Paraqitja e Ali Ahmetit nuk përputhet me realitetin që e krijoi me BDI-në

Ali Ahmeti ka mision shumë të vështirë për të bindur opinionin se është duke i përfaqësuar denjësisht shqiptarët në qeveri.  Në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, për aq sa transmetuan mediat e këtushme, Ahmeti qenka lavdëruar për përdorimin e flamurit shqiptar nga kryetarët e komunave shqiptare dhe me 20 mijë studentët e Universitetit të Tetovës. U çudita që kësaj here nuk e paska përmendur vënien e bustit të Skenderbeut në Çarshinë e Shkupit.  Ahmeti ka pranuar se vendimi i gjykatës të Shkupit për rastin e Monstrës është i diskutueshëm dhe duhet rishikuar, ndërsa në fund ka komentuar për gjendjen e shqiptarëve në Shkup.

Të shkojmë me radhë. Do nis nga rasti Monstra, që është më i rëndë dhe më i dhimbshëm. Ali Ahmeti dhe partia e tij BDI nuk mund të shfajësohen për vendimin skandaloz të gjyqit. Pse?
BDI në pushtet është 10 vite të plota nga viti 2002, kur janë bërë reformat në gjyqësi. Kjo do të thotë së dështimi i reformave në gjyqësi, është dështim edhe i BDI-së si parti dhe Ahmetit si lider.
E dyta, gjykatësit që dënuan shqiptarët me burgim të përjetshëm për një krim që prokuroria nuk arriti ta dëshmojë me fakte, janë zgjedhur nga Këshilli gjyqësorë, ku anëtarët shqiptarë, me mbështetje politike nga BDI, kanë të drejtën e vetos. Asnjë gjykatës nuk mund të zgjidhet pa votën e anëtarëve shqiptar të Këshillit.
Ali Ahmeti s’mund t’i ik përgjegjësisë. Ai është bashkëfajtor për dënimet drakonike kundër shqiptarëve në Shkup.

Ahmeti krenohet me 20 mijë studentët shqiptarë të Universitetit të Tetovës, por ama Ahmeti nuk flet për cilësinë e mësimdhënies në këtë universitet. Ai nuk thotë se Universiteti i Tetovës është me reputacion më të ultë nga të gjitha universitetet në Maqedoni.
Në këtë rast po përmend një bisedë më një student të UT-së, i cili më pranoi se nga 40 studentët të grupit të tij, vetëm 10 kishin zënë kushtin për të regjistruar vitin në vijim. E pyes, po si do ta kalojnë vitin? Thotë, vjen partia dhe ua merr provimet, me kusht që gjatë zgjedhjeve të lobojnë te familjet dhe të afërmit e tyre për të votuar BDI-në. Kjo dëshmon se BDI dhe Ali Ahmeti nuk çajnë kokën për arsimin e rinisë shqiptare, por kanë dertin e ruajtjes së atij pak pushteti që ua dhuron partia maqedone në pushtet.

Ahmeti në këtë intervistë tregon njëfarë mirëkuptimi për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Shkup karshi rajoneve tjera ku jetojnë shqiptar. Por ai nuk flet së çfarë është përgjegjësia e tij dhe BDI-së për këtë gjendje të rëndë të shkupjanëve.
Ai në vitin 2002 u premtoi shqiptarëve se selinë e BDI-së do ta zhvendosë nga Tetova në Shkup dhe nuk e bëri.

BDI dhe shokët e Ali Ahmetit në Shkup, në fushata zgjedhore bashkohen me elementë të dyshimtë fetar duke i faktorizuar ato në lagjet shqiptare të Shkupit, që u ngjajnë getove afrikane. Kjo do të thotë se BDI dhe Ahmeti janë të gatshëm të luajnë më zjarr për interesat e tyre të ngushta pavarësisht se shqiptarët mund të digjen në flakët e këtij zjarri. Thënë shkurt e shqip, më shumë u intereson pushteti sesa mirëqenia e shqiptarëve në Shkup.

BDI për dhjetë vjet në qeveri, sa herë ka pasur një zëvendës ministër shqiptar për punë të brendshme. A e ka pyetur Ali Ahmeti zëvendës ministrin e tij në polici ndonjëherë nëse ndjek aktivitetin e disa personave të dyshimtë që promovojnë vlera të paqarta fetare në mesin e besimtarëve shqiptar në Shkup?
Pse Ali Ahmeti nuk alarmon qeverinë kur të rinjtë shqiptarë vriten në luftërat e pakuptimta në Siri dhe Irak. Shqipëria dhe Kosova vepruan dhe po marrin masa kundër njerëzve që kanë frymëzuar dhe organizuar shkuarjen e të rinjve shqiptarë në këto zona të konfliktit. Maqedonia hesht kur të rinjët shqiptarë vriten duke luftuar në anën e xhihadistëve. A nuk është ky alarm për Ali Ahmetin dhe BDI të reagojnë? Gjërat kanë dalur në mejdan, Ahmeti dhe BDI nuk mbrojnë interesin e shqiptarëve. Çështje është nëse mund të mbrojnë lëkurën e tyre. Sa dëme duhet t’u shkaktojnë shqiptarëve Ali Ahmeti dhe BDI që kryeministri Gruevski ti lejë të qetë?

Në fund, Ali Ahmeti krenohet që kryetarët e komunave shqiptare përdorin lirshëm flamurin shqiptar në zyrat e tyre. Megjithatë ai nuk tha se ministrat shqiptar komunikojnë më këta kryetar komunash në gjuhën maqedone.
Prandaj Blendi Fevziu duhet të përgatitet më mirë kur fton Ali Ahmetin në emision dhe i jep mundësinë që të mashtrojë opinionin shqiptar. Blendi me apo pa vetëdije u bë bashkëfajtor për keqinformimin e shqiptarëve.

Naser Selmani, kryetar i shoqatës së gazetarëve në Maqedoni

Lajme të ngjashme

Back to top button