Arrihet marrëveshja për gazin mes Rusisë, Ukrainës dhe BE

Është arritur në orët e fundit të së enjtes marrëveshja e gazit mes Ukrainës, Rusisë dhe Bashkimit Europian, për rifillimin e furnizimit me gaz të Ukrainës pas disa muajsh bllokimi për shkak të konfliktit në lindje të vendit.

Zyrtarët e BE-së bënë të ditur se Rusia dhe Ukraina kishin negociuar fort për të marrë mbështetjen e bllokut perëndimor. Rusët kërkuan para nga BE-ja për të ndihmuar Ukrainën të paguante borxhet ndaj Gazporm-it, ndërsa ukrainasit donin me ngulm që të firmosej marrëveshja në mënyrë që të tregonin para votuesve të vetë se nuk do të paguanin më shtrenjtë për furnizimet jetike me gaz.

Presidenti i Komisionit Europian në largim, Hoze Manuel Barrozo, ishte dhe vetë i pranishëm gjatë ceremonisë së firmosjes së marrëveshjes trepalëshe. “Me mbështetjen e fortë të Komisionit Europian, Ukraina dhe Rusia kanë gjetur marrëveshjen për të zgjidhur çështjen e borxhit jashtëzakonisht të madh, një zgjidhje e përkohëshme që do të bëjë të mundur rifurnizimin me gaz”, deklaroi Barrozo.

Ministri rus i energjisë, Aleksandër Novak, tha se shpresonte që marrëveshje të ndihmonte në rikthimin e qendrueshmërisë në Ukrainë, por theksoi se sërish Kievi duhet të parapaguajë për të marrë furnizime të reja për 45 milionë banorët e vendit.

Ndërsa homologu ukrainas, Juri Prodan, tha se marrëveshje do të sjellë përfitime jo vetëm për vendin e tij, por edhe për Bashkimin Europian. Rreth 1/3 e gazit në Europë vjen nga Rusia , dhe pothuajse gjysma e sasisë kalon përmes Ukrainës. Ndërsa për Rusinë, sektori i gazit natyror, përbën rreth 1/5-tën e buxhetit kombëtar./ OraNews/

Lajme të ngjashme

Back to top button