Shkupi mori masa, po Tetova?

Si pasojë e ndotjes së ajrit, e cila në disa qytete është në nivele alarmante, sidomos në në Tetovë, Kërçovë, Manastir si dhe disa komunat të qytetit të Shkupit, ky i fundit doli me masa konkrete për ta ulur nivelin e ndotjes. Qyteti parashikon vendosjen e një regjimi të ri për komunikacionin.

Nga ana tjetër, përderisa Tetova mbytet në ajër kancerogjen, qyteti që mban rekordin me ajrin më të ndotur nuk ka ndërmarrë ndonjë masë të veçantë, përpos rekomandimeve të dhëna të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Përderisa stacioni matës në Tetovë tregoi praninë e PM10 diku rreth 234 mikrogramë në metër kub, statistikat tregojnë se Tetova sivjet nga 288 ditët e kaluara në bazë të matjeve të bëra 233 ditë qytetarët kanë frymuar ajër të ndotur ku përqendrimi i materieve kancerogjene ka qenë i madh , disa herë mbi masën e lejuar.

Zëdhënësja e Komunës së Tetovës, Lume Hyseini për Portalb thotë se komuna s’mund të bëjë më shumë në komunikacion sepse Tetova nuk paska transport publik ndërsa si masë të marrë e konsideron mbylljen e fabrikës “Jugohrom” të pritur më 31 tetor.

“Masa kundër ajrit të ndotur në Tetovë janë marrë. Është paralajmëruar mbyllja e Jugohromit nga ana e Ministrisë së Mjedisit, kurse ne si Komunë kemi ndjek rekomandimet e Qeverisë dhe kemi vendos ndalesa për kamionët, pastaj japim leje të integruara B për hapjen e firmave, të cila nuk ndotin ajrin si dhe jemi munduar që të gjelbërojmë qytetin.” shprehet Hyseini.

Por masat në fjalë në lidhje me ndalesat e komunikacionit të ndërmarra nga Qeveria e Maqedonisë, bashkë me Komunën e Tetovës dhe Ministrinë e Ambientit Jetësor kundër ndotjes së ajrit janë thuajse identike me masat e ndërmarra nga komuna para katër viteve, por që nuk u respektuan asnjëherë.

Mjeku Ratko Davidovski, specialist i higjienës dhe ekologjisë mjekësore në Qendrën e shëndetit publik në Tetovës, shkaqet e ndotjes disavjeçare në Tetovë janë të shumta duke filluar nga djegia e deponisë, shtimi i numrit të veturave, mospasja e hapësirave të mjaftueshme të gjelbra. Sipas tij, në mënyrë plotësuese gjendjen me ndotjen e rëndon pozita gjeografike e qytetit që nuk mundëson freskimin e ajrit. Sipas tij kjo gjendje do të ndikojë keq në shëndetin e qytetarëve tetovarë nëse nuk merren masa.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik kanë nxjerrë në pah se qytetarët e Maqedonisë gjithnjë e më shumë ankohen nga sëmundjet të cilat janë të ndërlidhura me ndotjen e ambientit jetësor, përkatësisht 40 për qind e qytetarëve të cilët kanë kërkuar ndihmë shëndetësore muajin e fundit janë ankuar nga problemet me sistemin respirator.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button