S’pajtohen as për orën

Izraelitët dhe palestinezët, të cilët luftojnë prej dekadash për kufij dhe refugjatë, nuk mund të pajtohen as për orën. Mospërputhja kohore e këtij viti ka zgjatur vetëm dy ditë, pasi që Izraeli, bashkë me shumicën e Evropës, lëvizën akrepat prapa një orë në mëngjesin e së dielës. Në vitet e tjera, dallimi kohor ka zgjatur me javë të tëra.

Udhëtimi nga shtëpia e Mousa Qousit në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit drejt zyrave të gazetës Al Quds, afër qytetit të Ramallahut, në Bregun Perëndimor, mund të zgjasë nga 20 minuta deri në një orë, varësisht nga rezervat në pikën e kontrollit të ushtrisë së Izraelit. Të premten e kaluar, ai është nisur në orën 6:25 të mëngjesit, dhe ka mbërritur në punë në orën 6:10 të mëngjesit. Qous ka udhëtuar me autobus publik, dhe jo me makinë kohore. Por, Autoriteti Palestinez e kishte përfunduar llogaritjen verore të kohës në mesnatë, e Izraeli ende nuk i kishte lëvizur akrepat – një mospërputhje që prej vitesh i mundon njerëzit që enden nëpër dy botët, ka shkruar The New York Times.
“Kjo është vetëm një luftë vullnetesh, bile e dështuar”, ka thënë bashkëshortja e Qousit, Joharah Baker, transmeton gazeta Tribuna. “Ne të gjithë e dimë se duam që të bëhemi të pavarur, gjë që është e shkëlqyer dhe krejt në rregull, nëse kjo do të përkthehej në realitet. Por, aman, le të mos luajmë lojëra me orën”.

Izraelitët dhe palestinezët, të cilët luftojnë prej dekadash për kufij dhe refugjatë, nuk mund të pajtohen as për orën. Mospërputhja kohore e këtij viti ka zgjatur vetëm dy ditë, pasi që Izraeli, bashkë me shumicën e Evropës, lëvizën akrepat prapa një orë në mëngjesin e së dielës. Në vitet e tjera, dallimi kohor ka zgjatur me javë të tëra, teksa llogaritja verore/dimërore e kohës e Izraelit është diktuar prej kërkesave të besimtarëve të devotshëm hebrenj, duke mbetur në mospërputhje jo vetëm me Bregun Perëndimor dhe me Rripin e Gazës, por edhe me botën perëndimore.
Një histori e shkurtër e dallimeve në llogaritjen verore/dimërore të kohës në Lindjen e Mesme:
Gjatë mandatit britanik, populli ndërmjet lumit të Jordanisë dhe detit Mesdhe filloi të ndryshonte orën më 1940, dhe ndërpreu praktikën më 1947. Izraeli riktheu llogaritjen e kohës verore kur u themelua më 1948, por Jordania, që okuponte Bregun Perëndimor, dhe Egjipti, që sundonte Gazën, nuk vepruan njësoj. Izraeli ndërpreu llogaritjen verore të kohës nga viti 1958 deri në krizën energjetike të mesit të viteve ’70. Në atë kohë, Izraeli gjithashtu kontrollonte orën në territoret palestineze që i kishte pushtuar në vitin 1967, por kur Autoriteti Palestinez u krijua më 1994, koha ishte njëra nga gjërat mbi të cilat ai kishte autoritet. Ueb-sajti timeanddate.com tregon se gjatë 15 viteve të fundit, izraelitët dhe palestinezët i kanë ndryshuar orët njëkohësisht shtatë herë (gjithmonë përpara) dhe tri herë kanë kaluar të paktën një muaj me një orë dallim mes vete (30 ditë në vjeshtën e fundit, 32 ditë në vitin 2010 dhe 34 ditë në vitin 2008). Rripi i Gazës dhe Bregu Perëndimor po ashtu kanë qenë dy herë në mospërputhje kohore me njëri-tjetrin.

Në Evropë, ajo që quhet “koha verore” zgjat nga e diela e parë e marsit deri në të dielën e fundit të tetorit. Në Shtetet e Bashkuara, llogaritja verore e kohës ka filluar që nga viti 2007 në të dielën e dytë të marsit dhe ka përfunduar në të dielën e parë të nëntorit. Por, në Izrael, datat kanë ndryshuar shumë, veçanërisht në vjeshtë, nga 12 shtatori (2010) në 27 tetor (2013), teksa autoritetet e vendit e kanë manipuluar kohën e lindjes dhe perëndimit të diellit për t’iu përshtatur festave që ndjekin ciklet e hënës. Kështu, besimtarët e devotshëm hebraikë kanë preferuar që pashkët (që fillojnë pas perëndimit të diellit) të fillojnë më herët, në mënyrë që fëmijët të mund të rrinë zgjuar për festë, dhe që agjërimi për Yom Kippur (që gjithashtu fillon pas perëndimit të diellit) të përfundojë më herët, për të lehtësuar urinë. Vitin e kaluar, pasi partitë politike ultra-ortodokse kanë mbetur jashtë koalicionit qeveritar, Izraeli e ka braktisur këtë qasje të pazakontë.

Ekonomistët kanë thënë se standardizimi i kalendarit do t’i kursejë shtetit 80 milionë dollarë në vit. Për shumë izraelitë, kjo ishte një dëshirë e zjarrtë për normalizim në një përpjekje për të balancuar vlerat hebraike dhe demokratike. “Deri me këtë rast, Izraeli ishte jashtë, dallohej”, ka thënë Shmuel Aboav, i cili ka udhëhequr një komision qeveritar që ka studiuar ndryshimin. “Njerëzit laikë mendonin se ultra-ortodoksët na kanë detyruar të paguajmë një çmim pa arsye”.

Edhe palestinezët gjithashtu janë munduar të bëjnë ndryshime për hatër të fesë, nganjëherë duke i shkurtuar ditët e agjërimit për Ramazan. Sipas timeanddate.com, më 2011, Autoriteti Palestinez ka ndryshuar orën më 1 gusht, me fillimin e muajit të shenjtë mysliman, dhe më pas e ka kthyer kohën verore më 30 gusht, vetëm për ta ndryshuar atë përsëri më 30 shtator, dy ditë para Izraelit.

Baker, e cila ka shtëpi në Jerusalem dhe në fshatin e familjes në Bregun Perëndimor, ka thënë se gjatë viteve ajo ka shkuar shumë vonë apo shumë herët në punë dhe ka pasur problem që të bëjë plane. Të premten e kaluar, teksa është nisur herët nga fshati për të mbërritur në zyrën e saj në Jerusalem në orën 7 të mëngjesit, ajo është befasuar kur ka parë se dyqani i vogël ku ajo gjithmonë ndalet për të blerë çamçakëzë ishte i mbyllur. “Ai kurrë nuk është i mbyllur në orën 6:30 të mëngjesit”, ka thënë ajo. Natyrisht, në Bregun Perëndimor, ora ishte vetëm 5:30./Tribuna/

Lajme të ngjashme

Back to top button