110 botues në Panairin e Librit në Tiranë

110 botues do të marrin pjesë në edicionin e shtatëmbëdhjetë të Panairit të Librit në Tiranë, panair i cili do ti kushtohet edhe 200 vjetorit të Jeronim de Radës i cili do të hapet më 12 nëntor dhe do të jetë i hapur deri më 16 nëntor.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptare, Petrit Ymeri, në një konferencë për medie, foli për rëndësinë e këtij panairi, që sipas tij, është ngjarja më e madhe kulturore në pasqyrimin e veprimtarisë librore që zhvillohet jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën shqipfolëse. “Ky panair do të bashkojë të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medies…, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë”, tha ndër të tjera Ymeri.

Panairin e Tiranës e bëjnë edhe vizitat e shumta nga trojet shqiptare për prezantim sa më të dinjitetshëm të librit. Në këtë panair do të marr pjesë edhe Shoqata e Botuesve të Kosovës, të cilët do të prezantohen me 15 botues në kuadër të kësaj shoqate, por do të ketë edhe botues të tjerë që do të prezantohen me stenda të veçanta.

“Krahas çmimeve tradicionale të përvitshme të Panairit, në këtë edicion juria e Panairit do të jep edhe çmimin e madh Jeronim de Rada. Gjithashtu do të ketë një pjesëmarrje të gjerë të ambasadave e institucioneve të huaja në vendin tonë, duke i dhënë kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme një karakter ndërkombëtar ”, ka shpjeguar Ymeri.

Ndërkohë është bërë e ditur edhe për jurinë e sivjetme të panairit e cila është në përbërje të: Virgjil Muqi, Persida Asllani, Beti Njuma, Alfred Lela, të cilët do të ndajnë cmimet për librat më të mirë në kategori të ndryshme.
Shoqata e Botueseve Shqiptare e organizojnë këtë panair që nga viti 1998, ku njihet si aktiviteti më i madh vjetor për librin, duke shënuar rezultate në rritje nga viti në vit./KultPlus.com

Lajme të ngjashme

Back to top button