Rasti “Monstra”, pasojat e një paraburgimi të padrejtë

Rami Sejdiu, i cili në muajin korrik të këtij viti u shpall i pafajshëm nga akuzat për rastin “Monstra”, bën të ditur për Portalb, se ende nuk e ka marrë veten.

“Ende nuk kam filluar të punoj, për momentin jam duke qëndruar në shtëpi dhe duke vizituar familjarët të cilët nuk i kam pa kohë të gjatë. Ende nuk jam i aftë të punoj, ndjehem si i humbur, kam humb takt me kohën”, tha për Portalb, Sejdiu.

Ai shtoi se ende ka stres dhe brengoset për ardhmërinë e tij.

“Ende jam i stresuar dhe nuk ndjehem mirë kur më pyesin për rastin. Është një gjë që e kam përjetuar dhe që fatkeqësisht asnjëherë nuk do ta harroj por kur ma përmendin më bën të ndjehem edhe më keq andaj mundohem t’i shmangem këtyre bisedave. Me brengos shumë e ardhmja, edhe pse u shpalla dhe jam i pafajshëm unë më jam etiketuar, jam dëmtuar shumë ekonomikisht dhe politikisht. Është vështirë të gjesh punë kur e dinë rastin tim, sepse frikësohen mos ju ndodh ndonjë gjë, jo që mendojnë që unë jam ndonjë kriminel”, tha Sejdiu.

Vazhdimësinë e rastit “Monstra” e përcjell e gjithë familja e Sejdiut dhe shpresojnë që edhe për të tjerët do të del e vërteta në pah, dhe do të shpallen të pafajshëm.

“Na vjen shumë keq për ata, sepse ashtu siç isha unë i pafajshëm, janë edhe ata. Më herët nuk i kam njohur, jam njoftuar në burg dhe me sa kam pa edhe ata janë njëjtë si unë. Ne e gjithë familja përcjellim ecurinë e rastit dhe shpresojmë që drejtësia do të del në pah”, shtoi Sejdiu.

Sejdiu kohë më parë  sqaroi për Portalb maltretimin që kishte përjetuar gjatë arrestimit dhe dërgimit në burgun e Manastirit.

Ndërkaq pala mbrojtëse e rastit “Monstra” dorëzoi të premten ankesën në Gjykatën e Apelit lidhur me aktvendimin që u shpall për të akuzuarit e këtij rasti.

Avokati mbrojtës, Naser Raufi bëri të ditur për Portalb, se tani pritet përgjigje nga prokuroria e cila duhet të jepet në afat prej tetë ditëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button