Padi penale ndaj tre personave të përfshirë në incidentin e Kondovës

Ndaj tre personave të përfshirë në incidentin në Kondovë, poolicia ka ngritur padi penale.  Vëllezërit Qani dhe Kenan Neziri dyshohen për vepër të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme, ndërkaq Jonuz Jakupi për veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm. Policia gjithashtu zbardhi se incidenti mes vëllezërve të dy familjeve ka rezultuar si pasojë e mosmarrëveshjeve paraprake. Zënka fillimisht verbale mes vëllezërve Neziri dhe Jakupi shumë shpejt ka degraduar në shkëmbim zjarri pasi të gjithë pjesëmarrësit në incident kanë poseduar armë. Përveç 4 vëllezërve, i lënduar në këtë sherr ka mbetur edhe një punëtor i çajtores në Kondovë, transmeton Alsat.

Policia gjithashtu konfirmoi se Jonuz Jakupi dhe Kenan Neziri janë pjesëtarë të ARM-së, ndërkaq Qani Neziri – pjesëtar i policisë, i cili gjatë përleshjes ka përdorur armën zyrtare edhe pse jo në detyrë. Policia po heton dhe këtë rast. Për momentin mbetet e paqartë se çfarë masash do të merren kundër Zejdi Jakupit. Ndryshe, pjesëtarët e dy familjeve janë aktivistë të BDI-së ndërkaq jo zyrtarisht, arsyeja për incidentin në Kondovë janë mosmarrëveshjet mes dy taborëve të BDI-së në Saraj.

Tensionet mes dy grupeve ishin në prag të kulmimit pak përpara zgjedhjeve për kryetar dege në Saraj, në janar të këtij viti. Megjithatë pas ndërhyrjes së liderit të BDI-së Ali Ahmeti, ato u qetësuan. Por, rivaliteti mes dy grupeve u rikthye në skenë kur Kryesia e BDI-së sërish mori vendim që të shpall zgjedhje në të gjitha degët e BDI-së, përfshi edhe atë të Sarajit. Zgjedhjet nëpër degë duhet të përfundojnë deri në fund të këtij muaji, ndërsa Saraji pikërisht për shkak të problemeve, deri tani nuk ka arritur të organizojë kuvend zgjedhor.

Megjithatë nga partia e Ahmetit mohuan se incidenti ka të bëjë me procesin zgjedhor brenda strukturave të BDI-së në këshillat vendor dhe degën e Sarajit.

Lajme të ngjashme

Back to top button