punojnë në mënyrë intensive për përgatitjen e standardit të unifikuar Hallall që do të zbatohet në 28 vende anëtare. Por, ai do të ndërlidhej edhe me Maqedoninë, Turqinë dhe 3 apo 4 vende anëtarë të EFTA-s. Në takimin e fundit në Sarajevë, u arrit përparim i konsiderueshëm rreth harmonizimit të dallimeve që ekzistojnë rreth zbatimit të këtij standardi industrial, të mbështetur tek parimet fetare. Është duke u shqyrtuar se si Kur’ani të bëhet pjesë përbërëse e Hallallit evropian.

“Standardi evropian Hallall duhet të jetë gati diku nga fundi i vitit 2016 ose fillimi i vitit 2017. Në këtë moment punohet për ndryshimin e plotë të standardit aktual që ishte një farë përzierje e hallallit boshnjak, malajzian, turk dhe në bazë të kësaj përzierjeje, të përgatitet një standard evropian Hallall”, tha Lupço Davçev, drejtor i Institutit për Standardizim.

Si çështje të hapura për të cilat nuk mund të merren vesh vendet, është mënyra në të cilën do të theren bagëtitë, e me këtë rast të mos rrezikohet elementi fetar, si dhe ajo se cilat kafshë hyjnë në kategorinë Hallall. Kontestuese janë edhe aditivët që përdoren në ushqim, pasi një pjesë e standardeve të deritanishme “hallall” pranojnë disa aditivë të caktuar, ndërsa të tjerët – jo. 

“Nëse në këtë moment ka ndonjë projekt të Hallall-it, kombëtar, do të thotë nëse kemi maqedonas, nëse kanë gjermanët, nëse kanë austriakët, gjithçka ndërpritet dhe punohet në një standard unik të përbashkët evropian Hallall”, u shpreh Lupço Davçev, drejtor i Institutit për Standardizim.

Ende nuk dihet nëse standardi i unifikuar Hallall do të certifikohet ose nuk do të ketë nevojë për këtë. Nëse merret vendim se për Hallallin evropian do të jepet certifikatë, atëherë përgjegjësia për kontrollin do të jetë tek institucionet e autorizuara, prapa të cilave qëndron shteti. 

Lajme të ngjashme

Back to top button