Alarm i trefishtë terrori në kryeqytetin kanadez

Shkëmbime spektakolare zjarri në Kanada. Në një atentat në Ottawa, njerëz të panjohur qëlluan në ndërtesën e Parlamentit dhe vranë një ushtar në monumentin e luftës. Të shtëna pati edhe në një qendër tregtare.

Në sulmin kundër Parlamentit duket se është vrarë një nga tre autorët e dyshuar në një shkëmbim zjarri me policinë. Të paktën një nga tre atentatorët nuk është kapur ende, u bë e ditur. Një ushtar roje, që u qëllua në Parlament, u dërgua me lëndime në spital. Ndërkohë në klinika janë dërguar për trajtim edhe dy të lënduar të tjerë.

Ministri kanadez i Punës Jason Kenney përmes Twitter i shprehu ngushëllime familjes së ushtarit të vrarë dhe deklaroi se lutet për rojën e plagosur në ndërtesën e Parlamentit. “Kanadaja nuk do të lejojë që të trembet apo terrorizohet”, deklaroi Kenny.

Tronditje për vendin

Për Kanadanë liberale, ngjarjet janë tronditëse. Sulmet me të shtëna në masë janë në Kanada shumë më të rralla se në SHBA, jo së fundi edhe falë rregullave të rrepta për armët. Në të njëjtën kohë edhe masat e sigurisë në lagjen qeveritare janë dukshëm më të pakëta se në Uashington.

Kryeministri Harper e dënoi atentatin. Bëhet fjalë për një akt të ulët, por qeveria kanadeze nuk do të ndryshojë rrugë. Pikërisht tani është e rëndësishme që qeveria dhe Parlamenti të vazhdojnë të funksionojnë.

Sulm i islamistëve në afërsi të Montrealit

018013230_40100

Atentatet e kanë tronditur Kanadanë në një fazë kur ende nuk e ka marrë veten nga një atentat kundër dy ushtarëve të hënën. Një islamist i njohur për policinë i përplasi me makinën e tij dy ushtarakët në një shesh parkimi të një supermarketi dhe lëndoi për vdekje njërin prej tyre. Në përpjekje për t’u larguar, makina e 25-vjeçarit u aksidentua, por në fund ai iu drejtua policëve me një thikë dhe u vra më pas nga policët.

Qeveria kanadeze foli për një sulm terrorist dhe e ngriti shkallën e alarmit nga e ulët në mesatare të lartë. Armata ajrore kanadeze do të mbështesë së shpejti aleancën e drejtuar nga SHBA që godet pozicione të grupit xhihadist, shteti islamik (IS), në Irak dhe Siri. Ekstremistët u kanë bërë thirrje përkrahësve të tyre në gjithë botën për sulme kundër qytetarëve të shteteve, që marrin pjesë në operacionin ushtarak. Në këtë kontekst grupi ka përmendur shprehimisht edhe atentate me makinë. E paqartë është nëse edhe pas sulmeve në Ottawa janë radikalë islamistë dhe nëse ka ndonjë lidhje mes tre atentateve.

Rreth 30 të shtëna

Televizioni tregoi pamje dramatike nga ndërtesa e Parlamentit, në të cilat policë të armatosur rëndë vraponin të përkulur në korridore në kërkim të atentatorëve kur pati të shtëna. Disa parlamentarë përmes Twitter treguan se gjatë seancës ishin dëgjuar rreth 30 të shtëna. Kryeministri Stephen Harper i cili ndodhej gjithashtu në ndërtesë, u dërgua mënjeherë në një vend të sigurt. Presidenti Obama po mbahet i informuar për situatën, njoftoi kanali amerikan televiziv CNN.

Operatorët e qendrës tregtare bënë të ditur përmes Twitter se ndërtesa pas të shtënave ishte zbrazur. Qendra gjendet jo larg parlamentit.

Policia ka nisur hetimet

Alarm i trefishtë terrori në kryeqytetin kanadez

Sipas të dhënave të policisë të shtënat e para ndodhën në monumentin në afërsi të Parlamentit. Kalimtarët u përpoqën t’i jepnin ndihmën e parë ushtarit të qëlluar. Punonjësit e ndihmës së shpejtë i bënë masazh kardiak. Por pak orë më vonë ushtari i plagosur humbi jetën nga plagët. Dëshmitarët tregojnë se një burrë me flokë të gjatë kishtë qëlluar shumë hetë dhe më pas i armatosur i ishte drejtuar ndërtesës së Parlamentit. Në hyrje ai ka qëlluar disa herë në ndërtesë. Policia e rrethoi zonën me perimetër të gjerë dhe u bëri thirrje kalimtarëve të mos i afroheshin Parlamentit.

Rrethohet ambasada e SHBA

Zona në një park pranë lumit Ottawa është si rregull e hapur për kalimtarët, mijëra turistë bëjnë atje çdo të ditë fotografi me rojet. Të gjitha pikat e rojeve u mbyllën për vizitorët. Policia u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të qendrës së Ottawas të mos dalin në dritare apo në çatitë e shtëpive. Ambasada e SHBA u rrethua, punonjësve iu bë thirrje të mbyllnin grilat. Monumenti për të rënët e luftës gjendet farë pranë parkut të Parlamentit dhe e ndan prej tij vetëm një rrugë. Roja e nderit është vërtet e armatosur por armët janë më shumë për qëllim reprezentativ. Monumenti u përurua në 1939 për të rënën e Luftës së Parë Botërore dhe ndërkohë shërben dhe si përkujtim për viktimat e luftërave të tjera.

Lajme të ngjashme

Back to top button