Vajzat e sporteleve

Më pëlqen të endem nëpër korridoret e  institucionit ku punoj. Më pëlqen zhurma e takave të vajzave të reja dhe përzierja e parfumeve të tyre.Ndonjë ditë kur nuk kam shumë punë më ndodh të rrëmbej ndonjë shkresë në dorë dhe të endem ashtu kot, thjesht për të parë shprehjet e fytyrave të njerëzve. Më pëlqen të shoh ankthin brenda syve të njerëzve e të zbuloj një fije shprese aty.Ka raste kur gati përplasem me kamarierin e byfesë që shpërndan pije nëpër zyra.Kam përshtypjen se nxiton shumë dhe nuk shikon kah ec. Po edhe ai ka pikërisht të njëjtin mendim për mua. Më ndodh të ndaloj ndonjëherë e të lexoj pankartat që ndodhen kudo.Në këtë që ndodhet pikërisht para hundës sime reklamohet,, Ligji për përmbarim,, i vitit 2006 .,,REALIZO TË DREJTËN TËNDE! GJEJE PËRMBARUESIN TËND!,,- thotë pankarta.  Nuk më pëlqen që është përdorur urdhërorja. Nga të gjitha mënyrat e foljes më së shumti e urrej urdhëroren.Po ndoshta edhe nuk jam e vetme në këtë urrejtjen time për urdhëroren.Kapërcej korridorin e ngushtë dhe dal në të ashtuquajturin ,,holl,,.Takoj një kolegun tim para  zyrës  nr.27. Më shikon që jam kam ngulur sytë pankartës më të madhe ndoshta që kemi ne këtu dhe  qesh . Është pankarta kundër korrupsionit.Është e vizatuar një dorë njeriu që mban një tufë parash. Është një tufë me nga 50 euro. Pastaj me shkronja të mëdha shkruhet  ,STOP,,.

Kam përshtypjen se pankarta jep efekt të gabuar,-thotë.Kur jam në fillim të muajit dhe kam marrë rrogë jam shumë i bindur se duhet fuqishëm të luftohet korrupsioni.Aty kah mesi i muajit ,kur e kam shpenzuar gati gjithë rrogën, sytë padashur më shkojnë vetë tek tufa me 50 euro.E kuptoj që është një shaka dhe qesh edhe unë. Po çështë e vërteta edhe unë e harxhoj rrogën para datës 15 dhe  për këtë gjë nuk më vjen për të qeshur.

Këtu  ka një rregull të pa shkruar që e zbatojnë të gjithë.Të punësuarit ndahen në kategori dhe shoqërohen vetëm me njerëz të rangut të vet . Ata që janë lart nuk ua varin shumë atyre që janë më poshtë.Ndërsa ata që janë poshtë vdesin për një çikë kujdes nga ata që janë më lartë. E shprehja e bukur ,, të gjithë njerëzit lindin të barabartë ,, nuk pi shumë ujë. Pikërisht këtu  ,ashtu si kudo tjetër,shprehjet e bukura teorike kanë praktikën e tyre të shëmtuar.Unë kam miq  këtu po më shumë shoqërohem me vajzat e sporteleve, sepse të tjerët …thjesht dhe shkurt , nuk ma varin shumë.Vajzat e sporteleve më pritën me krahë të hapur ,që në ditën e parë kur erdha këtu, para shumë vitesh.  Për hir të së vërtetës kur erdha këtu doja të kisha miq të fuqishëm sepse mendoja se një gjë e tillë më bënte të dukem më mirë në sytë e botës ,po kishte shumë gjëra të shtira në miqësi të tilla dhe kjo gjë më lodhte psikologjikisht. Me vajzat e sporteleve ndryshon puna . Ato janë vajza me zemër dhe aty miqësia ka formën e saj më të sinqertë. Është bukur të kesh miq të fuqishëm , por ata skanë asnjëherë kohë,ndërsa vajzat e sportelit janë gjithmonë aty,për të qarë hallin e vjehrrës që erdhi  pa lajmëruar , apo për dhimbjen e shpinës që nuk më lë rrehat.

