Jahjaga: Kosova në fazë kritike, po lëkundet qëndrueshmëria e shtetit

Kosova ka hyrë në një fazë kritike ku qëndrueshmëria e shtetit po lëkundet.

Një vlerësim i tillë, jepet nga Zyra e Presidentes Atifete Jahjaga, përmes zëdhënësit Arbër Vllahiu.

Andaj u kërkohet liderëve të partive politike që të gjejnë zgjidhje për tejkalimin e krizës rreth formimit të institucioneve, para se vendi të kalojë në një krizë jo vetëm politike, por edhe financiare e buxhetore.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Vllahiu ka rikujtuar se për një muaj, presidentja Jahjaga ka lehtësuar procesin, duke takuar liderët e partive politike në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes e cila do të respektonte vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe do të ishte në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Por, deri më tani, një zgjidhje e tillë nuk ishte ofruar.

“Vendi tani ka hyrë në një fazë kritike, kur qëndrueshmëria e tij po lëkundet, kur gjithashtu po rrezikojmë futjen në një krizë të thellë jo më politike, por buxhetore dhe financiare dhe kur po rrezikohet mirëqenia e qytetarëve. Mos të harrojmë se pa konstituimin e Kuvendit nuk do të mund të miratohet ligji për buxhetin, i paraparë nga fundi I muajit nëntor dhe kjo nënkupton që nuk mund të garantojmë funksionimin e shtetit”, ka deklaruar Vllahiu.

Takimet e deritashme të presidentes Jahjaga me liderët politik u zhvilluan ndaras, ndërkaq ka një ide që të organizohet edhe një takim i përbashkët i tyre në Presidencë./AS

Lajme të ngjashme

Back to top button