Duka i frikësohet politikës, pret fitore në tavolinë

Fitorja në tavolinë është opsioni i vetëm i menduar nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët kanë zbarkuar në Nion të Zvicrës për të mbrojtur çështjen kuqezi në komisionin e disiplinës pas ngjarjeve të turpshme në sfidën e Beogradit, Serbi-Shqipëri.

Lajmin e konfirmon vetë kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, që në linjë telefonike për “Sport News” tregon pritshmërinë e palës shqiptare për vendimin e disiplinës.

“Komisioni i disiplinës ka marrë informacionet zyrtare dhe pretendimet e të dyja palëve dhe më pas do të marrë një vendim të drejtë sportiv, si për ne edhe për serbët, pasi kështu edhe ata do të korrigjohen në të ardhmen. Kështu mund t’i rikthejë futbollin atyre, duke ndëshkuar organizatorët e ndeshjes dhe duke dhënë fitoren në tavolinë për Shqipërinë”, ka deklaruar Duka.

Gjatë periudhës pas sfidës së Beogradit është ndjerë shumë përjetimi politik sidomos tek kundërshtari, por edhe në deklaratat e palëve të treta. Presidenti Duka beson për një vendim sportiv të çështjes edhe pse pranon se ka presion politik për këtë vendim.

“Kemi radhitur çdo gjë mirë për t’i treguar komisionit se çfarë ndodhi në Beograd. Kjo është shkruar nga specialistët më të mirë. Kam frikë nga politika, ka presion politik nga të gjitha anët, por shpresoj që komisioni të marrë një vendim sportiv mbi faktet dhe rregulloren sportive. Mbi vendimin politik nuk kemi çfarë të bëjmë”, ka theksuar ai.

Ndërkohë në media prej kohësh qarkullon ideja e një vendimi të komisionit të disiplinës në UEFA për të riluajtur takimin si dhe fakti që ndeshja e kthimit mund të luhet me dyer të mbyllura ose në fushë asnjanëse. Për numrin një të qeverisë së futbollit në vend nuk ka asnjë pikë në rregullore që mund të sjellë këtë vendim.

“Nuk e kam lexuar në asnjë rregullore se ç’mund të bëhet në ndeshjen e kthimit. Riluajtja e takimit nuk ekziston si mundësi, pasi me rregullore riluajtja ose rifillimi i tij bëhet vetëm nëse ajo ndërpritet për forca madhore dhe jo për pushtim të fushës”, përfundoi Duka.

Lajme të ngjashme

Back to top button