Më takon rastësisht një koleg maqedonas dhe më thotë të ndihmoj një plak që është humbur në këtë insitucion. Plaku shqiptar i njëmijëenjë halleve ,është i lodhur dhe i nervozuar keq.Edhe sytë i ka të egërrsuar. E përshëndes ,por  nuk ma kthen.E ka syrin e ngucës,- siç thotë ai kolegu nga  Kosova. I shikoj dokumentet që i ka në dorë dhe i them se  duhet të shkojë diku tjetër , se nuk ka punë në këtë institucion.I thashë se duhet të shkojë në Postë. Po ai është i bindur se pikërisht kjo këtu është Posta e se  unë jam një nga ato punonjëset  e paafta që marri rrogë kot.Më tregon që ka pasur një nip në luftë e se në te gjithë jemi punësuar në krah të atyre trimave.Unë nuk kam ndonjë kundështim këtu, jam dakort me plakun e lodhur.Pastaj plaku më thotë se ai do të ankohet që nuk po e ndihmoj dot, do të ankohet…  lartë e më lartë.Ndoshta edhe tek lartëmadhëria e tij … .Nuk dua të kem armik një madhëri të tillë  dhe sinqerisht më vjen shumë keq që ky institucion nuk është pikërisht… Posta. Ia thashë këtë plakut me zërin më të ëmbël që mund të nxirja nga goja, po ai nuk u ëmbëlsua aspak.Puna më  shkonte keq e më keq. Pashë sa pashë  dhe e drejtova në sportelin  e vajzës shqiptare me emrin Arlinda . Vajza me emrin Arlinda është njeriu më i qetë që kam njohur në jetë.Është shoqe e imja dhe më vrau pak ndërgjegja që po ia lija në sportelin e saj peshqesh plakun.Shpresoja se do të arrinte të kuptonte një vajzë nervaprishur si unë.Po kur pashë rradhën te Arlinda më pikoi në zemër. Kishte ardhur koha e pushimit të drekës dhe të gjithë sportelet ishin të mbyllura .Përveç tre sporteleve të vajzave shqiptare.Arlinda  kishte gjithmonë rradhën më të gjatë dhe shumë rrallë shfrytëzonte  pushimin e drekës. Të gjithë shqiptarët që përcilleshin nga sportelistet maqedonase pa kuptuar se çfarë u mungonte në dokumentacion  rradhiteshin  tek Arlinda për sqarime.E  Arlinda sqaronte  qetë dhe pa përtesë të gjithë shqiptarët që i drejtoheshin.Po këtë gjë bënte edhe sportelistja shqiptare Vjollca. Ishte ndoshta një çikë më nervoze, po shumë efikase . Bënin punë që nuk ishin të tyre. Bënin diçka të mirë, thjesht atë që mund të bënin për popullin e tyre.Ky ishte patriotizmi i tyre.Pa këngë dhe flamuj.Po gjithsesi i bukur.   Sporteli tjetër i hapur , më mallëngjen edhe më shumë. Është një grua e re shqiptare , në muajin e tetë të shtatëzanisë që e sakrifikon pushimin e drekës, për  burrin me qeleshe.Unë e di sa shumë asaj i pëlqen të hajë dhe me sa dashuri e pret kohën e pauzës. Po sot po ja dhuron kohën e saj atij shqiptari atje.Është vajzë e turpshme dhe nuk thotë asnjëherë asnjë gjë ,po unë kam përshtypjen se ka filluar ti shikojë njërëzit nëper qeset prej najloni që mbajnë me vete, ashtu siç bëja unë  kur isha shtatëzënë.Më interesonte shumë se çfarë ushqime kishin  njerëzit nëpër  qese.

Marr xhezvenë e vjetër dhe bëj kafe për vete dhe për tre vajzat e sporteleve. Sot nuk e di pse më duken më të bukura se  çdo herë tjetër. Kujdesem që kafesë mos i ik kajmaku sepse Arlinda  do më qortojë, por  u humba prapë në mendime. Padashur më mbushen sytë me lotë. Kjo është pjesa më e bukur e popullit tim -them me vete. Dhe unë ja , pikërisht këtu kam nderin të jem. Siç duket prapë humbas në mendime sepse kafesë jo vetëm që i iku kajmaku ,por ka mbetur më pak se gjysma , ka kohë që po derdhet.Por  ska gjë .Arlindës  do ti duhet shumë kohë për tu marrë vesh me plakun.

Lexo pjesën paraprake: Shiu i Nëntorit (2)

Mirela Daci Hambari 

Lajme të ngjashme

Back to top button