Ndryshimi i orës, efekte pozitive tek fëmijët

Lëvizja e akrepave të orës me 60 minuta të tjera përpara gjatë gjithë vitit do të ndikonte ndjeshëm në shtimin e aktivitetit fizik te fëmijët.

Një studim i dy universiteteve britanike në Londër dhe Bristol – që ka patur në fokus 23 mijë fëmijë kryesisht në Angli, e ka shtrirë objektin e tij edhe në 9 vende të tjera të globit, përfshi edhe Australinë.

Pas kalkulimeve, është vërtetuar se në një vit do të përfitoheshin të paktën 200 orë dritë më shumë, ndërsa aktiviteti i fëmijëve në ditë do të shtohej me 30-35 minuta.

Për të mbërritur në këtë përfundim është studiuar një numër i madh fëmijësh të moshave nga 5 deri në 16 vjeç.

Studimi bën fjalë për aktivitetin e tyre në orët e pasdites, që është më i lartë në verë dhe detyrimisht me ndërrimin e orës, më i ulët në dimër.

Efektet pozitive të studimit u shfaqën te të gjitha kategoritë e fëmijëve, pa dallim ekonomik apo social, duke përfshirë këtu edhe problemin e mbipeshës.

Të dielën, në shumicën e vendeve europiane, përfshi edhe Shqipërinë, akrepat e orës do të shkojnë 60 minuta prapa.

Ndryshimi i orës në pranverë dhe në vjeshtë është një çështje e diskutueshme në shumë vende për efiçencën e energjisë dhe ndikimin real në zhvillimin ekonomik.

Në Britani madje është diskutuar në periudha të ndryshme në parlament propozimi që në mars ora të shtyhet edhe me 60 minuta të tjera para dhe në tetor të mos kthehet më pas./ Tv Klan

Lajme të ngjashme

Back to top button