“Teuta” sjell shijen e qytetarisë në Tetovë

Me datë 25 tetor, e shtunë, në Pallatin e Kulturës së Tetovës, në ora 19.30, publiku do të ketë mundësi të shijojë tingujt e këngës qytetare. Edhe këtë vit, Tetova është nikoqire e edicionit të katërt të Festivalit të këngës qytetare “Тeuta”. Këtë natë premtohet një program i pasur artistik me performanca nga trojet e ndryshme shqiptare.

Në skenë do të jenë: kori “Teuta” nga Tetova, grupi “Lira” nga Korça, Ansambli i këngëve dhe valleve pranë Qendrës për Kulturë “Pjetër Gaci” – Shkodër, grupi “Xheladin Zeqiri” nga Tetova si dhe trupa artistike muzikore “Gjilani” – Republika e Kosovës. Para fillimit të festivalit, në ora 19:00 në hapësirat hyrëse të Pallatit të Kulturës në Tetovë, do të mbahet ekspozita pamore e Azbushe Ziberit, njëherit anëtare e korit të grave “Teuta”, thuhet në njoftimin nga Komuna e Tetovës.

Festivalin e organizon Qendra për kulturë në Tetovë nën nën patronazhin e kryetares së Tetovës, Teuta Arifi.

“Festivalin duam ta bëjmë brend të qytetit tonë. Me performancat e tij dhe përzgjedhjen e artistëve festivali i jep elemente qytetarie Tetovës. Në aspektin organizativ dhe artistik ky festival pritet të jetë në një nivel më të lartë pasi na vijnë mysafir qytetet të cilat njihen si djepi i këngës qytetare, Korça dhe Shkodra” thotë për Portalb, Jeton Pustina një nga udhëheqësit artistik të këtij festivali. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button