FYTYRA E FISME PËRBALLË HISTERISË

Nëna e fisme priste në njërin nga korridoret e stadiumit të Partizanit, që të kalonte vala e histerisë shoviniste serbe. Ajo dukej krenare me birin e saj, futbollist i kombëtares shqiptare. E kishte ëndërruar Beogradin si qytet kulture e lirie.

E rritur në vendin më të izoluar të Evropës, në Shqipërinë komuniste, qe magjepsur nga imazhet televizive që vinin nga përtej kufirit, ashtu sikurse ne “të këndejshmit” magjepseshim nga sinjalet e TVSH, që u shpëtonin zhurmuesve.

Në të dy anët besohej se matanë është “parajsa tokësore”.

“Të andejshmit”, të rritur në kushte robërie e varfërie të skajshme, në një bote të uniformizuar, ku të gjithë duhej të mendonin e të vepronin njësoj ose më saktë as të mendonin e as të vepronin, çdo sinjal që vinte nga përtejbota e pranonin me ndjenjë euforie.

Pas hapjes së kufijve kjo situatë krijoi keqkuptim ndërmjet shqiptarëve të “këndejshëm” dhe “të andejshëm”, edhe në raport me serbët.

Mosdurimi “i këndejshëm” ndaj serbëve shkaktonte habi në pjesën e “andejshme”, shkaku se shteti i dikurshëm jugosllav, të paktën, ishte më i hapur në raport me Shqipërinë komuniste dhe me një mirëqenie më të theksuar. Por kur njeriut i mungon liria, asgjë nuk është e vlefshme. Shqiptarët “e këndejshëm”, që ishin përballur përherë me histerinë shoviniste serbe, shpesh shiheshin nga “të andejshmit” si “nacionalistë” e “folkloristë” të tepruar. Lufta e Kosovës dhe imazhet nga ajo, nisën që ta riparonin këtë keqkuptim. Ndarja e gjatë kishte lënë pasoja të mëdha.

Ngjashëm mund të ketë menduar edhe nëna e fisme të cilës, më në fund, ju plotësua dëshira për ta vizituar Beogradin. Ajo që ditën e parë të vizitës në qytetin e ëndërruar e pa fytyrën e vërtetë të Serbisë. U zgjua nga ëndrra. Tani e tutje, gjithsesi do t’i kuptojë më mirë shqiptarët “e këndejshëm”. Do ta kuptojë revoltën e tyre sa herë “andej” priten si mbretër artistë që në kohë euforish shoviniste e ksenofobe, atëherë kur dallohet intelektuali i vërtetë nga boritë e partisë, jo që nuk kishin heshtur, por edhe kishin dalë në përkrahje të kasapëve…

“Të andejshmit” dhe “të këndejshmit” nuk janë ndryshe. Shqiptarët e kanë të theksuar ksenofilinë, po aq sa serbët ksenofobinë. Shpesh ekzaltohen nga artistë mediokër joshqiptarë dhe përçmojnë artistët e mirëfilltë të tyre.

Patjetër se duhet hapje e jo mbyllje ndaj vlerave superiore, pavarësisht nga kush dhe ku krijohen. Përthithja e tyre e pasuron sistemin tonë kulturor. Por nuk duhet të ekzaltohemi dhe të harrojmë historinë e trishtë, një lëndë ku shqiptarët gjithmonë kanë qenë të dobët. Historia është kuptuar si lëndë për të kënaqur sedrën kombëtare dhe jo si mësuese jete, leksionet e së cilës na mësojnë se tragjeditë përsëriten kur harrohen.

Ata që deri dje u kanë besuar deklaratave paqësore të liderëve të tanishëm serbë, duhet që të kthejnë vështrimin pas dhe ta rikujtojnë se tre liderët kryesorë të Serbisë kanë vepruar e deklaruar sikurse ata që gjendeshin nëpër tribunat e stadiumit. Serbisë nuk i mungon millosheviqizmi. Për sa kohë mbizotëron kjo frymë vështirë se do të arrihet afrimi ndërmjet shqiptarëve e serbëve.

Ndeshja e kombëtareve ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë tregoj se fantazmat dhe demonët e urrejtjes ecin lirshëm nëpër Serbinë e ngulfatur nga mjegullat e miteve të rrejshme ku, sikurse është vërejtur nga shumë analistë, ende dominon arroganca nacionale, ideja e heroizimit të së kaluarës së tyre, ideja mbi kombin viktimë që ka të drejtën për çdo privilegj moral e politik dhe çdo veprim, sado i egër, duhet t’i falet paraprakisht. Kjo është Serbia ku dominon miti mbi armiqtë, ndaj të cilëve duhet të ndodh hakmarrja, ashtu sikurse thotë personazhi kryesor në romanin e Darko Popoviqit, “Libri mbi Milutinin”: “Duhet të kthehemi t’i vrasim arnautët”.

Mos harrojmë se ky libër, që motivon për hakmarrje, është botuar në qindra mijë kopje.

Kjo ndjenjë hakmarrjeje është shfaqur dhe do të shfaqet sërish për sa kohë Serbia është në vargonjtë e kësaj logjike të mbrapshtë; për sa kohë aty nuk triumfojnë idetë e intelektualëve të tipit të Danilo Kishit.

Në Beograd nuk kanë munguar intelektualët liberal, por zëri i tyre nuk ka mundur të dëgjohet nga zhurma e inteligjencies shtetërore e partiake, e helmuar nga helmet e shovinizmit dhe ksenofobisë.

Dukej se më në fund këtë gjendje e ka kuptuar edhe nëna e fisme, e cila pasi nuk kishte urryer të tjerët, s’kishte mundur të besonte se në këtë botë kishte nga ata që urrenin dikë vetëm se i përkiste një kombi tjetër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button