Imeri: “Vazhdojmë ëndrrën e një Shkëndije Evropiane”

Dje është mësuar dhe ekipi i fundit që u është bashkangjitur tetë ekipeve më të mira në garën për Kupën e Maqedonisë, e kjo është skuadra e Vardarit. Shkupjanët kanë mundur për herë të dytë brenda katër ditëve Shkëndijën, një herë e fituan në Tetovë në ndeshjen kampionale dhe dje në Shkup duke e eliminuar nga Kupa e Maqedonisë.

Këto dy disfata kanë ngjallur shumë mllef të publiku të cilët kanë shprehur haptas pakënaqësinë e tyre, ndërsa këtë nuk e ka lënë pa e komentuar edhe kryetari  klubit të Shkëndijës, Lulzim Imeri i ci i është drejtuar tifozëve përmes një reagimi të hapur në internet faqen zyrtare të klubit.

“Humbjet e fundit me Vardarin më nxitën për të dalë me këtë reagim.  Unë plotësisht e kuptoj dëshpërimin që sollën dy dështimet e fundit por le ta kemi parasysh se sporti dhe futbolli bart me vete gjëra të këtilla. Realisht, këto ndeshje ishin një tregues i qartë se ekipi ynë nuk është në nivelin që duam ta kemi dhe për ta arritur këtë nivel ne po vazhdojmë duke i intensifikuar punët që kemi nisur. Detyra jonë në këto momente është që edhe pas humbjeve të tregohemi të mëdhenj dhe me gjakftohtësi e maturi ta analizojmë gjendjen e ta përcaktojmë rrugën më të mirë për të ecur përpara. Shkëndija në duart e Ecologut nuk është projekt sot për nesër. Humbjet nga Vardari na bëjnë edhe më të fortë. Ditën që mora besimin nga pronari z. Lazim Destani, gjithë futbollistëve që gjeta në klub u thashë se në Shkëndijë do të ketë vend vetëm për ata që do të tregojnë angazhim maksimal dhe që ia dinë peshën e mirëfilltë fanellës kuq e zi. Unë së bashku me stafin sportiv jemi të zhgënjyer nga disa futbollistë tek të cilët duken mungesa të theksuara të përkushtimit ndaj klubit dhe lojës së ekipit dhe nuk arritën të përballen si duhet me peshën që ka kjo fanellë. E them këtë duke u bazuar në atë që pamë nga angazhimi i futbollisëtve në fushë. Ata nuk e dhanë atë që dinë ta bëjnë më së miri. Afati dimëror është afër dhe ne sot kemi pasqyrë të qartë për të gjitha pozitat e dobëta në skuadër. Jemi të bindur se fanellën kuq e zi duhet ta mbajnë vetëm ata që do ta dëshmojnë se fanella kuq e zi nuk blihet me para, por ajo vishet dhe ngjitet për trupi ashtu si gjaku që qarkullon brenda trupit. E thashë në fillim se humbja na bën më të fortë dhe projekti ‘Shkëndija Ecolog’ nuk është sot për nesër”.

Kryetari i kuqezinjve nga Tetova, z.Imeri edhe përkundër disfatës ka vazhduar të flet me tone pozitive duke u dhënë shpresë tifozëve se kjo Shkëndijë do të vazhdojë të punojë për ëndërrën evropiane.

“Vazhdojmë të punojmë për ëndrrën e një Shkëndije Evropiane me të cilën do të mburremi të gjithë. Kampionati ende nuk ka përfunduar dhe ne sigurisht që do të luftojmë deri në fund. Krahas garave dhe aktiviteteve tjera në klub, ne akoma po merremi me pasojat e veprimeve të mëhershme me politikën joadekuate të transferimeve, por unë as dua as nuk e kam ndërmend të kthehem prapa në atë që ka ndodhur. Qëllimi ynë është të shohim përpara dhe të rritemi në vazhdimësi. Pavarësisht nga rezultati i dy ndeshjeve të fundit me Vardarin, ne po vazhdojmë me implementimin e planit tonë ku që me kohë kemi paraparë përforcime cilësore që do ta çonin më lartë nivelin e skuadrës. Planet tona janë afatgjata dhe gjithsesi Shkëndija do të insistojë që në skuadër të ketë futbollistë cilësorë që do të jenë të denjë për realizimin e ambicieve të klubit e të tifozëve dhe që do të na bëjnë të ndihemi krenar. Jemi të vetëdijshëm se mbështetja nga publiku asnjëherë nuk ka munguar dhe se e tillë do të mbetet edhe në të ardhmen. Të gjithë së bashku do të bindemi se gjërat do të ndryshojnë për të mirë pasi kemi një amanet të qartë nga z. Lazim Destani, – Të ndërtojmë një Shkëndijë të fortë me të cilën do të mburren gjithë tifozët”, ka thënë në fund të reagimit të tij z. Lulzim Imeri. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button