Kush pasurohet nga ‘autostradat e vdekjes’?

Vitin e kaluar, Afrim M. ishte aksidentuar në autostradën Shkup-Tetovë, në orët e vonshme të darkës, kur para veturës së tij kishte dalë një qen endacak të cilin, siç thotë ai, e kishte goditur kah pjesa e pasme e trupit. Vetura e tij ishte dëmtuar rëndë, madje deri në atë gjendje sa kishte qenë e palëvizshme. Qeni kishte arritur të mbijetojë aksidentin dhe kishte ikur me shpejtësi në drejtim të fushave që janë përreth autostradës. Afrimi kishte lajmëruar policinë e komunikacionit, të cilët kishin arritur në vendin e ngjarjes për të hetuar rastin. Pasi kanë fotografuar veturën dhe vendin e aksidentit, ata janë interesuar për qenin, i cili kishte shkaktuar aksidentin.

“Më pyetën ku është qeni të cilin e kisha shkelur. Ju thash që ka ikur kah fushat, nuk vdiq por vetëm këmbën e pasme e pash se e tërhiqte zvarrë. Policët më thanë që dyshojnë se mund të kisha aksidentuar ndonjë kafshë, pasi nuk ndodhet në vendngjarje. Thanë që nuk po gjejnë gjurmë të ndonjë kafshe dhe ndoshta unë mund të kisha pësuar aksident tjetër dhe tani të inskenoj. Ua tregova murin anësorë dhe ju thash që as aty nuk ka shenja dhe si mund të besojnë më parë aty sesa me ndonjë kafshë. Disa herë më pas shkova në polici dhe më thanë që nuk mund të dëshmohet se jam ndeshur me qenin, andaj dhe nuk kisha të drejtë të kërkojë dëmshpërblim”, thotë Afrim M, një qytetar i Tetovës . Mungesa e qenit në vendngjarje e kishte lënë Afrimin pa dëmshpërblim, të cilin ligjërisht duhej ta paguajë ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë”, ndërsa shumë qytetarë të tjerë ankohen në vazhdimësi nga procedurat e stërgjatura policore dhe gjyqësore për të fituar të drejtën e dëmshpërblimit nga aksidentet me kafshë ose si pasojë e dëmtimeve të rrugës.

Edhe kur fitojnë këto procese, atyre ju duhet të presin me muaj për të marrë paratë. Në ndërkohë, ata janë të detyruar që për shfrytëzimin e autostradave në vend të paguajnë shuma të dyfishta. Përveç pikave pagesore në rrugët Tetovë-Gostivar, Tetovë-Shkup, Shkup-Kumanovë dhe të tjera, qytetarët paguajnë dhe një taksë tjetër në shumë prej 1530 denarë, e cila ju merret detyrimisht gjatë regjistrimit të veturës për çdo vit. Edhe përkundër pagesës së dyfishtë, përveç qytetarëve që vështirë arrijnë të marrin dëmshpërblime, për mungesë parash ankohet edhe ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë”. Drejtori i kësaj ndërmarrje, Gajur Kadriu, thotë se paratë nga pikat pagesore i mbledh Fondi i Rrugëve Magjistrale dhe Regjionale të Maqedonisë, e cila e angazhon ndërmarrjen me programe vjetore të mirëmbajë këto rrugë. Mirëpo, paratë të cilat lëshohen me këto programe, janë të pamjaftueshme për të përmirësuar të gjithë rrjetin e rrugëve kryesore në vend dhe për ti izoluar ata me rrethoja metalike për të mos ndodhur aksidentet e këtilla.

Përveç kësaj, Kadriu thotë se ndërmarrja që ai drejton është ngarkuar edhe me obligimin për të paguar dëmshpërblimet nga aksidentet në autostrada dhe kjo e bën edhe më të vështirë menaxhimin e buxhetit edhe ashtu të vogël që posedon “Rrugët e Maqedonisë”. “S’kemi ne mjete tonat, ato na lëshohen me program dhe nuk mund të punojmë jashtë programit për rregullimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve. Me mjetet e programit nuk mund ti mbulojmë kërkesat që janë për mirëmbajtjen dhe riparimin e rrugëve, ndërsa ne kemi për obligim që ti paguajmë edhe dëmshpërblimet e qytetarëve”, thotë Kadriu.

