EcoGuerilla: Qeveritarë, helmoni 340 mijë banorë për 1 mijë të punësuar!

Këshilli protestues i Lëvizjes EcoGuerilla ka dërguar një reagim ndaj Ministrisë së ekologjisë së Maqedonisë për shkak të mos mbylljes së helmuesit më të madh të Pollogut, fabrikës së Jugohromit.

Portalb jua përcjell reagimin e plotë:

Me keqardhje dhe zhgënjim të thellë kemi pranuar lajmin se fabrika e metalurgjisë së rëndë “Jugohrom” ka fituar sërish leje për të vazhduar punën edhe dy vite pa filtra, pa respektim të standardeve ekologjike dhe pa pikë respekti për qytetarët e Pollogut dhe shëndetin e tyre.

Ne si Lëvizje nuk kemi qenë për mbylljen e këtij kapaciteti prodhues, por kemi protestuar dhe reaguar me qëllim që Ministria e Ekologjisë, Qeveria dhe institucionet tjera kompetente të detyrojnë “Jugohromin” të vendosë filtra dhe të respektojë ligjet që vlejnë për të gjitha subjektet tjera prodhuese.

Jugohromi, jo që nuk vendosi filtra në 10-vitet e fundit, kur edhe hyri në fuqi detyrimi i integrimit të filtrave, por vazhdoi si kapadai të helmojë 340 mijë qytetarët e Tetovës dhe Gostivarit me komunat përreth.

Jugohromi vazhdoi të mbajë peng 340 mijë njerëz me 1 mijë të punësuar, shumica e të cilëve punojnë me kontrata mujore, me rroga të ulëta dhe pa kushte adekuate për punë.

Jugohromi në mënyrën më arrogante ka refuzuar dhe zmbrapsur tentimet e disa ministrave të Ekologjisë që tentuan të detyrojnë të respektojë ligjet dhe shëndetin e 340 mijë qytetarëve. Sa për të rikujtuar opinionin, se nga 2006 e deri më sot ministra të Ekologjisë janë nga Pollogu kurse ky ndotës nga 2005 nuk ka bërë as lëvizjen më të vogël për të vendosur filtrat.

Jugohromi është dhe do të jetë përgjegjësi më i madh për shtimin e sëmundjeve kancerogjene dhe  respirative që është evidentuar nga statistikat zyrtare dhe për këtë një ditë do të japë llogari, bashkë me përkrahësit e këtij krimi – qofshin politikanë apo edhe njerëz që përfitojnë nga ky krim.

NE UA BËJMË ME DIJE TË GJITHËVE SE MË SHUMË NA INTERESON SHËNDETI I 340 MIJË QYTETARËVE TË POLLOGUT SESA TË ARDHURAT E 1 MIJË TË PUNËSUARVE TË JUGOHROMIT.

Punën dhe të gjitha kushtet e jetës duhet tua sigurojë shteti dhe qeveria, së cilës i paguajnë tatimet.

Andaj, njoftojmë opinionin se do të ndërmarrim këto aktivitete: 

1. Do të ankimojmë te Gjykata Kushtetuese vendimin e Qeverisë për vazhdimin e afatit për Jugohromin pasi sipas Nenit 43 dhe parimeve bazë të Kushtetutës së Maqedonisë qytetarët kanë të drejtë të patjetërsuar të thithin ajër të pastër.

2. Do të animojmë opinionin për vrasjen e heshtur që bën ndotja kancerogjene e Pollogut, ku Jugohromi merr pjese me 54 për qind.

3. Do të kontaktojmë organizata joqeveritare, media, organizata fetare, arsimore, parti politike, organizata të huaja, lëvizje qytetarësh, forume dhe subjekte të ndryshme që bashkërisht të pamundësojmë Qeverinë dhe Jugohromin në qëllimin e tyre për të vazhduar edhe për dy vite këtë ndotje kancerogjene. Do të kontaktojmë edhe punëtorët e Jugohromit me qëllim që t’i bindim se iniciativa jonë do të jetë edhe në favor të tyre si qytetarë, por edhe si punëtorë të këtij ndotësi. Do t’i bindim se vënia e filtrave do të jetë një garanci se fabrika nuk do të mbyllet  dhe hapet kur t’u kujtohet dy pronarëve, por se vendi i tyre i punës do të jetë i garantuar së paku për dhjetë vitet e ardhshme. Vënia e filtrave në radhë të parë do të jetë një mbrojtje për shëndetin e tyre, e më pas edhe të 340 mijë qytetarëve të Pollogut.

4. Pasi të fitojmë një mbështetje të gjerë të faktorëve të lartpërmendur dhe qytetarëve të Pollogut dhe Maqedonisë, do të ndërmarrim masa demokratike me të cilat do ta ndalojmë procesin prodhues të Jugohromit.

Ftojmë të gjithë qytetarët, organizatat dhe faktorët tjerë politik, shoqëror, kulturor, fetarë, sportiv…të kontribuojnë në këtë mision mjaft human dhe fisnik.

Të bashkuar mund t’ia arrijmë qëllimit!

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button