Harrove brushën e dhëmbëve

Keni kërkuar shtëpinë e Lisës. Për momentin nuk ndodhem në shtëpi. Ju lutem lini mesazhin tuaj pas sinjalit!…( BEEEP)

Alo Lisa, Lisa jam unë.

Po pra unë…

Unë që të dua si budalla.

Ndoshta do e fshish këtë porosi sa të ma dëgjosh zërin, …ndoshta do e fshish ende pa ma dëgjuar fare.

Por… nëse vendos ta dëgjosh deri në fund (psherëtin)

… më fal që të lajmërohem kaq vonë Lisë, ndoshta nuk është momenti, ndoshta të shqetësoj…

por e vërteta është se më mungon tmerrësisht dhe jo vetëm aq…

Më mungon se si nevrikoseshe kur nuk i krihje dot flokët e ngatërruara pasi dilje nga tushi, (buzëqesh lehtë)

Më mungon edhe aroma e eliksirit të flokut prej vajit argan që ti e lyeje pasi arrije t’i krihje…

Më mungon fakti që ishe aq e ashpër me vetveten, ashpër kriheshe deri në shkulje, ashpër i laje dhëmbët, ashpër kruaje lëkurën deri në grithje… e aq butë më trajtoje mua

Më mungon  të dalim në mbrëmje me shoqëri  dhe të dehemi në shikime e ledhatime e askush mos ta kuptojë  dot se ne jemi  grindur gjatë gjithë natës së mëparshme.

Më mungon të rri ulur në tavolinë dhe të shoh se si e ndez shporetin për të bërë donjë gjellë pa kripë me atë përparësen ngjyrë roze që aq shumë ta urreja…e tani po e mbaj në dorë.

Më mungojnë këmbët e tua që gjithnjë ishin të ftohta akull, dhe që ti flije me çorapë.

Më mungon të ti vesh çorapët.

Më mungon të të blej e të të sjell një tufë me trëndafila, e ti të gëzohesh. E të nesërmen  ato trëndafila t’i gjej në shportën e mbeturinave…t’i kesh hedhur  sepse unë të të kem lënduar.

Më mungon të të  shoh se si vishesh fët e fët në mëngjes dhe se si gjithnjë vonohesh për në punë

Më mungon të të shoh se si zhvishesh ngadalë  në mbrëmje e më ankohesh për problemet  gjatë ditës. E unë të të shoh e mos të dëgjoj aspak, vetëm të të shoh…

Më mungon “ Mirëmëngjesi ” yt i ëmbël në vesh, por dhe “ Natën e mirë” plot inat.

Më mungojnë edhe hapat e tu qetësues që gjithnjë qëndronin mbi komodinën tënde e që i pije sa herë që ta bëja ditën ferr.

Më mungon dhe vesvesllëku yt i sëmurë i pastërtisë, era domestos e shtëpisë (buzëqesh)

Më mungon të ulesh para meje dhe të hash rrushin duke i qëruar farat e tij me thikë.  Ah sa e doja këtë rrushngrënie tënden.

Më mungon të hamë mëngjes bashkë dhe ta përziejsh çajin 30 herë, të më iritosh kështu më mungon.

Më mungon të hash ngadal siç e kishe zakon, dhe unë mos të të shpejtoj këtë here siç e bëja përherë.

Më mungon të shoh se si lyen buzëkuqin para pasqyrës.

Më mungon të gjej shenja të atij buzëkuqi në jakën e këmishës  e të të shoh se si e lan këmishën më pastaj.

Më mungon të të shoh se si fle, e se si zgjohesh në kraharorin tim.

Më mungon aroma e lëkurës tënde…

… (psherëtin)

E unë…unë a të mungoj sado pak oj Lisë?

Edhe një gjë, ke harruar brushën e dhëmbëve tek unë. ..në fakt është e vetmja gjë që më jep shpresë se do i lajmë dhëmbët bashkë një ditë.

Jam budalla?! Thua?  Mbase dhe jam Lisë, …gjithçka mund të bëhem për ty.

E ti për mua… (hesht)

Deklaroj se ti për mua je gjithçka pa të cilën nuk mundem të jetoj…

Kthehu Lisë!

Lajme të ngjashme

Back to top button