Adrian Gaxha, këngëtari që di të sjell vetëm hite (Intervistë)

“Ngjyra e kuqe” është kënga me të cilin këngëtari shkupjan Adrian Gaxha “bombardoi” skenën muzikore shqiptare. Pas suksesit që pati në festivalin Kënga Magjike nuk u ndal, vazhdoi të prodhojë hite së bashku me Florianin.

Më sens humori dhe sinqeritet Adrian Gaxha për Portalb nuk hezitoi të na tregojë shumë gjëra! Ai flet për suksesin e fundit me këngën “Oj ti qik”, tregon për projektet të cilat ka në plan ti realizojë, për jetën e tij private.

Intervistoi: Zekirja Mexhiti

Portalb: Adrian, na thuaj si po e kalon kohën, me çfarë merresh aktualisht?

A.Gaxha: Jam i fokusuar më shumë në prodhimin e këngëve te reja, aktualisht merrem me dy këngë. Projekti i parë është ai i Florianit, kënga e tij e parë solo si këngëtar, sepse prej kur kemi filluar me Florianin kemi bërë vetëm duete ndërsa kjo këngë do te jetë e para e tij solo. Është normale edhe ai duhet te vazhdoj karrierën. Në fillim të muajit nëntor kemi xhirimin e klipit nga kompania Entermedia. Po ashtu, jam duke punuar edhe në këngën time me të cilën do ta promovoj edhe një artist të ri. Bëhet fjalë për Lindon Berishën, është djali i Agron Berishës. Ai është një djalë tepër i talentuar andaj e kam si mysafir në këngën time.

Portalb: Në media është paralajmëruar një hit me Morena Tarakun?

A.Gaxha: Morenën e kam shumë shoqe, kemi vendosur te bëjmë diçka bashkë. Megjithatë ende nuk kemi precizuar se çfarë konkretisht, a do ta kem unë atë mysafire në këngë ose ti bëj ndonjë projekt të veçantë.

Portalb: Si shkoi sezoni i koncerteve, sa jeni të kënaqur?

A.Gaxha: Kemi qenë shumë të angazhuar gjatë verës, më shumë kemi qenë në Kosovë, Shqipëri, Ulqin dhe në Mal te Zi. Kemi kaluar shumë mirë, dhe tani jemi fokusuar më shumë në studio.

gaxhaa

Portalb: Si e zbuluat talentin e Florianit, në fakt si u njohët me të?

A.Gaxha:  Rastësisht e kam parë kur një miku im më dërgoi videon e tij në Facebook në të cilën babai i tij e kishte inçizuar me telefon duke kënduar. U befasova për të mirë kur e dëgjova Florianin si e këndon një këngë të Danit. Në fillim madje mendova se ai është nga diaspora. Kur më treguan se ishte nga Shkupi, disi e ndjeva si obligim se duhet të bëj diçka për të, sepse deri atëherë çka kisha punuar kisha investuar për ardhmërinë time ndërsa mendova që kur e ke dhe mundësinë për të bërë diçka për tjerët, pse mos të bëj? Sigurisht pra, që ia vlejti sepse është me të vërtet talent tepër i madh. Pasi kontaktova me të, kalova një kohë për ta njohur atë, të zbuloja se ku ta drejtoj, në çfarë stili, çfarë më shumë atij i flen në shpirt… për 8 muaj gati 1 vit pasi e njoha, e realizuam këngën “Ngjyra e kuqe” dhe dukshëm kishim një sukses të madh. Definitivisht mund të them që është suksesi më i madh i gjithë festivaleve. Sipas statistikave, as kënga e Evrovizionit s’ka pasur më shumë klikime brenda një kohe si dhe kemi pasur rekord edhe në Youtube.

Portalb: Kënga ‘Oj ti qik’ ishte vërtet një hit që u dëgjua gjithandej ku kishte shqiptarë, kënga arriti të grumbullojë më shumë se 3 milion klikime edhe në Youtube, si e pritët këtë sukses?

A.Gaxha:  Kënga ‘Oj ti qik’ ka qenë kënga e parë qe kam bërë në studio. Kënga është e bukur, e kam pritur që publiku do e pëlqejë sepse është një këngë e kapshme e kombinuar me dy stile të muzikës, ndërmjet folkut dhe asaj pop.

Portalb: Do të vazhdosh të punosh me Florianin edhe pasi që ai të nis karrierën solo?

A.Gaxha:  Po, do vazhdojmë të punojmë bashkë, pastaj do e bëjmë gjithë albumin e tij solo. Megjithatë, tani për tani jemi fokusuar në këngë “single” sepse tani kanë ndryshuar koha e albumeve, tani me se shumti vlerësohen këngët e vetme, apo “single” sesa albumi.

