John McMurry, një pseudoshkencëtar në librat e Qeverisë

Dështimi i projektit 1000 tituj të përkthyer nga lista e librave të universiteteve me renome ndërkombëtare në kuptimin e shfrytëzimit të tyre nga studentë dhe profesorë të universiteteve të Maqedonisë, edhe pas tre-katër vitesh, vazhdon të jetë i padiskutueshëm. Por, megjithëse Ligji për arsim të lartë i obligon profesorët që të shfrytëzojnë këto libra për literaturë studimi, as studentët dhe as profesorët nuk e bëjnë një gjë të tillë. Madje, janë këta të fundit të cilët kanë një qëndrim refuzimi karshi librave që janë përkthyer me angazhimin e drejtpërdrejtë të Qeverisë, në dy mandate radhazi të kryeministrit Nikolla Gruevski.

Profesorët universitar, për gazetën KOHA, nuk fshehin faktin që nuk ua propozojnë studentëve librat si materiale studime, pasi thonë se janë me gabime skandaloze dhe formulime antishkencore. Shkencëtarë të njohur si John MCMurry për shembull, vijnë në Maqedoni si pseudoshkencëtar pikërisht për shkak të gabimeve trashanike që janë bërë në projektin qeveritar për përkthimin e librave me të cilat punohet në universiteteve me renome ndërkombëtare.

Agim Shabani, profesor i kimisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të USHT-së, thotë se “Kimia organike” e autorit John McCurry, ka gabime aq të rënda profesionale sa do të ishte kontraproduktive po të lejoheshin studentët ta përdorin atë libër. Prandaj, plotëson më tej ai, “u kam thënë dhe vazhdoj ti paralajmëroj studentët e mi që të mos e përdorin këtë libër, sepse thjeshtë – në vend që të mësojnë të vërteta shkencore, ato do të mësojnë gjëra të gabueshme dhe të paqëndrueshme shkencërisht”. Si libra në origjinal, plotëson më tej ai, janë botime të vlefshme. Fatkeqësia është se janë përkthyer në mënyrë delitanteske, apo “me gabime të shumta gjuhësore dhe profesionale”.

Prandaj, nënvizon profesor Shabani, nuk duhet të lejojmë që studentët ti përdorin ato libra nëse nuk duam që ti mësojnë gjërat gabim në aspektin shkencor.

Lajme të ngjashme

Back to top button