Arsimi në Maqedoni një “anije” që ka goditur ajsbergun, objektivat e BE-së shumë larg

Arsimi në Maqedoni, ecën me hapa shumë të ngadaltë dhe është largë objektivit të rekomandimeve të BE-së, thuhet në raportin e progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë. Ish drejtuesit e institucioneve arsimore i konsiderojnë këto vërjetje shumë reale të cilët për shkak të ndërhyrjeve pa vend të qeverisë vështirë se do të mund të përmirësohen deri në raportin e ardhshëm të BE-së.

Ja  çfarë thuhet në raportin e KE-së për arsimin në Maqedoni.

Për sa i përket standardeve Evropiane për arsim, trajnim e të rinjve, zbatimin e legjislacionit mbi arsimin fillor dhe të mesëm, Maqedonia po ecë me hapa të ngadaltë.  Qasja në shërbimet që kanë të bëjnë me zhvillimin e fëmijërisë së hershme është përmirësuar si rezultat i ndërtimeve të disa institucioneve dhe infrastrukturës. Megjithatë, përparimi në fushën e arsimit mbetet modest, shumë më poshtë objektivit të BE-së.

Mospërputhje të mëdha në zhvillimin e fëmijërisë dhe edukimit  parashkollor  ende ekzistojnë në mes të grupeve të ndryshme etnike dhe në mes të zonave urbane dhe rurale. Shkalla e braktisjes se shkollës, gradualisht po bie dhe shkalla e përfundimit të arsimit të lartë është në rritje. Procesi i decentralizimit në arsim është duke përparuar.

Zbatimi i strategjisë 2013-20 për arsimin dhe trajnimin profesional ka përparuar ngadalë.

Kapacitetet administrative të institucioneve përgjegjëse duhet të forcohet për të siguruar zbatimin efikas të strategjive të miratuara dhe legjislacionit, duke përfshirë monitorimin e politikave. Kërkohet  planifikim më i mire i shpenzimeve që është prioritetet në pjesëmarrjen strategjike të BE-së, me ‘rast koordinimi i mekanizmave është i nevojshëm.

Është bërë një progres në fushat e arsimit, trajnimit, rinisë dhe kulturës. Qasja në arsimin parashkollor është përmirësuar. Të dy arsimimet profesionale, qendra e trajnimit dhe qendra e arsimit për të rritur ka përfituar nga burimet e përforcuara njerëzore. Angazhimi i qëndrueshëm është i nevojshëm për të siguruar zbatimin e politikave të miratuara. Përgatitjet në fushën e arsimit dhe kulturës janë në një fazë të avancuar të moderuar por që nevojitet shumë punë për arritjen e objektivit të BE-së.

Problemet në arsim janë më të mëdha se sa ato që paraqiten në raportin e KE-së

Ish zëvendës drejtori në Byronë për zhvillimin e arsimit, profesori Zeqir Kadriu , për Portalb thotë se ka mangësi të shumta në arsim, duke filluar nga ai fillor e deri tek ai i lart.

“Raporti i KE-së është mbështetur në fakte dhe argumente. Shtylla kryesore që çalon në këtë fushë është arsimi fillor i cili më pastaj bartë pasojat në atë të mesëm dhe të lart. Paga modeste e mësimdhënësve nuk u jep atyre vullnet që të punojnë më shumë me nxënësit dhe për këtë nuk ka cilësi. Pastaj nxënësit që regjistrohen në universitete janë shumë të dobët, madje nuk dinë një ese ta shkruajnë, a faktikisht ata kanë marrë diploma nga shkolla e mesme, gjë që nuk tolerohet. Dhe kjo nuk ndodh vetëm te shqiptarët por edhe të maqedonasit”, tha për Portalb, Kadriu.

Përveç mungesës së hapësirave, Kadriu vlerëson se problem paraqet edhe plan programi i komplikuar mësimor.

“Mangësi ka në mungesën e hapësirave,në shumë shkolla rurale dhe të qytetit të cilat janë të stërngarkuara me nxënës. Problem tjetër paraqitet edhe në përpilimin e plan programeve mësimore sepse jepen tekste shumë të sofistikuar që janë të pakuptueshëm për nxënësit si dhe fëmijët e moshës së re janë të stërngarkuar me lëndë ndoshta edhe të panevojshme për atë moshë. Problem tjetër mjaft i rëndësishëm është edhe mos profilizimi i arsimit, të gjithë filloristët drejtohen në gjimnaz, ekonomi dhe mjekësi, drejtimet tjera të zanateve mbeten të boshatisura, të cilat po ashtu janë të nevojshme për një shtet.  E metë tjetër është se secili ka të drejtë të regjistrohet në universitet, për arsye se MASH nuk ka profesionist dhe kjo ndikon me dobësimin e arsimit në vend. Merren kuadro që nuk kanë lidhje me arsimin dhe krijojnë projekte arsimore”, tha Kadriu.

“Përderisa është kjo garniturë në pozitë nuk ma merr mendja që do ketë përmirësime, sepse për të pas duhet të bëhet revolucion, ndryshim rrënjësor si dhe largimi i kuadrove jo adekuate dhe punësimi i profesionalistëve, të cilët për momentin kanë ngelur nën hijen e të paditurve”, shtoi Kadriu.

Po ashtu edhe ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti vlerëson se problemet në arsim janë të shumta duke filluar nga depolitizimi, mungesa e cilësisë se ambienteve dhe kurikulave deri te mungesa e dëshirës për të zbatuar strategjitë.

“Vetë fakti që ka pasur me dhjetëra ndërhyrje arbitrare në strategjitë e krijuara gjatë reformimit të tërësishëm të arsimit tregon që është krijuar një mishmash në sferën e arsimit. Tanimë është bërë e zakonshme të dëgjojmë risi që nga Qeveria  nuk kanë komponentë edukative ose shkencore por administrative. Arsimi ka një serë problemesh: që nga depolitizimi, mungesa e cilësisë se ambienteve dhe kurikulave deri te mungesa e dëshirës për të zbatuar strategjitë”, tha për Portalb, Rushiti.

Ai shtoi se as që bëhet fjalë për përmirësim deri në raportin e ardhshëm.

“Ta drejtosh arsimin dhe shkencën është si të drejtosh një anije të madhe. Mund ta kthesh tani timonin por një kohë të ndryshohet drejtimi i anijes. Tani as që bëhet fjalë për përmirësim deri në raportin e ardhshëm. Kam frikë se anija jonë e ka goditur ajsbergun. Duhet fillimisht të merren masa shpëtimi, sanimi dhe pastaj drejtim me vizion dhe me guxim”, shtoi Rushiti.

LEXO MË SHUMË:

Çfarë e ul cilësinë e USHT-së?

Arsimtarët shqiptarë të shkollës “Panajot Ginovski” kërkojnë punësime dhe zëvendësdrejtor

Vizbeg, nuk ka shkollë për nxënësit e kësaj lagje (FOTO)

“Komitët” ende “zbukurojnë” shkollën fillore Zhivko Brajkovski

Shkolla e Lubetenit po kalbet, MASH nuk çan kokën (FOTO)

Kembrixhi, librat e vjetërsuara dhe gabimet skandaloze do të shoqërojnë nxënësit këtë vit

Lajme të ngjashme

Back to top button