Kodra e Diellit edhe gjatë kohë do të mbetet pa teleferik

Edhe pas 13 viteve nga dëmtimi, ndërtimi ose riparimi i Teleferikut prej Tetove deri në Kodrën e Diellit, nuk është ndër prioritetet e Qeverisë. Nëse Teleferiku për në Vodno u ndërtua në afat rekord prej dy vitesh, ndërtimit eventual të Teleferikut të Tetovës i është dhënë afat deri më vitin 2025, edhe atë kjo të kryhet përmes të ashtuquajturit partneritet publiko-privat, shkruan Koha.

“Llogaritë e para janë se për riparimin e plotë të teleferikut ekzistues nevojitën rreth 12 milionë euro, ndërsa projekti ideor për ndërtimin e një modeli të ri të teleferikut kushton rreth 15 milionë euro. Pra, më mirë do të ishte që të vendoset një model i ri, normalisht me financa të shtetit për të lidhur sërish me këtë lloj transporti qytetin e Tetovës me këtë pikë turistike”, thonë nga Qendra e skijimit në Kodrën e Diellit. Sipas tyre, Kodra e Diellit në Tetovë ka pasur teleferik që nga vitet 70-ta dhe ka funksionuar deri në luftën e 2001-shit dhe ai ka lidhur Tetovën me qendrën turistike për skijim, por gjatë luftës në 2001, janë dëmtuar kabllot për transportin e kabinave.

Vendosja në funksion e teleferikut dukshëm do të ndikonte në rritjen e numrit të turistëve për shkak se vijën rrugore që vizitorët e bëjnë më veturat e tyre është e gjatë rreth 20 kilometra, por edhe e vështirë.

Edhe nga Komuna e Tetovës konfirmojnë se situata momentale e Teleferikut të Tetovës është e tillë sa që nuk premton se shumë shpejtë mund të vendoset sërish në funksion, për arsye se nevojiten shumë para të cilat kjo komunë nuk i ka.

Ndryshe, në vitin 2011, Qeveria lëshoi në përdorim Teleferikun nga Shkupi për në Kryqin e Mileniumit në Vodno. Teleferiku u ndërtua në afat kohor prej dy viteve dhe kushtoi rreth 7 milionë euro, para të siguruara nga shteti. Ndërsa sa i përket riparimit apo ndërtimit të Teleferikut nga Tetova deri në qendrën turistike Kodra e Diellit edhe pas 13 viteve nuk është bërë asgjë.

Lajme të ngjashme

Back to top button