Lufta mediatike mes shqiptarëve dhe serbëve

Kaloi një javë e furishme pas ndeshjes në Beograd, jave kjo e cila u karakterizua me një vrull informacionesh nga mediumet dhe portalet shqiptare, që nga shpifjet në dëm të interesit tonë deri tek përkthimi i vazhdueshëm i lajmeve serbe. Kishte aq shumë informacione të pabaza për ca shikime e klikime saqe kjo gati nuk nxiti dyshime për të vërtetën që e panë sytë tane.

Mediumet serbe dhanë një shembull të mirë se si duhet gënjyer e shpifur, se si duhet nxirë e katranosur në interes të shtetit. Të ndihmuar nga eksperienca për të gënjyer dhe dinakëria ia dolën që medieve ndërkombëtare t’jua imponojnë versionin e tyre. Ashtu siç u deklarua në takimin Putin-Vuçiç se kinse Serbia gjithmonë ka pas të drejtë në luftërat ballkanike përkundër gjenocidit, në të njëjtën mënyrë mediat serbe nxorën në pah ”pafajësinë” e tyre. Nga detaje të vogla krijuan gënjeshtra të mëdha. Nëse kjo do të analizohej në aspektin etik dhe të transparencës gazetareske padyshim është një dështim i madh i gazetarisë serbe, mirëpo në interes të shtetit dhe qëllimeve më madhore është një sukses për ta dhe një humbje për shqiptarët. Në anën tjetër, mediumet  shqiptare e humbën hapin e parë. Ne çastin  kur duhej të shfaqnin fuqinë e tyre botërisht, ata heshtën për ta lënë të vërtetën pezull  e mëpas të kompleksuar folën shumë po  si dëgjoi askush. Fatkeqësisht për to, ai  që arrin i pari të bëj zhurmën fiton, sidomos në këtë globalizëm të gazetarisë ku  burimi dhe saktësia e informatës nuk është gjithmonë prioritet.

Gazetaria shqiptare kishte  mision shumë më te thjeshtë nga ai i serbeve që duhej të përdornin të gjithë kapitalin e tyre për të sajuar  të pavërteta. Misioni i gazetarëve shqiptarë ishte ai më i shenjti i gazetarisë, për të thënë të vërtetën, për t’i treguar botës atë që ndodhi, jo atë që do të donin që të ndodhte apo të ishte, siç bënë serbët. Kokat e gazetarisë shqiptare, disa prej te cileve ishin në Serbi e tjerët në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni dështuan për t’ia paraqitur të vërtetën botës. Këtë të vërtetë kaq të thjeshtë me fakte të panumërta në duar , me dëshmi se përveç asaj që ndodhi në fushë, policët serb u sollën si huligane në emër të shtetit dhe te instancave më të larta shtetërore.

Ndoshta nuk do të ishte e çuditshme pamundësia e mediumeve në Maqedoni për të raportuar ndërkombëtarisht për ngjarjet, duke pas parasysh terrin mediatik që mbizotëron. Ndoshta mundemi t’i shfajsojme edhe mediumet e Kosovës per shkak te afatit te shkurter të ekzistimit të medieve dhe mungesës së lidhjeve shkaku i rrethanave politike. Mirëpo, kjo është e pafalshme për mediumet e Shqipërisë, që janë aq te shumte saqe konstatimi i një mikut i cili thotë se  “ka afërsisht një kamerë në çdo njëqind banorë”-  nuk do të ishte për të qeshur. Me tërrë këtë fuqi mediatike, besa edhe të tepruar për një shtet të vogël, gazetarët shqiptarë sërish ngelen duke u rrotulluar në vend, në pamundësi për të dalë nga zona e rehatise së tyre, nga kolltuqet prej ku disa prej tyre përbaltin pothuajse cdokend. Pikërisht këta dështuan të shfaqnin kosmopolitizmin e tyre për tu lidhur me gazetarët ndërkombëtarë për t’i informuar të parët, për të imponuar të vërtetën. Por jo, ngelën kozmopolit vetëm kur perballe tyre rastis te jete ndonjë nacionalist apo patriot shqiptar. Ca analiste e gazetarë madje shkuan përtej kësaj ,duke e tepruar me transparencën e tyre, madje për një çik famë dolën edhe kundër të vërtetës, për të luajtur rolin e anti folkloristëve që nuk qëndrojnë fare në rrethanat që u krijuan.

Kësaj here, gazetaria mbarëkombëtare e humbi betejën me serbet, por jo luftën. Duke u munduar të rikuperoj disavantazhin e marrë në fillim, numërohen tik-takët e fundit, me shpresë për të ngadhënjyer në sfidën tjetër mediatike. Në peshoren e interesit kombetar gazetaria serbe fitoi 3-0 në tavolinë duke e rënduar peshoren me gënjeshtra në interes të saj. Mediumet botërore thithën atë që ju ofrua më parë, atë më të zëshmin, duke treguar për të satën herë që nuk janë shenjtorë e shembull për tu ndjekur. Edhe përkundër kësaj tollovie që u krijua, më fitimtar ne këtë rast doli populli shqiptar, duke dëshmuar unitet si rrallë herë, duke lënë mënjanë dallimet në mes tyre, duke tejkaluar politikën, gazetarine, e bile edhe diplomacinë.
Shqiptarët për një javë ishin diplomate, politikane e gazetarë, të një mendimi, të organizuar ne korre por pa udhëheqës dhe  luajtën rolin që gazetaria dhe politika shqiptare dështoi ta luante. Të organizuar spontanisht dhe me vete financim sponsorizuan lajmin mbi të vërtetën në rrjetet sociale. Të vetë organizuar, tifozët si Ballistët, Plisat, e të tjerë, dëshmuan se si duhej realisht të silleshin gazetarët shqiptarë karshi botës e si duhet të krijohet imazhi mediatik. Mbi të gjitha, fitorja e Shqipërisë në tavoline do ta zbehte dështimin e mediumeve shqiptare. Ne thelb, Europa dhe UEFA duhet të jenë të drejtë, ndersa të drejtë kemi ne. Në të kundërtën do të vlejë thënia ironike e gazetarit Sajmir Kodra :” Po nuk na dha të drejtë UEFA mos të na kërkoje më Komisioni Evropian reforma në drejtësi ”.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. A mund te tregoje konkretisht ku kane deshtuar mediat shqiptare ne kete rast? Dhe pse paskan fituar mediat sebe? E lexoj dhe rilexoj tekstin dhe nuk i bie ne fije se si ka ardh deri te ky perfundim.

Back to top button