Floriani dhe Adrian Gaxha

Portalb: Përpos që je këngëtar je edhe producent, si po ec puna në këtë drejtim?

A.Gaxha:  Është shumë vështirë, por koha e re ta imponon qe të merresh me më shumë punë. Ka ditë që pasi jam zgjuar nga gjumi më kanë kaluar 4-5 orë duke menduar si ta startoj ditën, a të futem ne studio ose të merrem me tekste apo me organizimin e koncerteve…? Sidoqoftë, më vjen shumë mirë sepse janë te rralla këto ditë dhe kur e di se kush je, çka je dhe çka është qëllimi yt, problemet zhduken. Për momentin kam nën menaxhim vetëm Florianin. Kohës fundit më janë ofruar shumë këngëtarë të ri për punë, për t’u ndihmuar pak, por unë jam tip i atillë që kur e marr një punë, dua seriozisht ta çoj deri në fund ose fare nuk e filloj. Ndryshe, çdo jo-seriozitet në punë i ka pasojat e veta dhe s’dua të dëmtoj asnjërin, thjeshtë mezi ia dal me Florianin dhe me veten e jo më të menaxhoj edhe dikë tjetër.

Portalb: Keni menduar të zgjeroni edhe më shume biznesin tuaj, në menaxhimin e mbrëmjeve në “Gaxha Bar”?

A.Gaxha: Gaxha Bar është lokali i parë në Shkup që ka mbrëmje kulturore me këngëtarë të kulturave të ndryshme. Në mbrëmjet e radhës në këtë lokal janë gjithë këngëtarët më të mirë të estradës, nuk dua te jem egoist, por janë emra që nuk ka mundur askush ti sjell në Shkup.

Portalb: Në cilin qytet shqiptar ndjeheni më mirë dhe pse?

A.Gaxha:  Është shumë vështirë të bëj një ndarje të prerë. E them të drejtën, që si në Shkup ndihem mirë ashtu edhe në Prishtinë e Tiranë.

Portalb: Cili artist shqiptar ju pëlqen më së shumti dhe nga cili inspiroheni?

A.Gaxha: Sot është vështirë të veçoj ndonjë autor sepse gjithë kanë kualitete, duke filluar nga top producentët si që janë Zapp&Chris…Mua më pëlqejnë të gjithë dhe gjithë ata kolegë që unë bashkëpunoj dhe kam miqësi të mirë janë tepër kualitativ dhe janë shumë modern. Kjo me pëlqen, thjeshtë, mua me jep edhe më shumë vullnet nëse Noyizi apo Tingulli Trent lansojnë ndonjë hit të mirë. Kjo ma shton vullnetin sepse jam i atillë që nuk mbaj inate por më vjen mirë kur ne shqiptarët kemi muzikë të mirë dhe kemi mundësi të punojmë.

Adrian Gaxhaa

Portalb: Përmendët inatet në skenën shqiptare, ku paraqiten më shumë?

A.Gaxha: Normal që inate ekzistojnë sa të duash, por mendoj se gjaku më i nxehtë është te ata që e kanë herën e parë që futen në estradë, më shumë te të rinjtë.

Portalb: Përpos që pëlqehesh si këngëtar, pëlqehesh edhe si mashkull i bukur. Për këtë arsye jemi të sigurt që shumë femra duan të dinë a je i lidhu apo “gjuan” ndokënd..?

A.Gaxha: Po jam single, gati 1 vit dhe shyqyr Zotit që kam shpëtuar (qesh). Kam pasur lidhje të gjata por tani gati 1 vit jam i lirë dhe pa të dashur.

Portalb: Kemi parë shpeshherë ish të dashurën tënde (Luanën) duke pozuar para lokalit tënd, e disa herë të ka ngacmuar me disa statuse, na thuaj a keni kontakt tashmë me ish të dashurën?

A.Gaxha: Jo kontakte nuk kemi më, jemi ndarë me raporte të mira por nuk kontaktojmë.

Portalb: Ku mund të të shkruajnë fansat në rrjetet sociale sepse nuk shohim ndonjë profil zyrtar tëndin?

A.Gaxha: Me thënë të vërtetën jam pak i dobët në këtë aspekt sepse sot e kësaj dite nuk kam një faqe timen në Facebook. Mendoj që është gabim i imi që e kam lënë anash këtë punë por do të shoh cfarë mund të bëj në atë drejtim.

1505382_358368051007557_8284905008009971478_n

Portalb: Ju faleminderit për intervistën, urojmë që hitet të mos të ndalen.

A.Gaxha: Ju faleminderit edhe juve dhe ju dëshiroj shumë suksese.

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button