EUROPA ËSHTË DIÇKA TJETËR

Shqiptarët kanë vuajtur, por nuk janë ndërgjegje lënduar. Kombet ndërgjegje lënduar (edhe pse krimet nuk i bën i gjithë kombi), arrijnë paqen me veten e të tjerët duke vuajtur dënimin e ndërgjegjes, ashtu siç e vuajti Raskolnikovi i Dostojevskit, siç e vuajtën persona realë, që i njeh historia, siç e vuajtën grekët, shkaku i shkatërrimit të Trojës apo gjermanët për shkak të tmerreve naziste. Kështu arritën paqen me vetveten nëpërmjet pendimit dhe përulësisë. Elitat politike serbe, fatkeqësisht, nuk japin sinjale për vrasje ndërgjegje për shkak të krimeve ndaj popujve të Ballkanit. Më keq: identifikohen me viktimën! Për sa kohë nuk ka përulësi e pendim nuk mund të pritet pajtimi, që do të hapte udhë të reja për rajonin. Këtu gabon Europa kundrejt Serbisë. Ajo kërkon Serbi të re, që nuk shkëputet nga mendësia e vjetër.

Shqiptarët kanë një zgjidhje dhe ajo është vetëm Europa. E keqja në historinë shqiptare ka ndodhur sa herë e kanë humbur Europën; sa herë ajo i ka braktisur e harruar. Ora e fatit, në periudhat e këtilla, ka shënuar një të madhe gjamë.

Shqiptarët nguten që të jenë pjesë e Europës edhe pse për këtë nuk mjafton vetëm përsëritja e refrenit për integrime. Duhet edhe shpirti i europianizmës. Duhet punuar për këto ideale me dashuri e mend.

Përpjekjet më të respektuara mendore të shqiptarëve, të bazuara në idealet europiane, duhet të na shërbejnë si modele udhërrëfyese, sepse koha i ka dëshmuar se kanë qenë vizionare, kurse ata që kacagjelohen kundër këtyre idealeve, shkojnë në drejtimin e kundërt të historisë.

Shqiptarët, ndonëse adhurues të integrimit europian, u tronditën sakaq nga një vendim skandaloz i UEFA-s. Ka një shpjegim: vendimi ishte në favor të Serbisë. Po të ishte ndonjë shtet tjetër do të kapërdihej disi, por kur ju dha fitorja në tavolinë ekipit serb, tifozët e të cilit kërkuan vdekjen e shqiptarëve, edhe më keq kur Serbia vetëm para disa vitesh kishte vrarë mijëra shqiptarë, ndërkohë që fotot e kriminelëve shfaqeshin në stadiumin e histerisë shoviniste, kjo nuk u gëlltit dot. Një ndeshje futbolli, për këto shkaqe, përfitoi një tjetër kuptim – të përplasjes pothuajse epike.

Shqiptarët me të drejtë u zhgënjyen nga vendimi i UEFA-së që, në rend të parë, dëmtoi vetë futbollin. Por nuk kanë të drejtë ta mallkojnë e ta shajnë Europën kulturore e politike. Europa si ideal është më shumë se sa lojë futbolli, është më shumë se sa UEFA, është më shumë se sa Platini. Një lojë e humbur futbolli, ndonëse padrejtësisht, nuk është fatale për shqiptarët. Fatale është humbja e besimit në vlerat europiane.

Përsëritja e vargut për Europën si “kurva e motit” tingëllon keq. Shkrimtarët e mendimtarët shqiptarë e kanë “fyer” Europën sepse nuk janë pajtuar me indiferencën e saj. Nënteksti ka qenë: ç’dreqin na harron e na braktis përderisa ne të duam. Pastaj, me mburrje, ja kanë kujtuar se ishin pjesë e ripërtëritjes së gjeniut të saj, se i kishin dhënë emra të mëdhenj dhe i kishin shërbyer në ngjarje të mëdha vendimtare etj.

Gjergj Fishta e quajti “kurva e motit” sepse Europa po shkonte kundër idealeve të veta.  Rusia ju hakmor Fishtës duke kërkuar nga satelitja e saj shqiptare që vepra e tij të futej në indeksin e librave të ndaluar. Pra, shqiptarët kanë bërë edhe zgjedhje të gabuara. Janë orientuar drejt Moskës e Pekinit, që nuk sollën asgjë të mirë.

Shqiptarët e Maqedonisë gjithashtu janë përcaktuar për integrimin europian. Zyrtarë maqedonas shohin dhe agjenda të tjera, në opozitë të përjetshme me synimet, vlerat dhe idealet europiane, që kanë ngjallur jo pak shqetësime, brenda dhe jashtë Maqedonisë. Politikanët shqiptarë në Maqedoni, duke qenë të paaftë t’i pengojnë veprimet e këtilla politike, firmosin humbjen e vet. Ndërkohë qarqe të ndryshme vazhdimisht përpiqen të modelojnë një maskë të shëmtuar për shqiptarët, kudo ku jetojnë, nëpërmjet së cilës synojnë t’i prezantojnë te të tjerët. Ashtu siç nuk janë në të vërtetë. Historikisht kanë shfrytëzuar çdo situatë dhe çdo eufori tonën për të na ngjallur ndjenja antieuropiane, ashtu sikurse tentojnë edhe sot, ndonëse është e kundërta, për çka dëshmojnë sondazhet e shumta.

Për këtë shkak, një vendim i padrejtë i UEFA-s, që bie në kundërshtim me vlerat europiane, duhet të na dëshpërojë, madje edhe sikur të ishte vendim i padrejtë për ndonjë kombëtare tjetër, por jo edhe ta humbim besimin në vlerat dhe idealet europiane.

Ndërkohë princat tanë të kudondodhur duan që euforia të vazhdojë deri në pakufi, pa u merakosur për pasojat, sepse kështu harrohen hallet e përditshmërisë. “Bukë e festa” thoshin latinët. Konstruktet e tyre mentale, në thelb tribale, nuk janë kompatibile me idealet europiane.

Situata nuk është shqetësuese dhe ndonjë kthesë e rrezikshme nuk ka ndodhur në raport me orientimin e deklaruar dhe të adhuruar pro-europian të shqiptarëve. Megjithatë duhet të nisim të reflektojmë më ndryshe dhe të mos bëhemi pre e euforisë dhe mburrjes. Humbja e një ndeshje futbolli në tavolinë la këtë mesazh: e drejta nuk fitohet nëpërmjet euforisë e mburrjes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button