Një foto e rrallë, Bajram Curri i vrarë te shpella e Dragobisë

Para disa kohësh,gazeta “Shekulli” publikoi për herë të parë pasaportën origjinale  të Heroit të Popullit Bajram Curri. Një e dhënë historike që duhej studiuar nga historianët dhe që kërkohej përgjigje nga lexuesit, ishte data e lindjes. Në të gjitha dokumentet historike për jetën e Bajram Currit, lindja e tij daton viti 1862,kurse në pasaportën e zbuluar ai është lindur në vitin 1866.

Në fakt asnjë nga studiuesit apo Akademia e Shkencave nuk u mor me studimin e këtyre fakteve që dilnin në dritë për Plakun e Maleve, Heroin e Popullit, Bajram Curri.

Shumë e shumë këngë popullore,shumë e shumë data e ngjarje historike duhet të ndryshojnë,duke iu qasur realitetit historik e për t’u shkruar ashtu siç duhet historia e kombit tonë.

Këtë  radhë për lexuesit e “Shekullit” po sjellim një tjetër fakt interesant të Bajram Currit: një foto i shtrirë vetëm pak çaste pasi kishte vdekur. Akoma nuk është studiuar ( për sa jemi në dijeni ),se  kush është autori i fotografisë, e kush kishte  aparat me vete në shpellën e Dragobisë në momentet kur Bajram Curri ia shkrepi vetes, por kjo foto vlen sa njëmijë fjalë dhe duhet vlerësuar si material historik dhe me vlera.

Në një intervistë para disa vitesh,  Nehat Zherka nga Gjakova, flet për gjyshin e tij fotograf dhe negativat e filmave të ruajtur, e ku Ahmet Zherka ka fiksuar në celuloid këto pamje të Bajram Currit vetëm pak çaste pas vetëvrasjes. Por ky fakt mbetet i pazbuluar.

Gjyshi i Nehatit, Ahmet Zherka, konsiderohet si një nga fotografët e parë të Kosovës që me aparatin e tij ka bërë të përjetshëm shumë personalitete, por edhe ngjarje të rëndësishme.

Në një nga negativet e pazhvilluar ndonjëherë tregon për një njeri të shtrirë që sipas Nehatit, është Bajram Curri i vrarë. /KOHAnet

Lajme të ngjashme

Back to top button