??? çfarë mbeti nga Homsi..

Forcat e qeverisë në Damask raportohet se kanë marrë kontrollin e disa lagjeve të qytetit, që njihet si çerdhe e kryengritësve që nga fillimi i luftës qytetare në Siri. Edhe pse monitoruesit nga dega siriane e organizatës Human Rights Watch, pohojnë se, në pjesët jugore të qytetit ende po zhvillohen luftime, televizioni shtetëror i Sirisë ka emituar pamjet e ushtarëve derisa enden rrugëve të zbrazëta të Homsit, duke valuar flamujt e vendit para ndërtesave të shkatërruara nga granatat, shkruan Gazeta Ekspress.

Në qytet duket sikur nuk ka mbetur shtëpi apo bllok i ndërtesave që nuk dëshmon për një rrënim të pashpirt të gjithçkaje në këtë qytet. Asnjë ndërtesë nuk mundi t’i shmanget shiut të granatave, bombave dhe plumbave të shkrepur nga të dyja palët e përfshira në konfliktin e përgjakshëm sirian. Shenja e vetme e jetës në Homs duket se ka mbetur vetëm egjra, e cila po gufon gjithkah. Njerëzit ndërkaq nuk shihen gjëkundi. Qyteti i tretë më i madh në Siri, që dikur kishte 650,000 banorë tani duket sikur është zbrazur i tëri dhe është kthyer për disa shekuj prapa – diku në Mesjetë.

Në fotografitë e agjencive të ndryshme shihet se në ç’masë është shkatërruar Homsi, pas betejave disa javore mes kryengritësve dhe forcave të presidentit Bashar al-Assad. Kundërofensiva, në të cilën forcat qeveritare korrën sukses, u realizua me ndihmën e guerilëve libanezë shiit të lëvizjes Hezbollah.

Ndryshe, në luftën qytetare në Siri, e cila filloi mars të vitit 2011, me protesta paqësore kundër qeverisë së Al-Assad, deri më tani janë vrarë të paktën 100,000 njerëz, ndërkohë që rreth dy milionë refugjatë sirianë janë larguar nga vendi.

Nuk ka ndonjë statistikë precize për numrin e viktimave dhe të ikurve nga qytetit Homs. 

Lajme të ngjashme

Back to top button