HAPPY!

E mërzitshme, mondane, e zakonshme. Kështu duhet të jetë jeta politike në vendet më të zhvilluara, më demokratike në Botë. Në të tilla vende si Norvegjia, Zvicra, Kanadaja, ku standardi jetësor dhe mirëqenia shoqërore janë në nivelet më të larta, ku shëndetësia dhe sistemet pensionale funksionojnë gati në perfeksion, ku nuk ka konflikte as të brendshme as të jashtme; në këto vende e tillë duhet të jetë skena politike. E mërzitshme, mondane, jo interesante. Në parlamentet e këtyre vendeve me siguri nuk diskutohet për më shumë sesa për atë se sa centimetra duhet të jetë standardi i rritjes së barit në zonat publike. Ose edicione lajmesh në TV, të mbushura me storie të ngjashme, të mërzitshme. Në realitet, këta shtete vuajnë nga mirëqenia e tepërt, nga rregulli dhe disciplina e tepruar. Tek tuk mund t’ju prishet qetësia nga ndonjë emigrant me prejardhje ballkanike, por në përgjithësi është qetë, qetë, qetë. Qetë sepse kanë sisteme të zhvilluara arsimore, me shkollim të të gjitha niveleve të subvencionuara nga shteti. Qetë sepse nuk e kanë problem prejardhjen e vet, e kaluara dhe historia nuk ju rëndon moralin. Qetë sepse nuk kanë konflikte të hapura me vendet fqinje.

E mërzitshme, mondane, e zakonshme. Kështu është jeta politike në Maqedoni. Me një opozitë bojkotuese, që ngurron të debatojë sepse ka dështuar përpara popullit shumë shpesh, që më mirë le t’i vëjë çelësin dyerve. Të vazhdojnë bojkotin e të presin derisa këta të pozitës të lodhen e të mërziten nga mirësitë dhe përfitimet që jua sjell qenia në pushtet. Kësisoj opozite nuk i hyn askujt në punë. Aq më pak opinionit publik. Opozita te ne po ndikon në “kanadizimin” e jetës politike. Po e bën atë të mërzitshme, mondane, jo interesante. Në një vend me aq shumë probleme, të lejohet që jeta politike të mos jetë e nxehtë dhe debative, të mos jetë me tipare ballkanike, është mëkat. Por nuk është faji vetëm tek opozita, por edhe te sistemi të cilin e kemi ndërtuar, në masë të madhe të trashëguar nga e kaluara historike që flet për popuj të nënshtruar dhe të sunduar, sistem ky i bazuar në pasivitet. Faji është edhe te opinioni publik i cili është serviluar në heshtjen e vet servile.

Maqedonia është vend i cili është antiteza e vendit demokratik. Pikë së pari, struktura qeverisëse është e imponuar dhe jo demokratike. Kjo për dy shkaqe kryesore: e para, opozita e dobët, bojkotuese dhe e pastrukturuar krijon imazhin artificial të një klase pushtetare shumë të fuqishme dhe të gjithëdijtshme. E dyta, makiavelizmi me të cilin kjo klase pushtetare po mbahet në pushtet, është jodemokratik. Pastaj të futesh të analizosh secilën fushë të rregullimit shoqëror në vend, duke nisur nga arsimi e deri tek marrëdhëniet ndëretnike, largohesh nga koncepti i demokracisë gjithnjë e më shumë: me liri të shtypura qytetare, me një ekonomi të shtrënguar në grushtin e borxhit, me mediume të servilizuara, me një sistem arsimor në vazhdimësi eksperimental, me konflike joreale dhe të çmendura të brendshme dhe të jashtme.

Po atëherë, prej ku dreqin e morrëm në guximin të krijojmë ne një shoqëri politikisht mondane?! Si mund të lejojmë që të mos debatohet për problemet e grumbulluara të vendit? Pse ia lejojmë vetes luksin e krijimit të iluzionit të mirëqenies dhe qetësisë? Pse krijojmw iluzionin e lumturisw? Pse e shohim jetën tonë: Happy?!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button