Globalizmi po na humb identitetin

Globalizmi si një proces gjithëpërfshirës social po afron njerëzit si në fushë të biznesit, politikës ,kulturës e gjithçka tjetër që ka të bëjë me zhvillimin dhe mbarëvajtjen e  bashkësive shoqërore. Televizioni, interneti e sidomos rrjetet sociale kanë bërë që bota të funksionojë si një unitet i vetëm.

Shumë shoqëri të pazhvilluara kanë përfituar mjaft nga ky proces, por popujt më të vegjël po  vuajnë  pasojat negative që solli me vete globalizmi sepse u është futur aq keq në palcë e nuk dihet si do të përfundojnë në të ardhmen e afërt. Kultura perëndimore si duket është pikënisja e këtij indikatori të ndryshimeve të hovshme që po bëhen kudo, në çdo sferë të jetës, në çdo cep të globit.

Një nga sferat që ka ndikuar mjaft globalizmi është edhe gjuha. Shumë fjalë të huaja janë futur në gjuhën tonë dhe ne i pranojmë në mënyrë të natyrshme, pa mos menduar se një ditë kjo mund të na kthehet në mënyrën më të keqe të mundshme. Arsyetohemi se termat e teknologjisë nuk mund t’i përkthejmë sepse ua humbim kuptimin, arsyetohemi se termat e ndryshëm që futen në fushë të biznesit e politikës janë të domosdoshme për zhvillimin politiko-ekonomik. Por, mbi të gjitha, edhe shumë fjalë i zëvendësojmë me fjalë të tjera,të reja , me qëllim që t’u afrohemi niveleve të shoqërive të zhvilluara.

Globalizmi na ka përfshirë të gjithëve, përfshirë këtu edhe prindërit e gjyshërit tanë. Ata thonë i dërgova një friend request apo ja bëra like foton, e shumë fjalë të tjera të cilat  fatkeqësisht po futen në gjuhën tonë .

Një iniciativë e të gjithë gjuhëtarëve do të ishte mjaft e nevojshme, sidomos kur bëhet fjalë, siç theksova, për çështjet e terminologjisë politike, ekonomike e të teknologjisë .

Nuk mund të paramendohet si do të jetë gjuha pas 20-30 viteve në qoftë se nuk ndërmerret diçka ,e në veçanti duhet pasur kujdes sepse të gjithë këto fenomene po na humbin dalëngadalë identitetin tonë kombëtar.

Lajme të ngjashme

Back to top button