Të dytët i bëjnë të tretët të vërtetët

Nëse do thuhej se ka problem evident me përfaqësimin dhe artikulimin politik në Maqedoni, kjo nuk do ishte asgjë e re e thënë. Por, ndonëse nuk është gjë e re dhe madje e përsëritur prapë kjo nuk ndryshon asgjë nga nevoja ashiqare për përmirësim të artikulimit politik në Maqedoni. Kjo sidomos në pjesën e politikës shqiptare ku prej kohësh ziejnë dhe paralajmërohen iniciativa krejt të reja politike. Dhe në kundërshti me argumentimin sipas shkak-pasojë bile mund të thuhet se kjo është pasojë e boshllëkut të vërejtur sidomos në pjesën shqiptare ku moti kohë nuk është vërejtur ndonjë organizim serioz politik, i cili vërtetë do bëjë dhe artikulojë politikë në Maqedoni.

Pra, si për paradoks mu kjo nevojë për iniciativa të reja argumentohet me vet to. Ashtu nëse do ishin të vërteta partitë ekzistuese e struktura të organizuara politike zor se do kishte bile as biseda për iniciativa tjera të reja. Kështu nëse duhet të shtjellojmë më tej këtë argumentim mjafton për një moment të paramendojmë se si aktualisht do ishte dukur opinioni politik nëse vërtet partitë ekzistuese do kishin mbushur misionin e përfaqësimit të cilin e pretendojnë përfaqësimin dhe artikulimin politk të shqiptarëve në Maqedoni.  Ashtu sipas paramendimit tani do kishim debate për zgjedhjet partiake në BDI kurse reformat e brendshme të PDSH-së do kishin zënë vend të madh në opinion. Do kishte rekrutim dhe inkuadrim të njerëzve nëpër ato dy parti, qeverisje dhe opozitë të vërtetë politike, deklarata dhe konferenca shtypi të përditshme për çështje dhe zhvillim dhe prezantim të politikave me të cilat do rregulloheshin ato, etj. Diçka që këto dy organizime e bëjnë nga pak, por fatkeqësisht vetëm në muajt kur ka ndonjë ciklus zgjedhor. Kurse para dhe pas këtyre periudhave zgjedhore janë të tjerë ata që bëjnë dhe implementojnë politika kurse niveli i këtyre mbetet në bërjen e disa konstatimeve dhe analizave.

Kështu edhe demantohet argumenti kuantitativ, i cili përbëhet kryesisht në atë se argumenton sipas sasisë dhe numrit të përgjithshëm të shqiptarëve në Maqedoni panevojshmërinë e ndonjë iniciative ose organizimi tjetër përveç dy partive ekzistuese. Pra ky argument edhe nuk ka përdorim pasi disa nga iniciativat e reja tani po sfidojnë vërtetësinë, të qenit vërtet parti politike, të organizimeve ekzistuese politike.

Ngjashëm është puna edhe me argumentin e përçarjes të votës shqiptare. Kjo në dy pika; e para është nga mospërfaqësimi politik, tani i argumentuar shpesh me numra real, të mungesës gjithmonë të mbi gjysmës së votave eksiztuese shqiptare në Maqedoni, në çdo ciklës zgjedhor. Ku nga më shumë se katërqind mijë votave te supozuara shqiptare vetëm dyqind mijë prej tyre realizohen si vota.

Por, edhe nga pika e dytë e që ka të bëjë me sistemin zgjedhor dhe problemet për ndarjen e njësive zgjedhore që deri çdoherë shpesh ndodh në dëm të votës shqiptare. Ashtu këto organizime që përmendin rrezikun e humbjes dhe përçarjes së votës do duhej paraprakisht të kishin përmirësuar modelin zgjedhor që e humb në fakt atë votë. Fakti që ndonëse janë të këqyra në reforma dhe iniciativa mbi ligjet dhe rregullat zgjedhore, qoftë si pozitë apo edhe opozitë, nuk ndërmarrin asgjë për këtë përmirësim të modelit flet se në fakt këta e quajnë humbje të votës dhe përçarje vetëm kur ajo shkon në konto të ndonjë të treti eventual nga ndonjë iniciativë politike shqiptare. Kurse nuk e kanë brengë nëse ajo humbet e pakthyeshme dhe as kur ajo shkon në dobi të partive maqedonase të pozitës ose opozitës siç është rasti në njësitë e përziera zgjedhore numër 1,2 dhe 5.

Këto dhe frika që shfaqet tek organizimet aktuale sapo dikush flet për iniciativa të reja politike dëshmon pasigurinë e tyre politike. Si ndryshe mund të shpjegohet që kryetari i një partie që ka shumicën e votave shqiptare të komentojë mbi iniciativa të reja ndonëse ata janë ende vetëm ide të shtjelluara në opinion. Ende pa u konsistuar, regjistruar e as bërë ndonjë hap konkret politik meritojnë komentin e liderit të partisë politike në pushtet dhe me aq shumë vota? Ndoshta kështu edhe ndodh që të parët dhe të dytët gjithmonë i bëjnë të tretët të jenë të vërtetët, bile ende ata pa qenë të vetët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button