Historia e shahut dhe orizit

Në këtë cikël të ri shkrimesh dua të analizojmë bashkë aspekte të ndryshme të revolucioneve të mëdha industriale, me theks të veçantë në aspektet e revolucionit më të ri, Revolucionit digjital për të kaluar përfundimisht në atë që Thomas L. Friedman e quan Epoka e Energji Klimës. Derisa të arrijmë tek epoka e E.E.K me siguri mjegulla dhe smogu në Shkup, Tetovë e gjetiu do të jetë aq e trashë sa për të gjithë do të jetë e qartë rëndësia e kësaj epoke të re që na pret të gjithëve. Kuptohet, nëse diku në mes gjej vend do të flas edhe për atë se si i presim ne si komb, apo ne si shtet, apo si rajon të gjitha këto revolucione, këto ndryshime të mëdha shoqërore-ekonomike.

Dua të hap rrugën e këtij cikli duke dhënë një përshkrim të përgjithësuar të asaj që jemi duke e përjetuar çdo ditë, por së pari të shohim se ku filloi e tërë kjo.

Dy revolucionet e para industriale shkaktuan shumë dhimbje, por në fund sollën përfitime për të gjithë. Kur Edmund Cartwright patentoi makinën e parë automatike për thurrje në vitin 1784 dhe bashkë me Robert Grimshaw ngritën fabrikën e parë të thurrjes automatike me 500 makina nga këto të zbuluesit Cartwright në Manchester të Anglisë, ajo u dogj e tëra nga manifakturuesit që i druheshin humbjes së bizneseve të tyre. Por megjithë rezistencën, Revolucioni Industrial eci përpara sepse njeriu zbuloi që makinat dhe teknologjitë mund t’ia bëjnë jetën më të lehtë dhe biznesin më profitabil. Në fund të fundit përfitimet nga risitë teknologjike, mundësitë e reja që u krijuan për një jetë më të mirë nga këto risi dhe zhvillimet kapitaliste ngritën në pah një shoqëri të re të etur për zhvillim dhe për inovacion. Të dy Revolucionet e mëdha, si ai i fund shekullit 18-të ashtu  edhe ai i një shekulli më vonë krijuan mundësi të reja ekonomike në shkallë masive me plot vende të reja pune tw cilat zëvendësuan të vjetrat.

Revolucioni më i ri digjital i nisur në fundshekullin e 20-të premton të sjellë miks të ngjashëm të stresit social dhe transformimit ekonomik. Efektet e kësaj janë shumë të pranishme dhe të matshme në krizën aktuale (jo vetëm financiare) globale, që nuk është gjë tjetër veçse një ndërmjet-fazë mes këtij revolucioni dhe atij që na pret në formën e E.E.K. Efektet e saj në thelb janë ato të globalizimit. Por do të arrijmë edhe aty.

Nevoja për këtë revolucion të ri erdh sërish si pasojë e natyrës së re të njeriut për të kërkuar më shumë nga teknologjia, me qëllim që të risë mirëqenien dhe profitin e vet. Fuqia e këtij revolucioni rrjedh nga forca kompjuterike e mundësuar nga qarqet e integruara. Cartwright-in e këtij revolucioni digjital e gjejmë në figurën e Gordon Moore, bashkëthemeluesit të Intel. Bazuar në Ligjin e Moore, numri i tranzistorëve të instaluar në mikroçipat që janë pjesë e secilit aparat me intelegjencë elektronike dhe që diktojnë fuqinë procesuese të tyre, rritet në mënyrë eksponenciale çdo të dytin vit. Kjo rritje eksponenciale e fuqisë procesuese ka ulur në mënyrë gjeometrike ­çmimet e pajisjeve elektronike. Smartphonat që i përdorim sot kanë shumë më shumë fuqi procesuese sesa superkompjuterët e viteve ’60, me ­kosto eksponencialisht më të ulët.

Por efektet përfituese nga zhvillimet teknologjike digjitale po vijnë në shprehje më ngadalë se çka pritej në fillimin e këtij revolucioni. Arsyet për këtë mund të ilustrohen nga historia e shahut dhe orizit. Një njeri shpikën një lojë, shahun, dhe ia prezenton mbretit të tij, të cilit i pëlqen aq shumë kjo lojë sa i premton shpikësit se do i plotësojë çdo kërkesë. Shpikësi kërkon një kokë oriz për fushën e parë të tablosë së shahut, dy për të dytën, katër për të tretën dhe kështu me rradhë duke i dyfishuar deri në fushën e 64-të. Mbretit, meqë iu duk një kërkesë shumë modeste, urdhëroi që shpikësit t’i paguhej shpërblimi. Duke e numëruar sasinë e orizit, fillimisht duket që me të vërtetë shpikësi ka kërkuar shumë pak. Por me dyfishimin e tyre në çdo fushë të ardhshme, së shpejti fusha e ardhshme kërkonte sasinë që mund t’a prodhonte një fushë e tërë orizi. Në fund mbreti duhej të pranonte humbjen, sepse edhe pasuria e tij e stërmadhe nuk mjaftonte për të mbushur malin e orizit që kërkonte fusha e 64-të. Me këtë desha të them, që rritja eksponenciale në mundësitë teknologjike dhe digjitale të kësaj epoke mund të duken të neglizhueshme në fillim derisa të bëhen të pamenaxhueshme.

(vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button