Të gjithë në ferr

Xhon Espisito, një njohës i mirë i Krishterizmit dhe Islamit thotë – “Njerëzit e mirë vet bëjnë vepra të mira. Njerëzit e këqinjë vet bëjnë vepra të këqia. Por t’i detyroni që njerëzit e mirë të bëjnë vepra të këqia do të duhet shumë manipulim fetar”.

Te ne, akoma punët e religjioneve trajtohen si “tabu” dhe rrallë kush vendos të shkruajë, ndërkaq pasojat janë të mëdhaja. Pasi që ajo që sot nuk luftohet, nesër do tu mposhtë. Në parim çdo religjion duhet të propagojë paqë, tolerancë, dashuri, bashkëjetesë, dhe drejtësi. Por, vallë e kemi këtë dhe ndër udhëheqësit tanë fetarë?! Për fat të keq te ne fetë janë të okupuara nga demonët – thotë një njohës i mirë i rrjedhave në bashkësitë religjioze të këtuit. Keqpërdorimi i Zotit për qëllime politike është shndërruar në praktikë të re fetare. Religjionet tona vite me radhë janë shndërruar në përkrahës dhe përmbajtës të pushteteve të shëmtuara. Keqpërdorimi i feve te ne është shndërruar në çështje rutinore, por edhe në mekanizëm për arsyetim të veprave të shëmtuara tek udhëheqësit politik. Madje edhe si angazhim për dhënie dozë morali këtyre veprave të pamoralshme.

Çdo ditë shohim liderë politik që kanë nevojë publikisht të tregojnë se janë fetarë të mirë, të moralshëm, të drejtë, humanë, kurse veprat flasin të kundërtën. Me atë, ato vetëm që duan të maskojnë amoralitetin dhe pandershmërinë. Por, fakt është se prijësit fetarë u bëjnë amin këtyre vargjeve dhe punëve të satanës. Zotin e kanë sjellë në pozitë që ta trajtojnë si partner koalicioni në veprat e shëmtuara, madje edhe me krimin e organizuar. Pasi shpesh edhe vet janë pjesë e këtij “koalicioni”. Tani vështirë e kemi të dallojmë se prijësit fetar më tepër i shërbejnë botës në nëntokë apo botës së nëntokës. Çdokush sot e di mirë se bashkësitë fetare në vend që të bashkojë ata ndajnë në baza të ndryshme. Ata promovojnë, nxisin dhe mbjellin urrejtje. Demonstrojnë dominim ndaj feve tjera dhe manipulojnë gjer në nivel sa edhe djalli ua ka zili. Madje edhe Zotin e ndajnë në shumë pjesë, a thonë që është vetëm NJË. Kjo prodhon fanatikë fetare që preferojnë vetëm “Zotin e tyre”. Miliona njerëz vuajnë për shkak të qeverisjes së papërgjegjshme e jomorale, kurse fetë heshtin!

Miliona njerëz jetojnë në mjerim nga grabitjet shekulllore dhe krimi i organizuar, kurse religjionet vazhdojnë të heshtin. Dënohen njerëz të pafajshëm, shkelen e malltretohen pamëshirshëm vlera elementare, kurse fetë vazhdojnë të heshtin. Njerëzve me dhunë u merren bizneset, kurse prijësit fetar heshtin. Madje edhe kur nuk heshtin ata aminojnë të keqen. Njerëzit rrëzohen kurse përmendoret ngriten, madje gjitha të rrejshme, kurse përgjegjësit fetarë heshtin. Duket se punët e djallit u janë më të përafërta se të Zotit. Këtu është fat të jesh përmendore, kurse fatkeqësi të jesh njeri, por përsëri heshtje. Ndodhin vetëvrrasje, shkatërime familjare, degjenerime, por ja që vazhdimisht heshtet. Vallë përse njerëzit duhet të jenë të lidhur për to?! Ata drejtpërdrejtë mund të lidhen për Zotin. S’kanë nevojën e tyre. Kështu vetëm se ndihmojnë luksin e tyre!

Kishtë mbet pa frymë gazetari i të përditshmes serbe “Politika” kur kishte parë aq shumë vetura luksoze para një bashkësie fetare, me të cilat voziten mitropolitët dhe të tjerë pa dallim rangu. Sa më i lartë rangu aq më i ultë morali. Ky nivel luksi në këto kushte mjerimi të popullatës, nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me Zotin. Xhipe të shtrenjta me xhame të errëta, ora të shtrenjta, zyre të pajisura nga mrekullitë e fantazive orientale, rroga të mëjme, honorare astronomike dhe çka mos tjetër?! Sikur duan të tregojnë se parajsa na qenka e mundur edhe në këtë botë?! Dihet se pas xhameve të errëta nuk mund të fshihen punë të ndritshme. Erësira është simbol i djallit.

Logjikisht se sekularizmi nuk nënkupton ndërprerje të çdo kontakti me pushtetin. Përkundrazi, bashkësitë fetare duhet të luftojnë për moralin shoqëror, por paraprakisht të njëjtin duhet vet ta posedojnë. Nuk ka të bëjnë me Zot antagonizmat me religjionet tjera, apo të njëjtat t’i mohoni ose satanizoni. Nuk ka të bëjë me Zot përkrahja pushteteve jolegjitime, diktaroriale, të cilat shkelin mbi bazat e etikës, mbi jetën dhe dinjitetin, mbi drejtësinë dhe të vërtetën. Nuk ka të bëjë me Zot heshtja kur njerëz të pafajshëm burgosen, diskriminohen, diskreditohen. Nuk ka të bëjë me Zot kur shpërblehen hajna kurse dënohen të ndershëm. Në botën normale, heshtja e predikuesve fetarë trajtohet si mëkat më i madh se sa veprat e zymta të udhëheqësve politikë. Nëse religjioni është i ndarë nga shteti, kjo nuk nënkupton se ndokush nga politika nuk duhet të ketë ndjenja fetare. Apo ndonjë prijës fetar të mos ketë simpati ndaj ndonjë obcioni politikë. Por, këtu bëhet fjalë për diçka tjetër. Këtu është bërë religjionizimi relativ i politikës dhe politizimi absolut i religjionit. Këtu nuk ka vend për asnjë gram moral. Gjithnjë e më shumë udhëheqës fetarë bekojnë punë publike të politikanëve pas të cilave fshehen veprime të krimit. Pasi është shumë më profitabile t’i këndoni djallit se sa t’i shërbeni Zotit. Në këso gjendje destinacion i fundit është ferri. Por, së pari ferri i kësaj bote. Por, sidoqoftë njerëzit masovisht humbin besimin në bashkësitë fetare, madje edhe kur vet janë fetarë. Pasi këto bashkësi nuk mund të amnestohen për gjendjen katasrofale. Në shumë diktatura latinoamerikane, feja ka mbrojtur njerëzit, madje duke rrezikuar veten. Pasi, Zoti para së gjithash. Në fakt ne duhet të shpëtojmë së pari nga ferri i kësaj bote, para se të mendojmë për ferrin tjetër. Nëse një të keqe nuk e luftojmë, së shpejti ajo do të na mundë. Tani na ndodhë ajo…

Lajme të ngjashme

Back to top button