Gjendja katastrofale me mediat, Besimi takohet me gazetarët

I pari i euro-integrimeve Fatmir Besimi, sot kishte debat me përfaqësues të shoqatave dhe organizatave të mediave në lidhje me shënimet e Raportit të Komisionit Evropian për progresin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2014, në pjesën më problematike dhe të kritikuar atë të lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave.

“Maqedonia fatkeqësisht u bë një nga vendet e vetme në kontinentin e Evropës që për fjalë të shkruar, për tekst të vitit 2008, një gazetar është dënuar me 4 vjet gjysmë burg”, tha Drejtor Ekzekutiv i SHGM-së, Dragan Sekullovski.

“Ligjet në Maqedoni, në përgjithësi asnjëherë nuk kanë qenë problem për sa i përket lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave. Problemi qëndron në zbatimin selektiv të tyre, problemi është në sjelljen e institucioneve, llogaridhënien e tyre, transparenca, dhe gatishmëria që në mënyrë jo-selektive të komunikojnë me mediat dhe opinionin, të komunikojnë me gazetarët, të jenë llogaridhënës, që fatkeqësisht nuk ndodh”,tha Bijana Petkovska nga MIM.

Fatmir Besimi pranoi se vendi ballafaqohet me probleme serioze në fushën e mediave, por edhe përkundër insistimit të gazetarëve, nuk u shpreh nëse sipas tij është i vërtetë konstatimi i Komisionit Evropian se Qeveria i kontrollon mediat. Ai tha se duhet  bashkërisht të punohet.

“Duhet të punojmë së bashku që t’i tejkalojmë mangësitë. Vetëm përmes partneritetit mund të shënojmë progres… pikërisht kësaj i dedikohet debati i hapur i sotëm me shoqatat dhe organizatat e mediave dhe të gjitha debatet e deritanishme të organizuara nga ana e Sekretariatit për Çështje Evropiane me veprues të ndryshëm shoqërorë” – tha Besimi.

Gjatë debatit u potencua nevoja e sigurimit të pavarësisë më të madhe financiare të shërbimit publik radiodifuziv, RTVM. Gjithashtu, u theksua shpallja publike e të dhënave për reklamimin qeveritar nga ana e Qeverisë, me çka kontribuohet në rritjen e transparencës në proces, dhe u potencua nevoja e transparencës dhe objektivitetit lidhur me kriteret. U diskutua edhe rënia e numrit të padive për shpifje dhe ofendim, si rezultat i dekriminalizimit të shpifjes dhe ofendimit, dhe gjithashtu u potencua nevoja për sjelljen e kulturës së gjetjes së zgjidhjes jashtë sistemit gjyqësor për rastet e shpifjes dhe ofendimit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button