“Doing Business”, BB: Shqipëria ngjit 48 shkallë

Banka Botërore e klasifikoi Shqipërinë si ekonominë me përmirësimin më të madh në klimën e biznesit për vitin 2014.

Në raportin e fundit “Doing Business”, Banka thotë se renditja e Shqipërisë është përmirësuar me 48 shkallë, duke u ngjitur nga vendi i 109 në botë, që ishte një vit më parë, në vendin e 68 këtë vit.

Pas Shqipërisë, sipas raportit, ekonomitë e tjera që kanë shënuar përmirësim të fortë në klimën e biznesit janë Xhamajka dhe Kolumbia.

Sipas Bankës, rritja e vlerësimit për Shqipërinë ka ardhur për shkak të një sërë reformash të ndërmarra gjatë këtij viti, ku përfshihet lehtësimi i regjistrimit të bizneseve, ulja e kohës për lejet e ndërtimit, adoptimi i rregullave të reja për ndërtesat dhe informatizimi i procedurave për regjistrimin e pronave.

Ndërsa i vetmi tregues, ku ka shënuar përkeqësim sipas Bankës, është pagesa e taksave, për shkak të rritjes së tatim-fitimit.

Kjo është hera e dytë, që ekonomia shqiptare shënon – sipas Bankës Botërore – një përmirësim kaq të fortë në klimën e të bërit biznes. Hera e para ishte në vitin 2009, kur vendi u klasifikua ndër dhjetë ekonomitë më reformatore në botë.

Por, që pas atij viti, renditja e Shqipërisë në raportin e biznesit është përkeqësuar në mënyrë konstante, çka e çoi ekonominë tonë në vendin e 109 në botë. Përmirësimi i këtij viti e risjell ekonominë shqiptare më afër vendeve europiane, në renditjen globale të klimës së biznesit. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button