Sa para mblidhen nga pikat pagesore dhe përse ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë” nuk posedon buxhet të nevojshëm, nuk duan të tregojnë nga Fondi i Rrugëve Magjistrale dhe Rajonale të Maqedonisë. Gjatë kontaktit me këta të fundit, na u kërkua që pyetjet ti dërgojmë me shkrim, por për 1 javë rresht, edhe pas disa tentativave, përgjigjet nuk arritën ashtu siç u premtua. Drejtori i ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”, Gajur Kadriu, thotë se për çdo vit paguajnë së paku nga 1 milion euro dëmshpërblim për aksidentet që ndodhin si pasojë e daljes së kafshëve në autostrada ose dëmtimit të asfaltit, ndërsa në disa raste, shuma shkon edhe më lartë. Përderisa qytetarët ankohen për vonesa dhe vështirësi gjatë marrjes së dëmshpërblimeve, ndërsa ndërmarrja kompetente paguan mbi 1 milion euro dëmshpërblime, dilemat e para janë se kush janë ata që përfitojnë nga dëmshpërblimi në autostrada?
Këto dyshime i ngrit edhe vetë drejtori i ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”, Gajur Kadriu, i cili hapur flet për mundësinë e keqpërdorimit dhe inskenimit të aksidenteve në komunikacion. Dyshimet edhe më tepër, sipas tij, i rrit edhe fakti se shuma me të cilën paguhen për një vit dëmshpërblimet, mjafton për të riparuar dhe rrethuar të gjithë autostradat në vend dhe një herë e përgjithmonë edhe ndërmarrja do të lirohet nga dëmshpërblimet e këtilla, por edhe vozitësit do të jenë më të sigurt në komunikacion, pasi nuk do të ketë më dalje të kafshëve në autostrada.

“Nëse paratë që jepen për një vit, investohen në riparimin dhe rrethimin me rrjete metalike, atëherë asnjëherë më s’do të ketë aksidente e as kompensime të dëmit. Mbi 60 milionë denarë në vit paguajmë dëmshpërblime, ndërsa me 60-70 milionë denarë ndërmarrja jonë është e gatshme që ti rregullojë të gjitha rrugët edhe ato më komplekse. Tani kemi më shumë kapacitete dhe mundësi që ti përmirësojmë të gjitha rrugët, por s’ka para. Unë dyshoj se këtu, prej diku më lartë – ka edhe keqpërdorime dhe inskenime të aksidenteve dhe dikush këtu përfiton nga këto dëmshpërblime prej aksidenteve të inskenuara. Ju e mbani mend që më herët edhe policia e kapi një rrjet që merret me këto punë”, thotë Kadriu, duke aluduar në aksionin policorë “Pastruesi”, në të cilin në vitin 2011, policia arrestoi 57 persona. Në mesin e të arrestuarve kishte edhe punonjës policorë dhe qytetarë të rëndomtë.

11 milionë euro nga njëra taksë rrugore
Përderisa nga Fondi për Rrugë Magjistrale dhe Rajonale vazhdojnë të mbajnë të fshehtë shumën që grumbullohet nga pikat pagesore në autostrada, Agjencioni shtetërorë për revizion ka zbardhur shumën e parave që mbledh ky Fond brenda një viti nga pagesa e taksës rrugore për automjete.

“Gjatë periudhës raportuese, Fondi ka treguar të hyra nga kompensimi për përdorimin e rrugëve publike për automjete dhe rimorkio (taksa rrugore) në vlerë prej 686.334.000 denarë”, thuhet në raportin për vitin 2011. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për taksën, e cila paguhet në pikat pagesore, apo ajo që grumbullohet gjatë regjistrimit të automjeteve, pasi organet kompetente u kanë ikur pyetjeve të këtilla. Një parregullsi tjetër gjatë grumbullimit të këtyre parave, të cilën e ka regjistruar Revizioni shtetëror është edhe mosrealizimi në kohë i pagesave në xhirollogari të Fondit për rrugë shtetërore, nga ana e personave juridik të autorizuar për kontroll teknik dhe regjistrim të veturave. Këta të fundit, sipas Revizionit shtetëror, kanë vonuar pagesat e tyre për disa muaj, madje edhe në disa vite. Pse ndodh kjo dhe ku përfundojnë paratë e qytetarëve, askush nuk jep sqarim. “Disa nga subjektet juridike pagesën e kompensimit e kryejnë me vonesë prej 1 deri në 10 muaj, ndërsa në disa raste edhe më shumë se një vit. Borxhi i përgjithshëm ndaj Fondit për vitin 2011 në këtë bazë deri më 22.03.2012, është 237.824.000 denarë”, thuhet në raportin e Agjencionit Shtetëror për Revizion të vitit 2012. Në të, më tej nënvizohet se Fondi “nuk merr masa të mjaftueshme për pagesën e borxhit përmes rrugëve gjyqësore ose kërkesës për dëmshpërblim për shkak të mospagesës në kohë të mjeteve”. Edhe më tej mbetet enigmë arsyeja e vonesës së këtyre pagesave, për të cilat nevojitet vetëm transfer dhe nuk kanë të bëjnë me shpenzimet e subjekteve juridike që realizojnë kontroll teknik dhe regjistrim të automjeteve.
Këto dhe parregullsi të tjera kanë rritur dyshimet edhe tek ekspertët e ekonomisë, të cilët haptazi shfaqin dyshimet për manipulim me taksën e dyfishtë që qytetarët paguajnë për shfrytëzimin e autostradave. “Në këtë sferë, duhet ta dini se praktikisht me pagesat rrugore, Qeveria e Maqedonisë kryen hajdutllëkun ndaj banorëve të vet, për shkak se ajo taksë që paguhet për shfrytëzimin e rrugëve, nuk e ka shërbimin adekuat. Le të udhëtojnë kush të dojë në rrugën Tetovë-Gostivar, Shkup-Tetovë, ku në çdo 200 metra mund të hasësh në kafshë që kalojnë aty dhe në rrugë të dëmtuara. Gjithmonë konsumatori duhet ta ketë shërbimin në nivel, që në Maqedoni nuk e ka, e në anën tjetër – e ka pagesën në maksimum dhe të dyfishtë. Këta që shfrytëzojnë djersën e banorëve e bëjnë në mënyrë të pandershme, sepse paratë nuk përfundojnë për mirëmbajtjen e rrugëve, por në xhepat e dikujt tjetër”, thotë profesori universitar i ekonomisë, Hamit Aliu. Në qoftë se nuk do të ishte kështu, thotë Aliu, atëherë Maqedoni do të praktikonte sistemin e kartelave dhe parapagimit të pagesave rrugore, me çka do të evitoheshin edhe shpenzimet aktuale për angazhim të punonjësve, por edhe do të regjistrohej me saktësi çdo pagesë që bëjnë qytetarët. Sot, thotë profesor Hamit Aliu, askush nuk di se sa para inkasohen në pikat pagesore dhe ku përfundojnë ato, përderisa cilësia e rrugëve për çka edhe destinohen mjetet e mbledhura nga taksat e rrugëve, mbetet më e keqe dhe më e rrezikshme për pjesëmarrësit në komunikacion.

