Enver Petrovci pretendent për Eurovizionin 2015

Aktori dhe regjisori i njohur shqiptar Enver Petrovci do të jetë surpriza e edicionit të 53-të të Festivalit të Këngës në RTSH që do të mbahet në Shqipëri në fund të dhjetorit. Ai vjen si konkurrent me këngën e titulluar “Të vranë bukuri”.

Emri i tij është zbuluar sot nga organizatorët e këtij festivali, eveniment që do të mbahet në datat 26, 27 dhe 28 dhjetor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Martin Leka, ka prezantuar sot për mediat formulën dhe listën e këngëtarëve fitues që do të garojnë sivjet për çmimin e parë të festivalit.

Do të jenë 28 këngë që do të garojnë sivjet në këtë festival, ku do të marrin pjesë emra të njohur të muzikës së lehtë shqiptare, por edhe këngëtarë nga Kosova, Maqedonia, e trevat e tjera shqiptare. Një tjetër emër surprizë krahas artistit Petrovci është edhe Elhaida Dani, këngëtarja e talentuar shqiptare që korri sukses në Itali duke rrëmbyer çmimin e parë në edicionin e “The Voice of Italia”.

“Enver Petrovci për kuriozitet ka sjellë një këngë, edhe ne jemi habitur. Po ju zbulojmë vetëm kaq; unë nisur nga ky kuriozitet e kam dëgjuar kolonën, do ta dëgjoni, i këndon dashurisë, por jo asaj dashurie që ne e perceptojmë gjithmonë”, ka thënë Leka, teksa ka folur edhe për Elhaida Danin.
“Ajo ka konkurruar si të gjithë këngëtarët e tjerë, është absolutisht si gjithë këngëtarët e tjerë në konkurrim”.

Edhe gazetarja Mira Tuci, këtë herë si skenariste e Festivalit të 53-të u shpreh se ishte habitur me emrin e aktorit Petrovci si këngëtar në këtë festival.

“Duke e parë nga një sy i jashtëm, syri i gazetarit, shoh emra të njohur por njëkohësisht që do t’i sjellin edhe mjaft freski këtij festivali, sepse janë emra prestigjiozë të muzikës aktuale shqiptare sot. Menjëherë po filloj me emrat. Ka edhe surpriza, kam përshtypjen se do reagoni ashtu si kam reaguar unë kur kam parë një emër që do e lexoj pak më poshtë. Enver Petrovci, me “Të vranë bukuri, aktori”, tha Mira Tuci ndër lexoi listën e 28 këngëtarëve që do marrin pjesë në festival.

Bashkë me drejtorin artistik të festivalit për këtë vit, Shpëtim Saraçin dhe skenaristen Mira Tuci, Martin Leka ka deklaruar se formula e këtij viti do të jetë që 28 këngët do të këndohen në dy netët e festivalit, ndërsa në finale do të këndohen 18 këngë të përzgjedhura gjatë dy netëve të para.

Ndërsa Edmond Zhulali, ka bërë me dije se për të marrë pjesë në Festival, pas njoftimit nëpërmjet mediave, janë paraqitur më shumë se 50 artistë, por janë përzgjedhur 28 këngë. Siç kanë shpjeguar organizatorët, praktika e përvitshme është që këngëtari fitues shkon edhe në Eurovizion, por Leka sqaroi se nuk është dhe nuk duhet të jetë ky qëllimi i “Festivalit të Dhjetorit”, pasi qëllimi primar është të ruhet tradita e këtij festivali përmes muzikës së lehtë shqiptare.

Por shumë këngëtarë tha ai e shohin Festivalin e RTSH si një trampolinë për të shkuar në Eurovizion. Edhe në këtë edicion gjykimin do ta japë një juri profesioniste, emrat e të cilës do të bëhen publike në ditët në vijim, bashkë dhe me prezantuesit që nuk janë përzgjedhur ende.

Lajme të ngjashme

Back to top button