Vetëvendosje: UEFA favorizoi racizmin e Serbisë

Vetëvendosje ka dalë me një deklaratë për mediat, duke thënë se UEFA i dha fitoren racizmit të Serbisë.

Sipas VV-së, UEFA e dënoi edhe Serbinë, por se nisur nga sa pamë i dha “shpërblim moral serbëve huliganë që hynë në fushë”.

“Ky vendim normalizon thirrjet raciste brenda dhe jashtë stadiumit për të vrarë gjithë shqiptarët. Ky vendim normalizon hyrjen në fushë nga tifozët, madje edhe të atyre me precedentë të njohur kriminale. Ky vendim normalizon terrorin që kanë pësuar lojtarët e kombëtares, të mbajtur nën tension nga policia, të rrahur nga tifozët dhe kujdestarët e fushës”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Lëvizja Vetëvendosje thekson më tej se ky vendim i UEFA-s është i ngjashëm me qëndrimin që mban BE-ja kundrejt Serbisë.

“Ashtu si UEFA në vendimin e saj, BE-së në marrëdhëniet ndërkombëtare i ka munguar vullneti politik për të ndërmarrë masa kundër ekspansionit të trashëgimtarëve të Millosheviçit që janë sot në krye të shtetit në Serbi. Në vend që të veprojë kundër, BE-ja po punon për t’i kënaqur këto përpjekje në kurriz të drejtësisë për kombin tonë. Ky “neutralitet” është mohim i të drejtave politike të popullit shqiptar dhe favorizim i politikave raciste të Serbisë”, vlerëson VV-ja.

Sipas Vetëvendosjes, sa më shumë që vazhdon politika evropiane dhe Shqipëria e Kosova nuk janë bashkë, shqiptarët do të jenë një popull i diskriminuar.

Lajme të ngjashme

Back to top button