Autostradat më të shtrenjta në Evropë
Profesori i ekonomisë, Hamit Aliu, thotë se taksa rrugore që paguhet në çdo vend të botës duhet të korrespondojnë me gjendjen ekonomike të atij vendi, gjatësinë e autostradave për të cilat bëhet pagesa dhe cilësinë e rrugëve. Maqedonia, sipas Aliut, është vendi me rrugë më të dobëta, më të shkurta dhe pagesa ndër më të larta në Evropë.
“Në shtetet evropiane ka dy nivele të pagesës. Turistët që hyjnë në 100 metrat e parë të kufirit, kanë kioske ku blejnë kartelat ngjitëse për shfrytëzimin e rrugëve dhe e dyta, çdo qytetarë që ka veturë, kur bën regjistrimin e saj, bën pagesën për tërë vitin dhe në dritare ka një kartelë që regjistrohet në mënyrë elektronike. Kështu dihet se ku përfundon inkasimi, shkojnë ato para në arkën e shtetit apo xhepat e dikujt. Ka standard sa mund të jetë për një shtet. Nuk mund të paguhet për shembull rruga Tetovë-Shkup, 1 euro në një drejtim për më pak se 50 kilometra apo 14 euro për 7 ditë në dy drejtime, me një rrogë minimale që e ka Maqedonia. Ndërkaq në Slloveni, për autostradë me mijëra kilometra, në të gjitha drejtimet dhe pa asnjë kufizim, paguhet vetëm 7 euro për 10 ditë”, thotë Aliu. Përveç rrugës Tetovë-Shkup, rruga tjetër edhe më e shtrenjtë dhe me gjatësi më të shkurtër është ajo Shkup-Kumanovë, ku për më pak se 40 kilometra, paguhet 80 denarë vetëm në një drejtim dhe 80 të tjera anasjelltas. Edhe më absurd, sipas profesorit Hamit Aliu, është rruga Tetovë-Gostivar, e cila sipas tij, nuk i plotëson as standardet e autostradës, prandaj dhe nuk duhet të ketë aspak pagesë rrugore.
“Kjo rrugë është më e dëmtuara prej të gjithave, ka dy korsi në një drejtim, ndërsa autostrada duhet të ketë 3 korsi, si dhe largesa mes korsisë së fundit me murin ndarës nuk është ajo që parashihet në ligj. Në këtë rrugë, në vazhdimësi dalin kafshë, ndërsa asfalti është i dëmtuar dhe arnuar që nuk lejohet për një autostradë. Edhe pagesa prej 40 denarë që duket më e lira, është e panevojshme dhe merret pa të drejtë”, thotë profesori i ekonomisë, Hamit Aliu.

Autor: Arben Zeqiri

(Storja është realizuar me mbështetje financiare të QGH “SCOOP” Maqedonia, në kuadër të projektit: “Ngritja e vetëdijes publike për korrupsionin nëpërmjet raportimit hulumtues”)

Lajme të ngjashme

Back to top button