Basha: S’kthehemi në Kuvend pa ndërmjetësinë e ndërkombëtarëve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të mazhorancës për të pranuar kushtet e vëna nga opozita për kthimin në kuvend, duke nisur me ngritjen e 2 komisioneve hetimore të kërkuara prej tyre.

Në një deklaratë nga Brukseli, ku ndodhet ne kuadër të samitit të PPE, Basha është shprehur skeptik lidhur me garancinë që mund të ofrojë mazhoranca e përfaqësuar nga dyshja Rama-Meta, që sipas kryedemokratit kanë precedentë të mëparshëmkur kanë shkelur e grisur konsensusin për ligjin e nëpunësit  civil dhe  vendimin e gjykatës kushtetuese për këtë çështje’. Basha i ka bërë thirrje kryeministrit që të distancohet nga i promovimit të trafikantëve në politikë, në administratën e lartë  dhe brenda në Kuvend dhe të japë prova me fakte se ka vullnet për konsensus me opozitën.

Deklarata e plotë e Bashës

Jam informuar për zhvillimet e sotme në Kuvendin  e Shqipërisë.

Dua të rikthesoj  se opozita  ka ndërprerë marrëdhëniet  me Kuvendin e jo për  t’i vënë njolla, siç tha sot në ligjërimin e  tij sërish demagogjik  zoti Rama,  por për të mos u pajtuar me njollat, për të mos iu bërë fasadë njollave  dhe për  t’i  hequr njollat  e pashoqe  që   i ka venë Kuvendit  shumica Rama-Meta me shpërfilljen skandaloze të vendimeve  të Gjykatës Kushtetuese dhe me kriminalizimin  e tij.

Këto janë dy çeshtjet e mëdha, për të cilat, përveç opozitës dhe opinionit publik shqiptar janë sensibilizuar në maksimun edhe partnerët  tanë  ndërkombëtare, që nuk mund  të imagjinojmë  një Kuvend ku hidhen në kosh vendimet e gjykatës kushtetuese dhe ku shumica, apo sulltani i saj  krijon një repart azapësh kundër  opozitës.

Ne kemi propozuar një marrëveshje me garanci ndëkombëtare për  të dyja këto çeshtje.

Sot, falë presionit ndëkombëtar dhe vendosmërisë  sonë, u njoftua nxjerrja nga sirtaret dhe venia  në rendin e dites e  dy kerkesave të  vjetra të  opozitës  për  ngritjen e dy komisioneve hetimore. Zbatimi i kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetutese janë një detyrim. Qeveria dhe shumica kanë  qenë prej disa muajsh në shkelje flagrante të këtij detyrimi. Sot vendosen të zbatojnë kushtetutën!

Po çfarë garancish ka se  nuk do t’i shkelin prapë, siç kanë bërë kur kanë shkelur e grisur konsensusin për ligjin e nepunësit  civil dhe  vendimin e gjykatës kushtetuese për këtë çështje? Asnjë garanci.

Si opozitë ne kemi   vështirësi të  pranojmë që  zbatimi i vendimeve  të gjykatave  prej qeverisë të  varet nga humori i saj, nga  dhe konjukturat e ditës.  Ndaj kemi kërkuar  e ngulmojnë për një marrëveshje me garancinë e miqve dhe partnerëve më të mirë  ndërkombëtarë të Shqipërisë. Për të dyja çeshtjet madhore të konfliktit.

Në lidhje me dekriminalizimin e Kuvendit, zoti Rama vazhdon të mos e shohë të vërtetën drejt në sy. Vazhdon të fshihet pas gjethes së fikut, vazhdon të bëjë dorëjashtin, kur është ai  autori dhe përgjegjësi  numër  një i promovimit të trafikantëve në politikë, në administratën e lartë  dhe brenda në Kuvend. Eshtë ai që i ka zgjedhur me dorë si të  tillë, që  i ka përdorur dhe i përdor si të  tillë për t’i mbyllur gojën opozitës, që i ka në punë  dhe në aktivitet  si të tillë  me  mandatet e Partisë Socialiste në xhepa.

Zoti Rama ka detyrimin të flasë hapur me shqiptarët për këtë fenomen nga më të shëmtuarit që ka njohur jeta politike e vendit gjatë dy dekadave të fundit.

Ka detyrimin të distancohet publikisht dhe politikisht  nga fenomeni në përgjithësi dhe nga dhuna në Kuvend në veçanti.

Kjo është qasja që pret opozita,  që prêt publiku, që presin ndërkombëtarët. Spekullimet meskine me “ e ka kush e ka”   u vlejnë vetëm trafikantëve me mandate dhe pa  mandate./ GazetaShqip

Lajme të ngjashme

Back to top button